Autore: Ola Mitre| Vëzhguesit Rural
Teksa ekspertët flasin për ndikime negative në ujë dhe tokë, të dhënat e përpunuara nga “Vëzhguesit Rural” tregojnë se aktiviteti minerar për nxjerrjen e kromit në Bulqizë kryhet pa asnjë lloj monitorimi mjedisor nga ana e institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe kompanive. Ndërkohë që, transferta e rentës për bashkinë ku shfrytëzohet kjo pasuri natyrore, konsiderohet e pamjaftueshme për ndërhyrje përmirësuese në dobi të komunitetit.
Nxjerrja e mineraleve nga nëntoka shoqërohet me ndikime në mjedis dhe elementë të tij, të cilat në rast se nuk kontrollohen dhe nuk merren masa për rehabilitim, bëhen negative dhe mund të jenë të pashmangshëm”, thuhet në raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, të një prej subjekteve që shfytëzon mineralin e kromit në Bulqizë. Galeria e tij ndodhet në zonën e parë të vendburimit të kromit, ndërsa qendra e banuar vetëm 3 km larg. Por, teksa vetë subjekti rendit masat që do të ndërmarrë gjatë ushtrimit të aktivitetit minerar, me qëllim minimizimin e pasojave të ndikimit në mjedis, të dhënat e mbledhura nga dosja.al tregojnë se kompanitë kanë “dorë të lirë”, duke qenë se të gjithë institucionet përgjegjës pohojnë zyrtarisht se nuk kryejnë asnjë monitorim dhe nuk kanë asnjë të dhënë në këtë drejtim. Paralelisht, edhe subjektet shmangin detyrimin ligjor për automonitorime, duke mos realizuar matjet e shkarkimeve në ajër apo ujë.
EFEKTE NË MJEDIS
Çdokush që viziton Bulqizën nuk e ka aspak të vështirë të dallojë me sy të lirë “malet” e krijuar nga mbetjet e kromit shumë pranë shëtitores së qytetit, të rehabilituar së fundmi. “Mbetjet e dala nga kromi apo inertet hidhen në sipërfaqe pa ndonjë rregullsi të caktur”, thotë Danjel Bica, drejtues i organizatës “Ekspertët e rinj mjedisor”. “Sterilet janë të ngurta e të patretshme, duke mbuluar sipërfaqen bimore, duke çuar në degradimin e tokës dhe sipërfaqes përreth, çka shoqërohet dhe me humbje të habitatit përkates në atë zonë”, shton eksperti i mjedisit. Por, ai flet edhe për ndotje të ujit nëntokësor, pasi uji i dalë nga puset e galerive përmban grimca të ngurta. “Elementët e ndotjes që përmban uji vijnë nga lënda plasëse që është e tipit amonit si dhe nga gazrat që dalin në thellësi mbi 800 m”, shpjegon Bica. “Natyra e ujit të Bulqizës quhet agresive: ajo gërryen dhe betonin, pasi është e tipit magnezial. Por, ujërat e minierës lihen të lira dhe në mënyrë të pa kontrolluar, shkarkohen në kolektorin e qytetit, duke sjellë me vete materiale të ngurtë”, vijon ai.
Ndërkaq, projekti ”Vëzhguesi Rural”, i mbështetur nga BE, ka konstatuar se problemet mjedisore të aktivitetit të nxjerrjes dhe pasurimit të mineralit të kromit në Bulqizë janë të disa tipeve. “Ka ndikime në topografi, reliev, peizazh; rrëshqitje dhe erozion, si dhe gjenerim i mbetjeve, pluhurave, zhurmave dhe gazeve gjatë gërmimit dhe shpimeve”, thonë përfaqësues të projektit për dosja.al. “Më e rëndësishmja është që kromi 3-valent (CrIII) mund të oksidohet në krom 6-valent nga ekspozimi në ajër në miniera. CrVI është forma më e qëndrueshme, por dhe më toksike për njeriun dhe mjedisin.
