Ish-kampioni i botës në TAI dhe KIK boks, Ismail Keta ka reaguar lidhur me disa projekte për ndërtimin e HEC-ve në Njësinë Administrative Fushë – Bulqizë. Një nga projektet për ndërtimin e një HEC-i është edhe në fshatin Koçaj, në vendlindjen e Ketës. Në mesazhin e postuar në profilin e tij në Facebook, Keta ju bën thirrje bashkëfshatarëve të tij që të mos ju përulen të padrejtës.
Mesazhi i plotë:
“Bulqiza është e bulqizakëve dhe miqtë që meritojnë respektin e tyre. Jo e politikanëve !!!
Sikur edhe njeriu im më i afërt të kërkonte një të padrejtë të tillë, nuk do të heshtja.
Bashkohuni dhe dilni zot te drejtës tuaj që fundja ZOTI jua dhuroj (jo politikanët) ooo bashkëfshatarët e mi!!! Mos ju përulni të padrejtës! Vlen për të edukuar edhe fëmijët, brezat e ardhshëm”.
Bashkia Bulqizë i kërkoi Këshillit Bashkiak në një projekt-vendim të miratojë heqjen nga fondi i saj pyjorë e kullosor i disa pyjeve në zonën e Fushë Bulqizës, për të ti kaluar në pronësi të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit. Një ndryshim i tillë i pronësisë bëhet për ti hapur rrugë projekteve për ndërtimin e dy HEC-eve në fshatin Dragu dhe Koçaj. Një vendim i tillë kundërshtohet nga banorët e zonës, çka ka sjellë dështimin për të tretën herë të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Bulqizë, ku do shqyrtohej kjo çështje.