Autor: Ornela Manjani | Porta Vendore
Bashkia e Klosit i jep tre tenderë kompanisë së krijuar nga kryetari i kësaj bashkie, Basir Çupa, i cili pavarësisht se sot nuk e posedon më këtë kompani me dokumentacion, rezulton se ai ia ka dhuruar atë kunatit të tij një vit para se të merrte funksionin publik në shtator të vitit 2015. Porta Vendore ka zbuluar se kompania “B.F.B.-2007 sh.p.k”, në total ka fituar rreth 1 milion lekë të reja nga Bashkia e Klosit, duke ngritur dyshime të forta për konflikt interesi të kryetarit të kësaj bashkie.
Lidhjet e kompanisë me kryetarin
Sipas të dhënave pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se kompania “B.F.B.-2007 sh.p.k” është krijuar më 8 tetor 2007, me seli në Klos, pranë shkollës së mesme, nga dy ortakë, F. H. dhe Basir Çupa, aktualisht Kryetar i Bashkisë Klos, të cilët posedonin nga 50% të aksioneve secili. Në vitin 2011, ortaku F. H. i ka transferuar kuotat e tij te Basir Çupa, duke e bërë aksioner të vetëm me 100% të aksioneve. Transferimi është realizuar sipas kontratës së shitblerjes nr. 216, datë 07.02.2011, ku aksionet janë blerë me vlerën 50 mijë lekë të reja.
Në vitin 2012, aksionari i vetëm i kompanisë, Basir Çupa, konkretisht më 11 shtator 2012, lë funksionin e administratorit dhe emëron administrator Eduart Topallin, ndërkohë që me kontratën nr. 1535, datë 24 shtator 2014, Basir Çupa, sot kryetar i Bashkisë Klos, ia dhuron Eduart Topallit 100% të aksioneve të kompanisë. Deri në këtë pikë gjithçka është e rregullt ligjërisht, ku rezulton se vlera në atë kohë ishte rreth 1 milion lekë të reja.
Tre tenderët e fituar në bashki
Por, rreth një vit më vonë, Basir Çupa zgjidhet Kryetar i Bashkisë së Klosit. Për dy vite, kompania e dhuruar prej tij nuk merr pjesë në asnjë tender. Ndërkohë, në vitet 2017-2018 rezulton se kjo kompani aktivizohet në tregun e tenderëve dhe fiton, jo një, por tre tenderë nga Bashkia Klos, e cila drejtohet nga Basir Çupa.
Sipas të dhënave rezulton se tenderi i parë nga kompania “B.F.B.-2007 sh.p.k” është fituar më 03.03.2017, me objekt “blerje gazi të lëngshëm dhe me vlerë 95 760 lekë të reja. Nga një kërkim në pagesat e thesarit rezulton se fatura për këtë tender është shlyer nga Bashkia Klos më 2 shkurt 2018.
Tenderi i dytë rezulton se është fituar nga kompania “B.F.B.-2007 sh.p.k”, më 21.05.2018, me objekt “blerje e pajisjeve të zyrës për Bashkinë Klos” dhe fatura për shërbimin e kryer mban datën 18.07.2018 dhe pesë ditë më vonë Bashkia Klos ka shlyer detyrimet me vlerë 384 000 lekë të reja.
Tenderi i fundit daton në 17.09.2018 dhe ka për objekt ofrimin e materialeve dhe shërbimeve për panairin e prodhimeve tradicionale. Fatura me vlerë 540 000 që i detyrohej bashkia kompanisë është shlyer në 28.12 2018 dhe përshkrimi i veprimit është “shpenzime për të tjera materiale dhe shërbime operative”. Në total kjo kompani ka marrë nga buxheti i Bashkisë së Klosit 1,019,760 lekë.
Konflikti i interesit
Duke verifikuar se kjo kompani ka qenë pronësi e Kryetarit të Bashkisë Klos, Basir Çupa, e cila i është dhuruar shtetasit Eduart Topalli, Porta Vendore vijoi më tej verifikimin për të kuptuar lidhjen mes këtyre dy personave. Nga një verifikim i thjeshtë pranë Gjendjes Civile rezulton se Basir Çupa është i martuar me R. Çupën, e cila në vajzëri ka mbajtur mbiemrin Topalli. Po ashtu rezulton se R. Çupa është motra e Eduart Topallit, i cili tashmë është pronari i vetëm i kompanisë “B.F.B.-2007 sh.p.k”. Pra, Basir Çupa ia ka dhuruar kompaninë kunatit të tij dhe kjo kompani ka fituar tre tenderë nga Bashkia Klos, gjatë kohës që drejtohet nga Basir Çupa.
