Covid-19 “kyç” industrinë e turizmit në Dibër

627
Bujtinën e Jufkave, Peshkopi. Foto: Sami Curri

Pandemia Covid-19 preku thuajse çdo sektor të ekonomisë. Por më e ndjeshme ishte situata në sektorin e turizmit që Shqipëria është shumë më e varur; si prej turistëve që vijnë nga jashtë, por edhe nga shqiptarët e trevave në Kosovë e Maqedoninë e veriut. Fushata e fundit pusho shqip për të stimuluar atë që quhet “turizmi patriotik”, mund të ketë mbushur plazhet, por në zonat malore, nuk duket një situatë e ngjashme. Sektori i turizmit në Dibër, vitet e fundit po merrte një zhvillim edhe më të madh. Shumë struktura akomoduese janë ngritur në këtë zonë për t’ju shërbyer turistëve vendas dhe të huaj. Por pandemia covid-19 i ka vënë në situatë të vështirë, bizneset që operojnë në fushën e turizmit malor dhe atë kurativ në ujërat termal. Kjo ka sjellë vështirësi në ekonominë e zonës.

Dibra, çdo vit edhe më shumë ka pasur një rritje të numrit të turistëve të huaj, por edhe vendas. Destinacioni kryesor është mali i Korabit, që ndahet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Maja më e lartë është në Shqipëri me 2764 metra dhe rrethohet nga parku kombëtar me të njëjtin emër. Falë një destinacioni të tillë, në këtë zonë janë ngritur një sërë strukturash akomoduese dhe shërbimesh, si një bazë shumë e rëndësishme e ekonomisë së zonës. Por që prej fillimit të pandemisë Covid-19, në këtë zonë janë të pakët turistët e huaj dhe vendas që zgjedhin ta vizitojnë malin e Korabit. Grehans Uka, që prej më shumë se 6 vitesh punon si udhërrëfyes, kryesish me turistët që vizitojnë Dibrën, tregon se këtë vit, shumë pak turistë zgjedhin të vizitojnë Dibrën. Kjo për shkak të pandemisë dhe frika krijuar tek të huajt. Uka tregon për Bulqiza ime se në këtë periudhë të një viti më parë, Korabi mund të vizitohej nga afro 2000 turistë në një javë. “Këtë vit, për rezervimet për bujtinat atje dhe guidat numri i turistëve arrin deri në 500 persona. Pra 25% e totalit të një viti më parë të turistve që vijnë në këtë zonë. Kjo situtatë është shumë e keqe për guidat dhe për bujtinat”, shprehet për Porta Vendore Uka.

Grehans Uka, që prej më shumë se 6 vitesh punon si udhërrëfyes, kryesish me turistët që vizitojnë Dibrën.
Foto: Sami Curri

Edhe zyra për informimin e turistëve në Peshkopi ka mbyllur dyert, kjo sa për mungesë të stafit, por edhe për shkak të mungesës së turistëve për t’u informuar në një qendër të tillë. Nga Zyra e Turizmit në Bashkinë Dibër i thanë Bulqiza ime se kjo është një situatë e vështirë për bizneset që operojnë në fushën e turizmit dhe të akomodimit. “Ne kemi pasur disa projekte të aplikuara në Dibër, mbështetur edhe nga organizmat e ndryshëm ndërkombëtarë. Çdo vit kemi pasur një trend në rritje të turistëve që vizitojnë Dibrën dhe pritshmëritë tona për këtë vit ishin vërtetë të larta. Por pandemia përmbysi gjithçka” u shpreh një specialiste e turizmit në Bashkinë Dibër për Porta Vendore. Ulja e numrit të vizitorëve ka prekur edhe Muzeun e Dibrës dhe Muzeun e Kastriotëve. Specialistët e muzeologjisë tregojnë për Porta Vendore se vizitorët e këtij viti janë shumë të pakët dhe se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, muzeu kishte vizita nga të huajt dhe pushuesit vendas që vizitonin Dibrë. Kjo shifër shkonte deri në afro 3000 vizitorë vjetorë në statistikat e muzeut.

Të përdorura shumë në Dibër dhe jo vetëm, jufkat, janë makarona artizanale të pregatitura vetëm me miell, vezë dhe qumësht. Dashurie Zerja, fillimisht merrej vetëm me prodhimin e jufkave. Prej kësaj pune dhe jo vetëm, biznesi i familjes së saj u zgjerua me “Bujtinën e Jufkave”, një restorant dhe disa dhoma hoteli. Edhe pse në një kohë dreke, në këtë restorant nuk të zë syri asnjë tavolinë të mbushur me klientë. Zerja na tregon se e vetmja punë që ka në këto ditë gushti është me ato klientë që ka në Dibër për tregtimin e jufkave, ndërsa rezervimet nga të huajt dhe turistët vendas thuajse janë anuluar të gjitha. “Sa për pjesën e bujtinës, pritshmëritë kanë qenë zero. Në bujtinën tonë, të huaj as që bëhet fjalë gjatë kohës së pandemisë e deri më sot. Vetëm shumë pak turistë nga Shqipëria”, tregon Zerja për Bulqiza ime. “Bujtina e Jufkave” është një biznes thuajse familjarë; teksa bisedon me ta, kupton se gjenden përballë një vështirësie, ndërsa shohin që biznesi i tyre ngritur me shumë mund dhe me disa grante të qeverisë për nxitjen e turizmit në zonë, është thuajse i boshatisur. Zerja tregon se mbijetesa e bizneseve të shërbimeve dhe të hotelerisë, vetëm me tregun lokal është e pamundur, pasi ekonomia e zonës është shumë e dobët. “Ne kemi pak besim tek tregtimi i jufkave me të cilat mund të punojmë. Ndërsa sa për turizmin, pritshmëritë janë shumë të ulëta” tregon Zerja.

