Policia ka shoqëruar 15 persona pas përplasjeve të ashpra që u regjistruan mbrëmjen e kaluar në KZAZ numër 19 në Dibër. Mësohet se shoqërimet janë bërë në orët e para të mëngjesit.
7 efektivë policie dhe 9 protestues morën lëndime pas përplasjeve të djeshme në Dibër. Policia përdori gaz lotsjellës për t’iu përgjigjur protestuesve.
Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin të gjithë ata që kanë sulmuar KZAZ-në dhe policinë, duke theksuar prerë se “Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit”.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Xhemal Gjunkshi deklaroi se Partia Demokratike distancohet nga dhuna pasi ajo sipas tij, është pjesë e skenarit të Edi Ramës dhe ministrit Sandër Lleshaj. “Gjatë protestës nuk është lënduar asnjë punonjës policie. Gjatë protestës nuk është dëmtuar asnjë objekt shtetëror dhe asnjë pronë private”, shkruan Gjunkshi.
/bulqizaime.al/