ILDKPKI nis verifikimin
Në këto kushte lindin dyshime të forta se kjo kompani është në kushtet e konfliktit të interesit. Për të provuar nëse jemi në kushtet e konfliktit të interesit, Porta Vendori kërkoi informacion te Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Ky institucion pasi administroi kërkesën, konkretisht më 18 mars 2019, deklaroi se do të bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme për rastin ne përputhje me ligjin në fuqi. Edhe pse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore dhe gazetarët e Portës Vendore kanë shkuar tre herë pranë institucionit për të marrë informacion, ILDKPKI deklaron se ende vijon verifikimi.
Kryetari i bashkisë hesht
Madje, Porta Vendore kërkoi informacion për tre tenderët e zbuluar edhe pranë Bashkisë Klos, por pavarësisht se u përsëritën disa kërkesa për informacion, kjo bashki nuk ktheu përgjigje asnjëherë. Madje, gazetarët tentuan edhe të komunikojnë në telefon me Kryetarin e Bashkisë Klos, Basir Çupa, por sërish asnjë përgjigje. Gjithashtu, Porta Vendore kërkoi informacion edhe pranë kompanisë “B.F.B.-2007 sh.p.k”, por rezulton se kontakti i vetëm i kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit vazhdon të jetë numri personal i celularit i Kryetarit të Bashkisë Klos, i cili më parë ka qenë aksioner i vetëm kësaj kompanie.
Ekspertët: Konflikt i pastër interesi
Po ç’mendojnë ekspertët në lidhje me konfliktin e interesit në këtë rast. Në një intervistë për Portën Vendore, drejtoresha ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencave, Aranita Brahaj, shprehet se kemi të bëjmë një konflikt të pastër interesit. “Për rastin në fjalë kemi një subjekt që ka një vlerë modeste të kontraktimit publik (me para publike) por ky kontraktim është vetëm me këtë autoritet kontraktues, pra me këtë bashki. Mendoj që konflikti i interesit, sidomos në çështje të tenderimit publik duhet të marrë më shumë vëmendje dhe kërkon kontroll më të rreptësishëm nga autoritetet”, thotë Brahaj. Sipas saj, rastet e konfliktit të interesit janë të sqaruara dhe të mirë parashikuara e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar. “Konflikti i interesit është një çështje fort mirë e rregulluar. Veç ligjit kontribut për të duhet të japë edhe doktrina, interpretimi dhe kontrolli institucional. Në rastin në fjalë janë dy lidhjet: marrëdhënia e tij me subjektin si ish zotërues. Interesat e ish zotëruesve në një shoqëri nuk përfundojnë me shitjen apo dhurimin e shoqërisë. Po njësoj është edhe marrëdhënia familjare”,thotë Brahaj.
Çfarë parashikon ligji
Ndërkohë, kjo kompani nuk është shpallur fituese në asnjë tender tjetër publik dhe në asnjë rast tjetër, me përjashtim të Bashkisë së Klosit. Po ashtu nuk ka kryer shërbime e më pas të jetë paguar as nga njësi të tjera të pushtetit vendor dhe as nga atij qendror. Në ligjin Nr .9367, datë 7.4.2005 për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, parashikohet se; “Konflikt i interesit” është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike. Legjislacioni shqiptar parashikon dënimin e administrativ me gjobë nga 30 mijë lekë deri në 100 mijë lekë për rastet e konfliktit të interesit, për rastet kur nuk përbën vepër penale. Tashmë, për të kuptuar qartë nëse jemi në kushtet e konfliktit të interesit mbetet vetëm vendimi i ILDKPKI, i cili prej afro dy muajsh, ende nuk ka kryer verifikimin e këtij rasti.
Rreth autorit:
Ornela Manjani është gazetare e çështjeve ekonomike në Tiranë.