Kulla Hupi, Bulqizë. Foto: Bulqiza ime

Në të njëjtën situatë ndodhen edhe ato pak bujtina që janë hapur në Bulqizë. Lulzim Hupi, pas kthimit nga emigracioni në Greqi, prej disa vitesh, kullën e familjes së tij mbi 200 vjeçare e ka kthyer në bujtinë. Lulzimi tregon për Porta Vendore se thuajse të gjitha ato prenotime që ishin për vitin 2020 janë anuluar, me shpresën që ndoshta me qetësimin e situatës prej pandemisë së covid-19, në vitin 2021 do të ketë një kthim të vizitorëve. “Ka ndikuar shumë sepse ky biznes është rritur duke ardhur të huajt dhe ne aktualisht që flasim nuk kemi pasur asnjë vizitor dhe të gjitha prenotimet janë anuluar. Dhe nuk besoj se do të ketë prenotime të reja për arsye të situatës të krijuar nga pandemia”, shprehet Hupi për Porta Vendore. Nëse vazhdohet me një gjendje të tillë, Lulzimi tregon se do të jetë e vështirë mbijetesa dhe mbajtja hapur e bujtinës. “Ky është një vit shumë i vështirë, jo vetëm për biznesin e familjes sime, por edhe për fshatarët, sepse si biznes është një ndihmesë edhe për familjet rreth e përqark nesh. Kështu nuk mund të rezistojmë shumë gjatë e do të detyrohemi ta mbyllim e ta kthejmë në shtëpi, siç ka qenë përpara” tregon Hupi.

Turizmi balnear në prag të mbylljes

Rruga që të çon nga pazari në Peshkopi deri tek llixhat, nuk ka qenë me e boshatisur se këto ditë gushti. Si pjesë e turizmit balnear, në rrethin e Dibrës rolin kryesor e luajnë ujërat termale të Peshkopisë. Turizmi kurativ paraqitet më i zhvilluar në këtë qark si nga numri i turistëve, hoteleve, të punësuarve në këtë sektor, të ardhurave etj. Aktiviteti kurativ mendohet të ketë filluar që në vitet 1600, kur janë përdorur nga krahina dhe më gjerë në mënyrë të vazhdueshme për efektet kurative. Rreth viteve 1870-të filluan të përdoren dhe të mirëmbahen nga komuniteti i krahinës. Rreth vitit 1928, u ndërtua i pari hauz me mbulesë, që filloi të përdoret me pagesë nga bashkia e qytetit, ndërsa në vitin 1953 filloi shfrytëzimi shkencor i tyre dhe ndërtohet i pari mjedis për larje me vaska si dhe hoteli pranë tyre për të shtruarit. Në vitin 1989 ndërtohet një kompleks modern, i pari në Shqipëri, me vaska dhe kabinete terapie të veçanta. Me kalimin e viteve, kjo industri mori një zhvillim shumë të madh. Kapaciteti ditor i frekuentuesve në një situatë normale është 2500 -3000 banjo. Muajt më të frekuentuar (dhe më të preferuar) janë prilli, maji, qershori, shtatori dhe tetori. Por faza e parë e llixhave ishte e bllokuar nga pandemia Covid-19 dhe të gjitha hotelet dhe shtëpitë private ishin të mbyllura. Ndërsa sot janë të hapura jo më shumë se 4-5 hotele akomoduese.

Shkëlqim Çipuri, që prej vitit 2011 ka hapur një prej hoteleve më të mëdha në këto zonë, në akomodimin e personave që qëndrojnë për llixha në Peshkopi. Në hotelin e tij, aktualisht ishin të akomoduar vetëm 5 persona që po trajtoheshin në ujërat termale. Çipuri tregon se ky vit ka qenë një dështim total, pasi pjesën më të madhe kanë qëndruar të mbyllur. “Për biznesin tonë, ky vit ka qenë shkatërrimtar në aspektin ekonomik. Të gjitha rezervimet kanë qenë një herë të anuluara nga ana jonë kur ishte vala e mbylljes, periudha prill – maj. Sepse me llixha e Peshkopisë, dy janë periudhat kur ka më së shumti turistë, prill-maj-qershor dhe pas shtatorit. Me shtimin e numrit të rasteve, ishte një ndalesë e dytë, jo më nga shtetit, por klientët që filluan anulimin e rezervimeve, kjo për shkak të frikës nga pandemia”, shprehet Çipuri për Bulqiza ime. Mbyllja e llixhave të Peshkopisë ka një efekt zinxhir në të gjithë ekonominë e zonës. Thuajse të gjitha ato pak biznese në lagjen e llixhave ishin të mbyllura. Në këtë sektor përllogariten më shumë se 100 të punësuar në qytetin e Peshkopsë. “Një efekt zinxhir në të gjithë qytetin që ka prekur të gjithë qytetin nga mungesa e turistëve në llixhat e Peshkopisë. Ne pranverën e quajmë të humbur, por nëse do të kemi një valë të dytë të Covid-19, për ne do të ishte shkatërrimtare, por edhe për qytetin” shprehet Çipuri për Bulqiza ime.