Përgjimet e BILD për zgjedhjet në Dibër, reagon Sherefedin Shehu: “Nuk e kisha kërkuar dhe pranuar këtë kandidim”

839
Sherefedin Shehu, gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet për Bashkinë Dibër 2016-të.

Ish-deputeti i PD-së, i cili ishte kandidat për Bashkinë e Dibrës në zgjedhjet e vitit 2016-të, Sherefedin Shehu, në një postim në rrjete sociale, ka reaguar në lidhje me përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”.

Shehu ka falenderuar qytetarët dibranë, të cilët, sipas tij, nuk u gjunëzuan përballë dhunës shtetërore, parasë dhe drogës.

Sipas Shehut, kandidimi i tij në vitin 2016 është bërë pa miratimin e tij nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Shehu shkruan se sot, ndjehet krenar për raportin me qytetarët dibranë dhe i lënduar nga mosmirënjohja e Lulzim Bashës.

Postim i plotë:

Falënderimi i Dytë dhe i Merituar për Bashkëqytetarët e mi Dibranë,
Të dashur Dibranë,
Tashmë u provua me zë dhe figurë se ju nuk u gjunjëzuat para parasë, drogës dhe dhunës shtetërore.

Ndonëse ne e dinim, tani e ri-dëgjuan në gjuhën shqipe dhe mbarë bota e lexoi në gjuhën gjermane dhe angleze se vota juaj u përdhos nga i pari i vendit dhe ushtria e tij me deputetë, shefa të degraduar policie, drejtues të korruptuar të administratës publike qendrore dhe vendore dhe kriminelë ordinerë. Dhe këta të pacipë guxojnë dhe thonë përsëri që vulgariteti, perversiteti dhe kërcënimet e bëra në bisedat e tyre telefonike janë biseda normale mes shokësh dhe militantësh.

Duke ju falënderuar edhe njëherë për mbështetjen tuaj dua që ta dini se unë nuk e kisha kërkuar dhe pranuar këtë kandidim, mbasi e konsideroja një kthim mbrapa në karrierën time profesionale dhe politike. Z. Basha e bëri këtë kandidim fakt të kryer duke e njoftuar në media akoma pa marrë miratimin tim dhe të grupit që kishte mbledhur për të vendosur për kandidaturën në Dibër. Por, unë e mora përsipër për hir të detyrimit ndaj jush që më nxorrët në balotazh kundër bandave të armatosura të PS-së në 1997, më votuat si asnjëherë në 2009 dhe më nxorrët fitues edhe në 2013 kur PD humbi në zonat e tjera të qarkut Dibër dhe të Shqipërisë.

Bashkë bëmë më të mirën edhe në 2016. Dhe sot ndjehem krenar për ju por i lënduar nga mosmirënjohja e z. Basha. Që nga data 12 Shtator 2016 kur u përshëndeta me të në hollin e hotelit në Peshkopi unë nuk kam mundur që ta takoj asnjëherë personalisht. Madje nuk kam marrë prej tij asnjë telefonatë apo mezazh mirënjohje, falënderimi ose keqardhje. Në vend të tyre, kur i erdhi në dorë, më përzuri politikisht nga PD duke më hequr nga pozicionet që kisha si Anëtar Kryesie dhe i Këshillit Kombëtar të PD-së.

Megjithatë unë do të vazhdoj të mbaj teserën e PD-së sepse marrëdhënia ime është ndërtuar me ju dhe jo me Kryetarin e radhës. Unë do të vazhdoj të jem pranë jush dhe të luftoj bashkë me ju që nderi dhe dinjiteti i shqiptarëve të mos shiten dhe blihen dhe në Shqipëri të bëhen zgjedhje dhe jo ndërrime prapanicash në karriken Kryeministrore.

/bulqizaime.al/