Ministria e Arsimit shpalli datat e provimeve, duke shmangur ditën e votimeve që do të zhvillohen në ambiente e shkollave. Zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj ka deklaruar se, “zgjedhjet nuk do të cenojnë standardet e provimeve të maturës”. Gjithashtu Ministri e Arsimit ka njoftuar se provimet e maturanteve nisin në 5 qershor me Gjuhën e Huaj, ndërsa Gjuha Shqipe zhvillohet në datën 10.
Ndërkohë në 15 qershor është testi i Matematikës dhe në 25 qershor provimet me zgjedhje. Gjithashtu bëhet e ditur se brenda muajit mars maturantët do të plotësojnë formularin e lëndëve me zgjedhje, të cilat i profilizojnë për Universitetet që do të ndjekin.
Ministria e Arsimit dhe shkollat e larta po bëjnë unifikimin e lëndëve, për të mos u përsëritur problemet me emërtimet dhe përllogaritjen e koeficienteve gjatë fazës së pranimeve në Universitete.