Historia e një minatori: Herët a vonë do të aksidentohesh!

1102
Portreti i një minatori që punon 800 m nëntokë. Miniera e Bulqizës. Shqipëri 2011 Të drejtat e autorit: Jutta Benzenberg

Në qytetin e vogël të Bulqizës, çdokush ka një histori për të treguar. Historia e Kurt Melanit shkon 42 vite pas, në ditën kur u aksidentua në minierë dhe kolegu i tij humbi jetën.

Ish-minatori 71-vjeçar është shtatlartë, i kollarisur dhe me rrudha të skalitura në fytyrë. Ai na pret në apartamentin e tij, në katin e tretë të një pallati në Bulqizë ku jeton vetëm me bashkëshorten, pasi 4 fëmijët e tyre kanë emigruar jashtë shtetit.

“Të gjitha punët kanë vështirësitë e tyre,  por kjo e jona është e vulosur që herët ose vonë do të aksidentohesh, do dëgjosh një histori aksidenti nga një mik dhe të bëhet e pashmangshme,’ thotë Melani.

Aksidenti ndodhi në zonën famëkeqe D të minierës së Bulqizës në gushtin e vitit 1978. Detyra e ditës ishte hapja e 18 vrimave me dinamit në muret me krom të minierës. Sipas Melanit, zjarrmëtari Femi Skënda bëri vrimën e parë dhe u nis drejt sipërfaqes që të furnizohej me dinamit, ndërsa të tjerët filluan punën.

Kurti është strikt, flet me metra dhe sekonda për aksidentin që do t’i rrezikonte jetën.

‘Unë bëja në mur vrimat që më pas do të mbusheshin me eksplozivë, ndërsa Femiu vendoste eksplozivin. Diçka nuk shkonte…,” thotë ai, ndërsa dyshon se shkak i aksidentit u bë shkurtimi i fijeve të dinamitit me qëllim plotësimin më të shpejtë të normës.

I moshuari tregon se koha e djegies së fitilit ishte problem në atë kohë e vazhdon të shkaktojë pasoja edhe sot në minierë. Sipas tij, fitili i një mine me sahat është llogaritur të digjet 1 cm për sekondë –duke u lënë minatorëve gati 3 minuta e 20 sekonda kohë për të dalë nga galeria.

Melani e konsideron gati të pamundur daljen nga zona D në kaq pak kohë.

Shpërthimi i minave e kapi grupin e punës të papërgatitur.  Nga plasja, kandili u fik ndërsa trupat e minatorëve u mbuluan nga kromi. Kurt Melani theu krahun, ndërsa kolegu i tij, Fehmiu ndërroi jetë ndërsa po e transportonin në spital.

‘Dhimbjet e mia sa vinin dhe shtoheshin, dorën e kisha të thyer dhe pritën 10 ditë për të më çuar në Peshkopi që të më operonin,” kujton 71-vjeçari, ndërsa vazhdon t’u shprehë mirënjohjen doktor Sabri Toskës dhe personave që e shpëtuan.

Fatkeqësisht, dora iu paralizua nga procesi i heqjes së hekurave, por Kurt Melani i falenderohet Zotit që është ende gjallë. “S’jam në gjendjen time më të mirë,  por të paktën po shikoj nipërit dhe mbesat e mi të rriten,’ shton ai, teksa hedh vështrimin nga muri ku gjenden të varura fotografitë e të vegjëlve të shtëpisë.

Historitë e minatorëve të plagosur nëntokë kanë një emërues të përbashkët; ata rikthehen sërish aty. Vështirësitë ekonomike, detyrimet familjare, por edhe mundësia e vetme e punësimit në Bulqizë krijon një lidhje të pashmangshme mes minatorit dhe minierës, pavarësisht fatkeqësive të shumta.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Kurt Melanin. Pas 5 muajsh me raport, ai u kthye sërish në minierë, ku kaloi edhe 15 vite të tjera të jetës.

Sot Kurti gëzon statusin e invalidit të grupit IV  dhe merr 2.200 lekë në muaj asistencë nga Bashkia –një turp sipas tij që nuk mjafton për asgjë. Pavarësisht punës së rëndë dhe të rrezikshme, ai ndjen se nuk është vlerësuar asnjëherë aq sa duhet, ndaj dhe ka këmbëngulur që fëmijët të largohen jashtë shtetit.

Të punosh në minierë, për Melanin do të thotë “të dalësh nga shtëpia çdo ditë me qefin”.

‘Më mirë emigrant se me frikën vdes sot e vdes nesër,” thotë ai për largimin e fëmijëve. “Më mirë t’i shikoj njëherë në dy vjet, sesa t’i shikoj në dhe”!