Kromi 6-valent qëndron për një kohë të gjatë në ujërat sipërfaqësore, nëntokësore dhe në tokë”,shtojnë të njëjtit përfaqësues. Po ashtu, projekti i BE-së raporton probleme mjedisore edhe nga veprimtaria e prodhimit të Ferrokromit. “Ndotje e ajrit dhe pluhur, mbetje prodhimi gjatë ndarjes së ferrokromit nga elementët e tjerë dhe ujërat teknologjike. Këto të fundit potencialisht janë të kontaminuara me krom dhe metale të tjera të rënda”, thonë përfaqësuesit e projektit.
INSTITUCIONET, ASNJË MONITORIM!
Sipas ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, institucioni përgjegjës për kryerjen e shërbimeve të matjes dhe shkarkimeve në mjedis është Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Por, në një përgjigje me shkrim për dosja.al, kjo Agjenci tha se “për zonën e Bulqizës, nuk ka asnjë monitorim”. “Përderisa nuk ka monitorim, nuk ka as masa e as rekomandime. Gjithashtu, për rrjedhojë, nuk ka as tregues mjedisorë për Bulqizën”, shtohej në të njëjtën përgjigje. Mungesë monitorimesh raportohet edhe nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, që është institucioni përgjegjës për kontrollin e zbatimit të planit të rehabilitimit mjedisor, që hartohet nga kompanitë që ushtrojnë veprimtari minerare.
Ky dikaster, vuri në dispozicion të dosja.al të gjithë vlerat e garancisë financiare të paguara nga subjektet që operojnë në Bulqizë për realizimin e planit të rehabilitimit progresiv dhe përfundimtar të mjedisit, por pohoi se nuk ka asnjë informacion mbi ecurinë e këtyre planeve. “Lidhur me kërkesën Tuaj për kopje të monitorimeve të kryera nga AKBN në 5 vitet e fundit për zbatimin e planeve të rehabilitimit mjedisor nga kompanitë minerare që operojnë në Bulqizë dhe masat e marra (nëse ka) ju bëjmë me dije se, nuk e kemi këtë informacion”, tha në një përgjigje me shkrim AKBN.
Rehabilitimi progresiv i mjedisit të zonave ku ushtrohe veprimtari minerare, pra jo vetëm rehabilitimi përfundimatar që kryesisht konsisiton në mbylljen e grykave të minierave, ishte një prej pikave të forta, gjatë ndryshimeve të vitit 2014, në ligjin “Për sektorin minerar”. Ministri i asaj kohe, Damian Gjiknuri deklaroi në kuvend se “çdo vit, subjektet minerare duhet të rehabilitojnë mjedisin, sipas një projekti të detajuar e që do të vlerësohet nga strukturat përgjegjëse të ministrisë”. Ndërkohë që, një vendim qeverie i miratuar në 9 shtator 2015, ngarkon AKBN-në për verifikimin dhe kontrollin në terren të zbatimit të planit të rehabilitimit, për lejet e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit. Ky institucion pohoi se nuk ka asnjë informacion në këtë drejtim vetëm pas ankesave të depozituara nga dosja.al pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Ndërkaq, sipas Bicës “problemet kryesore mjedisore që vijnë nga aktiviteti minerar janë si pasojë e hapjeve të galerive të shumta private që nuk respektojnë lejen mjedisore ose nuk janë të licencuar fare”. I pyetur në lidhje me zbatimin e kushteve të lejeve mjedisore, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Armando Lamaj refuzoi të japë përgjigje. Lamaj nuk iu përgjigj as pyetjeve të dosja.al lidhur me kontrollet e ushtruara nga institucionit që ai drejton për lejet minerare në Bulqizë, nëse janë identifikuar subjekte që operojnë pa leje apo nëse janë marra masa ndëshkimore gjatë shkeljeve të konstatuara. Sipas legjislacionit në fuqi, Inspektorati është institucioni përgjegjës për kontrollin dhe promovimin e përputhjes me kërkesat e lejes përkatëse të mjedisit.
