Katër mësimet e rastit “Dibra”

607

E zhveshim opinionin publik nga një e dhënë që e trazoi jo pak atë: 16 audiopërgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”. Këtë e bëjmë që, të patrazuar nga detaje të hollësishme të çështjes, si publik, si qytetarë dhe votues në Republikën e Shqipërisë, të nxjerrim mësimet politike të nevojshme nga rasti i pretenduar i shitblerjes së votave, pa na u dashur të bëhemi as prokurorë e as avokatë. Që të jemi të balancuar nga reaksioni i lexuesit partiak që në paragrafin e parë, e të mos na duhet ta ndajmë këtë të fundit nga kacafytja me shkronjat që shpien ujë te taborri i kundërshtarit politik, po e fshijmë edhe qasjen ligjore të Partisë Socialiste— që për rrethana të ditura përkon plotësisht me qëndrimin e prokurorisë: paligjshmëria e nxjerrjes së sekreteve hetimore, ndjekja penale për nxjerrësin e tyre, apo qoftë edhe vetë gazetarin.

E zhveshëm kështu kordonin e ngjarjeve nga hollësitë që lidhen ngushtësisht me 16 audiopërgjimet (sportin e parapëlqyer të folësve të PD dhe LSI) si edhe nga pretendimet e një procesi manipulativ e shantazhuesh të parapërgatitur (mburoja e parapëlqyer e PS).
Lamë kësisoj të ekspozuar vetëm faktin që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim akuzojnë bashkëgaruesen e tyre tradicionale, Partinë Socialiste, për blerje votash.

A.

Fakti që me forcë partia më e madhe e opozitës dhe ish-aleatja e saj në bashkëqeverisje pretendojnë se partia në pushtet, gjithashtu një parti tradicionale, e blen votën, na mëson, së pari, që partitë mund të kenë mbetur ato tradicionalet, por votuesi i tyre jo. Për këtë, partive u duhet që, përpos të gjitha metodave të njohura deri më tani si forma operacionale, taktike apo strategjike të fushatës, që synojnë joshjen, tërheqjen, bindjen, apo dhe detyrimin e zgjedhësit për votim a mosvotim, t’u duhet të përdorin së fundmi edhe tregtinë e votës.

B.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pretendojnë që partisë më të madhe në vend, i duhet të blejë vota për të ruajtur pushtetin. Priremi t’u besojmë. Edhe duke qenë symbyllur, siç ramë dakord, për audiopërgjimet. Ç’vjen pas kësaj?

Paçka se Partia Socialiste ka një shtresë të gjerë elektorati besnik— spikat kryesisht epërsia në brezin e tretë të votuesve, në pushtetin lokal dhe atë kombëtar, si edhe lidhjet e afërta me bizneset që sigurojnë punë sezonale, asaj, gjithsesi, sipas opozitës i duhet të paguajë 5 mijë Lekë për votë.

Ky fakt, në një logjikë ekonomike, përbën një dëshmi të pastër që Partia Socialiste, pavarësisht të gjitha resurseve të listuara më sipër, nëse tregon tensionin elektoral të pretenduar nga partitë e opozitës (të cilën e pamë të faktuar në disa prej telefonatave, por jemi zotuar t’u referohemi vetëm qëndrimeve kundërvënëse të partive), ajo vepron tipikisht si të mos ishte aktorja e vetme në treg.

Tensioni, nxitimi e si pasojë, edhe gjurmët e lëna në këtë ngut (tanimë publike) vijnë nga turravrapi në kushte konkurrence, që do të thotë se, shitësi i votës dhe blerësi i supozuar, Partia Socialiste, nuk janë aktorët e vetëm në treg.

Përndryshe, jo vetëm që çmimi do të ishte ndjeshëm më i ulët se sa ai i 1 jave pune, por palët, për të rënë në ujdi, do të mjaftoheshin vetëm me favoret që Partisë Socialiste i burojnë si pasojë e ushtrimit të pushtetit: kombëtarisht dhe lokalisht, në numrin më të madh të bashkive.

Nga këtu, dalim në mësimin e dytë: shitblerja zhvillohet në kushte tregu dhe Partia Socialiste, është vetëm njeri ndër blerësit. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste janë poaq pjesë e tij. (Ju e dëgjuat shqetësimin që në njerin prej përgjimeve bashkëbiseduesit shfaqnin për manovrën e një kryebashkiaku të djathtë njëqind e kusur kilometra larg Dibrës, por me ndikim direkt në procesin e atjeshëm zgjedhor)

C.

Së treti, për të kuptuar konkretisht që “rasti Dibra” është produkt i përbashkët mes palësh, që edhe të duan, për shkak të kulturës me të cilën janë mësuar të veprojnë politikisht, e se për shkak të shkollës së tyre të veprimit nuk dinë të bëjnë më mirë— mjafton t’ju kujtojmë që aleatët e Partisë Socialistë në zgjedhjet e Dibrës ishin Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që sot janë përkrah Partisë Demokratike dhe denoncojnë një fenomen, që siç duket, nuk është bërë as natën e as fshehtas. Një ndër emrat e përmendur nominalisht në Kuvend si strategu i rastit “Dibra”, si ish-aktor i dorës së parë në PD-në e dikurshme zonale, mori, përmes së bijës deputete të Partisë Socialiste, në një nga fjalimet e fundit të z. Berisha përpara djegies së mandateve, edhe përshëndetjet e tij të drejtpërdrejta e publike si konsideratë ndërpersonale me të. Kjo vjen si një tjetër provë që sofra dibrane i uli këmbëkryq të gjitha palët.

D.

Mësimi përmbyllës është ky: sistemi, pas rastit “Dibra” nuk ka rënë. Ai vetëm sa është bërë i dukshëm.

Si pasojë e katapultit të njerëzve pa imagjinatë e zgjuarësi në kabinën e tij të manovrës, me të ja ndodhur një aksident, që e ka bërë të dukshëm dhe e ka divulguar.

Ky sistem, gjithsesi, duhet rrëzuar. Si? Duke kuptuar që tripartitizmi (PS-PD-LS) duhet pushuar së ushqyeri.