Procedohen penalisht 8 persona në Dibër për prerje të paligjshme të pyjeve dhe moskallëzim krimi

1556
Prerje e paligjshme e pyjeve në Selishtë, Dibër. Foto: Sami Curri

Policia e Dibrës ka nisur procedimin penale ndaj 5 personave, 2 kryepleqëve dhe administratorit të njësisë administrative Selishtë, bashkia Dibër, për prerje të paligjshme të pyjeve dhe moskallëzim krimi.

“D. B, I. L, XH. F, A. S, XH. L, banues në Selishtë Dibër. Procedimi ndaj tyre ka filluar pasi, shërbimet e policisë gjatë kontrollit të territorit në zonën e Selishtës, kanë evidentuar që shtetasit e lartëpërmendur kishin prerë në mënyrë të paligjshme lëndë drusore.” – Thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Në lidhje me këto raste, janë proceduar penalisht nga Policia shetasit S. M, kryeplak i fshatit Selishtë e Sipërme, H. R, kryeplak i fshatit Selishtë e Poshtme dhe F. M, administrator i njësisë administrative Selishtë në bashkinë Dibër. “Si të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprës penale ‘Moskallëzim krimi’.” – Thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Selishta në Dibër është ndër zonat më problematike përsa i përket prerjes së paligjshme të pyjeve. Banorët e fshatit Dushaj në Fushë-Bulqizë, ku shtrihet edhe masivi pyjor “Sheshe Bulqizë”, e kanë denoncuar disa herë në Polici masakrën mjedisore në këtë zonë, që po bëhej nga persona të ndryshëm nga krahu i Selishtës në bashkinë Dibër.

Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit. Një studim i PPNEA (Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), në nëntor 2019-të, gjeti se moratoriumi i pyjeve kishte kufizuar prerjet e pyjeve në sipërfaqe të mëdha, por se prerjet ishin intensifikuar në sipërfaqe të vogla.