Një ditë pasi kryetarët e bashkive që drejtohen nga opozita kërkuan lirimin e ambienteve ku janë vendosur Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, Policia e Shtetit ka nisur ruajtjen e ambienteve.
Një mjet i komisariatit të Policisë Mat është dislokuar pranë pallatit të Sportit “Ferit Hysa”, raporton Mat Televizion.
Disa efektiv të policisë së rendit qëndrojnë aty që prej pasdites së premte duke mbrojtur zyrat ku janë vendosur materialet zgjedhore deri në këto momente.
Ditën e djeshme kryebashkiakët opozitarë i kanë dërguar letër Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, ku edhe i kërkojnë lirimin e hapësirave që janë shndërruar në KZAZ. Bashkitë që kanë nisur zbatimin e dekretit të presidentit Ilir Meta janë ato të Kukësit, Shkodrës, Kavajës, Skraparit, Matit, Tropojës, Gjirokastrës, Dropullit, Delvinës, Devollit, Mallakastrës dhe Përmetit.
Më 10 qershor, Presidenti Ilir Meta tha se kreu i shtetit nuk mund të lejojë një garë farse ku mungon opozita duke anuluar dekretin për zgjedhjet. Ndërsa në seancën e 13 qershorit të Kuvendit të Shqipërisë, pas gati 6 orësh debat në sallë, mazhoranca dhe opozita e re kanë miratuar me 100 vota pro, rezolutën kundër aktit të Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e dekretit “për caktimin e datës së zgjedhjeve.”