Po ashtu, ISHMP është përgjegjës për monitorimin e ndikimit të veprimtarive mbi mjedisin, për të përcaktuar nëse kërkohen veprime të mëtejshme, duke përfshirë shfuqizimin e lejes përkatëse të mjedisit. Ndërkaq, teksa institucionet thonë se nuk kryejnë monitorime apo fshehin informacionin që mund të disponojnë, ndonëse ai duhet të jetë publik, edhe vetë subjektet i janë shmangur detyrimit për të kryer automonitorime. Legjislacioni aktual detyron operatorët e veprimtarive që zotërojnë leje mjedisore të tipat A, B dhe C, të monitorojnë shkarkimet e veprimtarisë së tyre. ”Operatori monitoron burimet e shkarkimit të veprimtarisë së vet dhe kryen monitorime të tjera, duke përdorur pajisje dhe instrumente të miratuara, përmes procedurës për verifikimin e matjeve ”, kërkon më tej ligji, duke shtuar se rezultatet e vetëmonitorimit u jepen autoriteteve përkatëse.
Por, të dhënat e vëna në dispozicion nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për dosja.al tregojnë se një pjesë e tyre nuk kanë kryer fare monitorim të veprimtarisë , ndërkohë që edhe ato subjekte që kanë raportuar, kanë paraqitur informacion tejet të mangët, duke qenë se pjesa dërrmuese e treguesve të ndotësve në ajër apo ujë mungon. Gjithmonë, duke ju referuar të dhënave të vëna në dispozicion nga AKM, vihet re një tendencë në rënie e këtyre raportimeve, duke qenë se për vitin 2016 janë kryer 26 automonitorime, për 2017, 10 automonitorime dhe për 2018-ën vetëm 6 të tilla. Megjithatë, dosja.al ka dyshime të forta se kjo agjenci nuk ka dhënë informacion të plotë, duke “fshehur” të dhënat me tregues mbi normat e lejuara.
Përshembull, për vitin 2018, AKM rendit raportet e monitorimit për subjektet 1-3, por mungon subjekti 4, duke vijuar me subjektin 5-8, por pa përfshirë të dhënat e subjektit 7. Praktika e kapërcimit të subjekteve vihet re është për vitet 2016 dhe 2017. Sipas ekspertëve të Vëzhguesit Rural, monitorimi mjedisor nga organet kompetente në nivel local ështëi domosdoshëm. “Nevojitet të vlerësohet prania e CrVI në tokë dhe ujërat sipërfaqësore e nëntokësore. Ndërkohë që, kompanitë menaxhuese sugjerohet të bëjnë publike nivelet e konstatuara”, thonë ekspertët e projektit të BE-së. “Ndërhyrjet për përmirësim janë të shumta, por theksoj se të gjitha minierat e kromit duhet të pajisen me leje mjedisore dhe të zbatojnë kushtet e saj.Ndërsa mbetjet apo inertet e dala në sipërfaqe të mos dëmtojnë mjedisin përreth, por vetëm atë të caktuar në leje”, thotë Bica. “Po ashtu duhet t’u bëhet pritë ujërave nëntokësore”, shton ai.
PAK RENTË PËR BASHKINË
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, rezerva e kromit në minierën e Bulqizës për 2018-ën ishte rreth 4.75 mln ton, ndërkohë që numri i lejeve aktive për shfrytëzimin e tij, 126. Në total, për vitin që lamë pas, nga kjo minierë u prodhuan 436.111 ton krom, duke shënuar një rritje me rreth 50%, në krahasim me një vit më parë, ku u raportua prodhimi i 230.795 tonëve. Por, teksa prodhimi ka shënuar një rritje të fortë, shifrat zyrare të Ministrisë së Financave tregojnë se transferta e rentës minerare për bashkinë është ulur. Kjo bashki përfitoi rreth 14 mln lekë nga renta për 2018-ën, apo rreth 8 mln lekë më pak në raport me një vit më parë, kur kjo shifër arrinte në 22,6 mln lekë. “Renta minerare është një taksë, që paguhet nga bizneset që shfrytëzojnë burimet natyrore.
Një pëqindje e kësaj takse kthehet përsëri në njësitë e qeverisjes vendore ku shfrytëzohen ato burime natyrore”, thotë Anila Hajnaj, drejtuese e Qendrës Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim, njëkohësisht përfaqësuese e shoqërisë civile në grupin ndërinstitucional të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI) . “Kjo do të thotë që shteti ju kthen disa para këtyre qyeteteve, pasuria e të cilëve është shfrytëzuar sepse ne e dimë që ka shumë faktorë negativë nga shfrytëzimi i këtyre burimeve natyrore. Prandaj këto para’ duhet të shkojnë dhe të shfrytëzohen për të përmirësuar jetën e banorëve që banojnë në ato vende”, shton Hajnaj.
