SMBB propozon Elton Debreshin si kandidat të pavarur për deputet

647
Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës duke folur në themelimin e saj. Foto: Sami Curri/BIRN

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës do të synojë të nxjerrë një kandidat të pavarur për deputet, në zgjedhjet për Kuvend që do të mbahen më 25 prill. Njoftimi për nisjen e procedurave për kandidimin e kryetarit të SMBB, Elton Debreshi u bë në faqen zyrtare të sindikatës në rrjetin social Facebook. “Do të mbështesim një minator si kandidat të pavarur për deputet në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në qarkun e dibrës.” Thuhej në njoftimin e SMBB-së.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, 9 qytetarë të një zone zgjedhore mund të propozojnë një kandidat në KQZ, nëse grumbullojnë nënshkrime nga qytetarë të asaj zone në mbështetje të kandidaturës. Ky numër nënshkrimesh varion nga 1% e numrit total të zgjedhësve (votuesve) të një zone zgjedhore, në këtë rast jo më shumë se 1330 nënshkrime.

Kandidati i propozuar Elton Debreshi, së bashku me tre minatorë të tjerë në protestat e dhjetorit 2019-të u shkarkuan nga puna prej kompanisë Albchrome.

Për SMBB-n mbështetja e një minatori si kandidat i pavarur për deputet është një përpjekje për të bërë zërin e tyre të dëgjohet.

“Një minator në Parlament do të ishte garancia që të drejtat tona nuk do të nëpërkëmben më tej, që zëri i minatorit nuk do të vijojë të mbytet njëlloj si jetët tona. Statusi i minatorit, përpjekja e madhe e mohuar pafundësisht, do të jetë kryefjala në çdo hap të kësaj rruge.” Thuhet në njoftimin e SMBB.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë afro 12,200 punonjës, kontribuues në skemën e pensioneve nga nëntoka në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa në të gjithë qarkun e Dibrës, ku veprojnë kompanitë më të shumta në nxjerrjen e kromit, numrohen mbi 3000 punonjës të nëntokës.