Njollat nga e kaluara, PD denoncon kryebashkiakun e Matit: Ka qenë i dënuar

506
Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj. Foto: Bashkia Mat

Partia Demokratike i kërkoi sot prokurorisë verifikimin e të shkuarës së kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, pasi ka dyshime se ai është i dënuar me vendim të formës së prerë.

Në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi publikoi vendimin e gjykatës, sipas së cilit Malaj është dënuar në vitin 1999:

“Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik.

Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik.

PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas KQZ të veprojë pa asnjë vonesë për administrimin e vendimit zyrtar të gjykatës së Matit dhe heqjen e mandatit për kreun e bashkisë së Matit Agron Malaj.”

Në rast se akuzat e opozitës verifikohen nga prokuroria, Agron Malaj nuk mund të shërbejë më si kryebashkiak.

Agron Malaj është kryebashkiaku i pestë socialist, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që Partia Demokratike ka denoncuar për fshehje të së shkuarës kriminale.

Kryebashkiakët e tjerë janë Valdrin Pjetri i Shkodrës, Agim Kajmaku i Vorës, Mark Babani i Vaut të Dejës dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.

Zoti Bardhi tha se të gjitha këto raste konfirmojnë se Rama ka ardhur në pushtet me mbështetjen e kriminelëve:

“Ky është rasti i pestë pas atij të Shkodrës, Vorës, vaut të Dejës dhe Mallakastrës, që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit dhe ndan pushtet me krimin.”