Zv. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, pronarëve të galerive: mos ju gënjej mendja se jeni të fortë

411

Zv. ministri i Energjisë dhe Industrisë, Gëzim Musabelli ka zhvilluar ditën e sotme një takim me pronarët e subjekteve minerare që operojnë në zonën D të Bulqizës, për prezantimin e ligjit të ri për minierat.

Në fjalën e tij ai ka deklaruar se ka mbaruar koha e të fortëve dhe se shteti është i fuqishëm për të vepruar ndaj atyre subjekteve të cilët shkelin ligjin dhe nuk zbatojnë kushtet e sigurimit teknik.

Gjithashtu ai vuri në dukje se këto takime, dhe ato të pak muajve më parë nuk kanë të bëjnë me afrimin e zgjedhjeve e në këtë mënyrë të merret si presion. Gjithashtu, ai shtoi se të mos mendojnë se tani që po afrojnë zgjedhjet do të kenë hapsira për të vepruar për mos respektimin e rregullave.

“Qëllimi nuk është i keq, që të gjobisim njeri dhe të marrim masa. Por në rast se ju thyeni rregullat e sigurimit teknik dhe rrezikoni jetën e punëtorëve ne nuk do ju tolerojmë, për këtë të jeni të bindur. Asnjërin prej jush të mos e gënjej mendja se është i fortë, me shtetin dhe ligjet e shtetit nuk ka të fortë. Me jetën e punëtorëve që punojnë nën tokë dhe që nxjerrin krom, që i vlen ekonomisë dhe juve kompanive private dhe që mban një qytet në këmbë. Ne nuk do të tolerojmë që ju të shkelni rregullat e sigurimit teknik dhe që të cënohet jeta e punëtorëve. Toleranca jonë do të jetë zero” – Tha Musabelli.

Ndërsa për sa i përket investimit në pusin e ACR-s, Musabelli tha se do të vazhdoj.

/bulqizaime.al/