Protesta e minatorëve në Bulqizë, policia shoqëron katër protestues

Policia e Shtetit shoqëroi 4 protestues përfshi kryetarin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ndërsa i akuzon ata për tubim të paligjshëm, edhe pse protestuesit thonë se shehsi ku protestojnë nuk pengon qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve.

414
Minatorë dhe anëtarë të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës duke protestuar para hyrjes së minierës së kromit në Bulqizë që administrohet nga kompania Albchrome. Foto:Sami Curri/BIRN.

Policia e Shtetit  shoqëroi të mërkurrën në Komisariatin e Policisë Bulqizë katër persona të tjerë të akuzuar si të përfshirë në protestat e minatorëve para kompanisë Albchrome. Policia nuk ka bërë zyrtarisht një njoftim, por Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës njoftoi për shoqërimin e kryetarit të saj Elton Debreshi dhe protestuesve Redi Çekiçit dhe Ali Gjeta. Po ashtu i shoqëruar ishte dhe anëtari i Organizatës Politike Xhuliano Bregasi pjesë e protestës së minatorëve në Bulqizë, e cila hyri në ditën e saj të 6.

Ndëkohë një ditë më parë policia njoftoi edhe nisjen e procedimit penal ndaj 3 vagonistëve të minierës. “Policia ka nisur procedim penal për tre minatorët Beqir Duriçi, Behar Gjimi dhe Neki Lica, duke i akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme. Sot kanë shoqëruar dhe po mbajnë në komisariatin e Bulqizës edhe kryetarin e sindikatës, Elton Debreshin.” thuhet në njoftimin e Sindikatës Minatorët e Bashkuar të Bulqizës shpërndarë për mediat.

Pyetur me telefon, zëdhënësja e Policisë së Shtetit në qarkun Dibër, Bora Mikli i tha BIRN se procedurat për pyetjen e të shoqëruarve vazhdojnë. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, tre minatorët dhe  aktivisti i Organizatës Politike ndodheshin në Komisariatin e Policisë Bulqizë.

Për protestat e minatorëve të Bulqizës ka reaguar ndërkohë edhe Federata e Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë. Me një e-mail dërguar BIRN, FSPISH deklaron se ka 465 anëtar me kuotë në kompaninë Albchrome dhe se ajo kishte pëqrfaqësuar minatorët dhe kishte siguruar një sërë të drejtash për ta. “Pagat merren gjithmonë në ditë të caktuar dhe nga ana jonë është vërtetuar një rregullsi në hedhjen e tyre. Ka mbi tre vjet që në këtë minierë nuk ka patur asnjë aksident me pasojë vdekjen”, thuhet në reagimin e FSPISH, ndërguar nga kreu i saj Tafe Koleci. Ai thotë se benefitet, përfshi shpërblime dhe pagën e 13 ishin përfituar prej punës së sindikatës që ai drejton.

Nga ana tjetër Koleci sulmoi sërish drejtuesit e sindikatës së re dhe cilësoi të drejtë shkarkimin e Debreshit nga detyra. Sipass Kolecit Debreshi ka thyer rregullat e brendshme të kompanisë dhe për këtë është shkarkuar dhe jo për arsye tjetër. Ai sërish mbajti qëndrim gati kërcënues ndaj protestuesve. “Bojkoti i paligjshëm i punës është i dënueshëm si me Kod Pune të Republikës së Shqipërisë, po ashtu dhe me rregullore të brendshme të Kompanisë.” thuhet në reagimin e FSPISH.

Nga ana tjetër Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i cilësoi shoqërimet e minatorëve dhe të aktivistit të Organizatës Politike në kundërshtim me ligjin për të tubuar.

“Konkretisht, Kushtetuta e Shqipërisë, themeli i vendit që garanton lirinë e tubimeve paqësore, si dhe pjesëmarrja në to. Ligji për tubimet, Nr.8773, datë 23.4.2001. Në pikën 1 të nenit 12 të këtij ligji shkruhet qartë: “Tubimet në vende të hapura për publikun mbahen edhe pa njoftimin paraprak të policisë, sipas nenit 5 të këtij ligji.” thuhet në njoftimin e SMBB për mediat.

“Fatkeqësisht, ashtu siç kompania Albchrome nuk pyet për Kodin e Punës, edhe policia nuk njeh ligjin për tubimet”, thuhet në reagim.  SMBB thotë se protesta po bëhet në një shesh anash derës së minierës dhe nuk pengon as qarkullimin e njerëzve dhe as atë të mjeteve.

SMBB po ashtu reagoi edhe ndaj një qëndrimi të kompanisë dhe atë të FSPISH. Në reagim ajo thotë  se “Sindikata” tjetër me të cilën Albchrome ka nënshkruar kontratë, nuk përfaqëson më interesat e punëtorëve, madje nuk i ka përfaqësuar kurrë ato. Ajo ka qenë gjithmonë një zgjatim i shëmtuar i interesave të oligarkut më të pasur të Shqipërisë, Samir Manes”.

Ajo akuzoi kompaninë se po përpiqet “të mbysë sindikatën e parë të pavarur në 30 vjet”.

Ndërkohë lidhur me përplasjen në Bulqizë, Inspetoriati i Punës në Dibër bëri me dije se ka nisur përpjekjet për një takim negociues ndërmjet sindikatës dhe kompanisë, por që deri më tani nuk ka dhënë rezultat. Ndërkohë edhe pas shkarkimit të minatorit Beqir Durci, që është anëtar i Këshillit Sindikal të Sindikatës Minatorët e Bashkuar të Bulqizës, inspektoriati ka nisur hetimet.

Kompania Albchrome nga ana e saj e distancoi një ditë më parë veten nga protesta dhe ajo që e quajti përplasje mes sindikatave. “Kompania Albchrome distancohet tërësisht nga ky proces dhe siguron opinionin publik që puna në minierë vijon rregullisht dhe nuk është ndërprerë për asnjë moment”, thuhet në njoftim, ku po ashtu pretendohet se Albchrome kishte investuar 22 milion dollarë në muajin e fundit në minierë, për të përmirësuar jetëgjatësinë e saj.

Albchrome në një e-mail për BIRN pretendoi se shkarkimi i Duriçit ashtu si i Debreshit nuk kishin lidhje me sindikatën, por  ishin bërë po ashtu për shkelje të përsëritura të disiplinës në respekt të Kodit të Punës. Kompania thotë ne e-mail se Duriçi kishte bërë mungesa në punë. “Z.Duriçi i është dhënë mundësia që të arsyetojë dhe të justifikojë mungesat e tij të shumta në vendin e punës, të marra në vijim të një mase të mëparshme disiplinore, por ai nuk ka mundur të ofrojë asnjë shpjegim të arsyeshëm”, thuhet në mailin e kompanisë.