Ndërtimi i HEC-ve në fshatin Gurë i Bardhë, banorët e Klosit në protestë

973
Banorët e fshatit Guri i Bardhë në protestë, kundër ndërtimit të HEC-eve në fshatin e tyre. Foto: Dosja.al

Dhjetëra banorë të fshatit Gurë i Bardhë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit kanë protestuar në qendër të fshatit të tyre kundër ndërtimit të Hidrocentraleve.

Banorët kundërshtojnë me forcë ndërtimin e hidrocentralit në Gurrën e Lenës, duke deklaruar se nuk do të lejojnë për asnjë çmim që burimet ujore të shfrytëzohen për energji, duke qenë se fshati Gurë i Bardhë është futur tek 100 fshatrat turistik të shpallur nga qeveria, banorët kërkojnë që të investohet në zhvillimin e turizmit dhe jo shkatërrimin total të këtij potenciali të rëndësishëm të vendlidjes së poetit të parë të shqipes, Pjetër Budit.

Në mbështetje të banorëve ishte edhe Administratori i Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, Fitim Hoxha, i cili i kërkoi qeverisë të anulojë lejen e dhënë për këtë HEC.

Banorët paralajmëruan se nëse nuk do të ketë reflektim nga qeveria, do të përshkallëzojnë protestat e tyre.