Ku po shkon Shqipëria? Ja të shohim … filxhanin

736
Foto ilustruese. Revista Monitor

EDITORIAL NGA REVISTA MONITOR 

Dy vjet më parë në një kohë vape, si kjo e këtij viti, kryeministri i erdhi vërdallë vendit, duke ju folur atyre që i rrinin rrotull, por për ta dëgjuar edhe ata që e ndiqnin nga ekranet, për dy objekte: timonin dhe tepsinë, mjaft të gjetura si simbole, për të përkufizuar atë se çfarë nënkupton me pushtetin ai vetë, por edhe jo pak shqiptarë të tjerë.

Sot, nuk ka shqiptar, por mbase edhe gjerman, që të mos e dijë se çfarë ishte për vendin kapja nga një dorë e vetme e këtyre dy objekteve kaq “të dashura”.

Ne jemi dëshmitarë se si, nga njëra anë, për shkak të një situate të paimagjinueshme të mosfunksionimit të shtetit dhe mungesës së pafalshme të gjykatave (e jo më harmonisë mes hallkave përbërëse të asaj që konsiderohet si struktura kushtetuese e shtetit), kulmi ka arritur me përplasje të hapura mes institucioneve; Parlament; qeveri; president.

Nga ana tjetër kemi një gjendje ekonomike dramatike për pjesën më të madhe të popullatës e cila, në mungesë të shpresës dhe pa një perspektivë zhvillimi brenda kufijve, po vijon të marrë rrugët e emigracionit në shifra alarmante. Ata janë të bindur plotësisht se autobusi ku kanë hipur është pa timon dhe po i drejtohet greminës, megjithëse dikush ende mban në dorë një timon. Por, është e dukshme se ky timon nuk shërben për t’i çuar drejt destinacionit të dëshiruar, por për të tjera qëllime, që synojnë për të kontrolluar krejtësisht gjë tjetër, gjithçka, çdo element apo mekanizëm që i garanton shoferit të Rilindjes mbajtjen sa më gjatë, pikërisht të atij objektit tjetër pak më anadollak: tepsisë.

Aferat e zbuluara nga mediat, brenda dhe jashtë vendit, kanë nxjerrë në dritë të diellit se eksponentë të lartë të ekzekutivit qeverisës dhe jo vetëm ata, janë përfshirë në veprimtari të gjera korruptive, në dëm të një popullate të zhytur në mjerim, duke i rënduar ata më shumë çdo ditë e duke projektuar mbi shpatullat e tyre një barrë edhe më të rëndë, e cila duhet shlyer me breza, për shkak të përfitimeve kolosale nga një grup kompanish apo individësh, të lidhur me pushtetin dhe që janë të vetmet që lejohen të ulen rreth tepsisë dhe përfitojnë prej ndarjes që u bën copave timonieri.

Qytetarëve, ndërkohë, nuk duket se ju ka mbetur shumë hapësirë. Të përjashtuar krejtësisht nga ndarja e tepsisë, të hipur në një autobus pa as më të voglën mundësi të ndikimit apo kontrollit mbi timonin, veçanërisht pas largimit të opozitës ju ka mbetur të shohin në ekranin e monitorit të autobusit ndonjë film të Kinostudios të kohës së “Nënës Parti” me komandantin legjendar, të retushuar nga Rilindja.

E në këtë rrugëtim pa busull, në stacionin e radhës së 30 Qershorit që po vjen, e që duhet të ishte për vendin një takim me historinë, oferta Rilindëse për ta në vend të një perspektive të qartë europiane është një filxhan kafeje i përmbysur, në llumin e errët të të cilit shqiptarët ftohen të zbulojnë të ardhmen “e ndritur” që i pret.