Kompanitë koncesionare e paguajnë në shtet rentën minerare, që përllogaritet mbi vlerën e tatueshme të të ardhurave nga aktiviteti i nxjerrjes, në bazë të ligjit “Për taksat kombëtare” nr. 9975, datë 28 korrik 2008, i ndryshuar, që përcakton se për kromin ajo është në masën 6%. Renta për eksportet mblidhet nga Administrata Doganore, ndërsa ajo për shitjet vendase nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Deri në nëntor të vitit 2014, ligji ‘Për taksat kombëtare” parashikonte që 25% e rentës minerare i transferohej çdo njësie të qeverisjes vendore, në përpjesëtim me kontributin e tyre dhe në kuadër të kushteve të ligjit të buxhetit vjetor. Por, pas disa ndryshimesh të njëpasnjëshme, në nëntor 2014, nëpërmjet amendimit të ligjit ‘Për taksat kombëtare,” qeveria vendosi që “5 për qind e të ardhurave nga renta minerare i takojnë pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria’, duke shtuar se “të ardhurat nga renta minerare përdoren për investime për njësitë e qeverisjes vendore.” Transferimi i rentës nga Ministria e Financave te bashkitë ku ushtrojnë aktivitetin kërkon një sërë procedurash burokratike, që shpesh herë e bëjnë të pamundur përfitmin nga kjo taksë.
Megjithatë, sipas një monitorimi të realizuar nga Qendra Shqiptare për Zhvillim dhe Integrim (QSHZHI) rezulton se zyra e taksave në Bashkinë e Bulqizës realizon në kohë të gjitha rakordimet e kërkuara. Zyrtarë të këtij institucioni nuk pranuan të prononcohen publikisht, por thanë se vlera që buxheti i shtetit u transferon është e vogël dhe se një vlerë më e madhe, padiksutim që do të përkthehej në investime të shtuara për qytetin. Megjithatë, edhe për bashkitë raportohen problem në drejtim të menaxhimit të këtyre parave. “Renta minerare, duke u alokuar brenda buxhetit të bashkive si pjesë e taksave vendore pa u veçuar dhe kushtëzuar, shkrihet dhe nuk mund të identifikohet se ku është investuar”,-thotë drejtuesa e qendrës, Anila Hajnaj. “Por teksa realizuam monitorimin, u nënvizua nga të gjithë, që sasia e rentës 5%, që duhet të rikthehet sipas ligjit, nuk është aspak e mjaftueshme në raport me dëmet që pëson komuniteti nga shfrytëzimi i burimeve të tyre natyrore”,-shton ajo.
Në këto kushte, ajo rekomandon rritjen e rentës nga 5%, në minimalisht 25%”. Gjithashtu, sipas saj “bashkitë duhet të përcaktojnë projektet prioritare që do të investohen me rentën e mbledhur, në bashkëpunim me komunitetin dhe shoqërinë civile”. Rritje të transfertës së rentës minerare kërkojnë edhe vetë bizneset. “Kjo do të na ndihmonte që ne të kishim marrëdhënie më të mira me komunitetin”, thotë Përparim Alikaj, kryetar i Komitetit të Mineraleve, Naftës dhe Gazit në Shoqatën e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë (FIAA). “Komuniteti na shikon ne gjithmonë si ndotës së mjedisit apo pengues, pavarësisht se ne punësojmë banorë të zonës. Normalisht këto para’ nuk do u shkojnë atyre në xhep, por do u shkojë nëpërmjet investimeve”, shton Alikaj.
Ndërkaq, “Vëzhguesi Rural thotë se nevojitet më shumë transparencë edhe në drejtim të ankesave të publikut. “Ne po advokojmë në Bulqizë për sigurinë dhe shëndetin e komunitetit nëpërmjet ndërgjegjesimit dhe monitorimit nga ana e bashkisë. Nevojitet të kryhen takime të shpeshta me komunitetin në lidhje me masat e rekomanduara të sigurisë, si dhe të shpjegohet qartë plani i përgjigjes ndaj emergjencave nga kompanitë”, përfundojnë ekspertët e projektit.