Dekreti i Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve, Bashkia Mat kërkesë për mbylljen e KZAZ-s

848
Bashkia Mat dhe shkresa drejtuar KQZ. Foto: Sami Curri, Porta Vendore.

Pas botimit në fletoren zyrtare të dekretit të Presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, Bashkia Mat, që drejtohet nga të djathtët, ka nisur punën për zbatimin e këtij vendimi.

Kreu i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani i ka dërguar një letër KQZ-së, duke i kërkuar lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ nr 16.

“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të ambienteve të Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” Burrel. Komisioni i Zonës së Administrimit të Zgjedhjeve Nr 16, të ndërpresë të gjitha veprimet për afishimin e listave të zgjedhësve në të gjitha ambientet e shkollave të cilat janë në pronësi të Bashkisë Mat.” shkruhet në shkresën e Bashkisë Mat, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjithashtu një kërkesë të ngjashme drejtuar KQZ, ka pasur edhe nga kryetari i Bashkisë Kukës dhe Skrapar për heqjen e listës së zgjedhësve të afishuar në institucionet arsimore dhe, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ambienteve të KZAZ. Një praktikë e tillë pritet të ndërmerret nga të gjitha bashkitë, ku drejtuesit janë të Partisë Demokratike dhe LSI.

Në seancën e së enjtes në Kuvend u miratua me 100 vota pro, rezoluta kundër dekretit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve, ku u bëhej thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji të marrin të gjitha masat për mbarëvajtjen dhe organizimin të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit 2019.