Ministria e Financave dhe Ekonomisë: Jo në kompetencën tonë për të miratuar statusin e minatorit

754
Dorëzimi i peticionit për statusin e minatorit nga përfaqësuesit e SMBB në Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave. Foto: SMBB

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i dorëzoi në dhjetor 2020 Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë një peticion me më shumë se 10,700 firma, duke kërkuar miratimin e statusit të minatorit. Peticioni u nënshkrua në letër, por edhe online, shtrirë në disa qytete të Shqipërisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në shkresën drejtuar sindikatës, thuhet se nuk është përgjegjësi e kësaj ministrie për të miratuar statusin, por e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shpreh angazhimin e saj për të bashkëpunuar jo vetëm me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë por edhe me grupet e interesit për këtë çështje, pasi vlerëson punën e nderuar të minatorëve e cila është një punë e vështirë dhe e rrezikshme njëkohësisht.” Thuhet në shkresën e MFE.

Me anë të peticioni, minatorët kërkojnë sigurimin e jetës dhe garantimin e dëmshpërblimit të familjarëve me 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendim e punës.

Gjithashtu sipas draftit, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi universitare për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.

Në peticion kërkohet rritja e pensioneve për punonjësit e nëntokës në 35 mijë lekë.  Gjithashtu, kërkohet ndryshimi i moshës së daljes në pension, duke e shkurtuar në 53 vjeç për ata që punojnë 11 vite apo më shumë nën tokë dhe për ata që kanë 10 vite punë, në 55 vjeç.

Në reagimin publik, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi përgjigjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si “ping-pong”-n e radhës së qeverisë me minatorët. “Është pikërisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë që e ka kthyer disa herë çështjen e Statusit të Minatorit, me justifikimin se buxheti i shtetit nuk ka para për minatorët. Nga ana tjetër, po kjo ministri ka çuar përpara ligjin për heqjen e rentës minerare për pronarët. Ndërsa kryeministri Edi Rama, Ministria e Infrastrukurës dhe Energjisë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë vazhdojnë të heshtin.”- Thuhet në reagimin e SMBB.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë afro 14 600 persona që trajtohen me pension të nëntokës dhe afro 12,200 punonjës, kontribuues në skemën e pensioneve nga nëntoka. Projekligjet e mëparshme të propozuara për statusin e minatorit janë rrëzuar nga shumica e majtë në Kuvend, me justifikimin se kjo është një barrë e madhe financiare për buxhetin e shtetit.