Seanca ndaj kandidatit për në SPAK Shkëlzen Cena, KPK i gjen probleme në të 3 kriteret

580
Prokurori Shkëlzen Cena. Foto nga profili në Facebook
Autor: Vladimir Karaj  BIRN  Tiranë

I pari prej kandidatëve për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) që do të ngrihet në prokurori, u përball me një seancë të vështirë dëgjimore pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Shkëlzen Cena, aktualisht prokuror në Dibër, u gjet nga KPK me probleme të pasurisë, kryesisht mbi një kredi të marrë për një shtëpi, një kontratë noteriale për të cilën kishte qëndrime kontradiktore, një makinë për të cilën ishin nënshkruar dy kontrata dhe mungesë burimesh financiare për disa vite.

Cena po ashtu u gjet me probleme sa i përket disa hetimeve që kishte ndjekur, kryesisht me të akuzuar për kontrabandë. Ndaj tij po ashtu pati një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar sipas të cilit kishte dyshime se ai ishte përfshirë në korrupsion pasive dhe se kishte kontakte të papërshtatshme.

Treshja që hetoi Cenën e kryesuar nga Lulzim Hamitaj , me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Firdes Shuli dhe vëzhguesja ndërkombëtare Mia Mia Roessingh, i drejtoi atij një sërë pyetjesh kryesisht mbi kontratën noteriale në të cilën përmendej pagimi i 28 mijë eurove për një shtëpi në Tiranë dhe marrëdhënien e tij me personin B.D. të cilit më pas i kishte marrë një apartament me qira.

Cena mohoi të kishte paguar 28 mijë eurot. Ai tha se nuk i kishte pasur kurrë ato para dhe se vendosja në kontratë ishte një lapsus i noterit. Por pas disa pyetjeve ai tha se nuk ishte i sigurt nëse e kishte lexuar kur kishte firmosur që në kontratë përmendej pagesa e 28 mijë eurove në kohën kur e kishte nënshkruar kontratën.

Cena ndërkohë e cilësoi raportin e DSIK si “dezinformues dhe fyes” dhe tha se kishte përmbushur detyrën më së miri dhe pretendoi se ndryshimi i raportit nga DSIK brenda një viti ishte tendecioz dhe kishte cënuar dinjitetin e tij dhe të familjes së tij.

Shkëlzen Cena e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Kukësit. Ai është transferuar nga Kukësi në Kurbin në vitin 2012, ndërkohë që prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.

“Lëmshi” i kontratës noteriale

Megjithëse këmbëngulën deri në fund me një sërë pyetjesh të tre komisionerët dhe vëzhguesja ndërkombëtare nuk duket se u sqaruan sa i përket një kontrate të firmosur te noteri nga prokurori Shkëlzen Cena dhe një mik i tij me inicialet B.D.

Sipas relatores në kontratën për premtim shitje të vitit 2006 thuhej se Cena i kishte paguar B.D 28 mijë euro për të blerë një apartament që ky i fundit do të blinte për vete në Tiranë. Cena siç doli nga hetimi nuk e kishte blerë apartamentin, por kontrata nuk ishte revokuar. Ndërkohë rezultoi se Cena kishte jetuar për 2 vite pa qira dhe me pas me “qira minimale” sipas vëzhgueses së ONM në një shtëpi tjetër të B.D.

Komisioni, siç doli nga relatimi, duke dyshuar për kontratë fiktive dhe për deklarime të rreme, kishte mbyllur fillimisht hetimin ndaj Cenës vetëm për kriterin e pasurisë. Por pas një kërkese të prokurorit për të thirrur dëshmitarë noterin dhe mikun e tij B.D, kishte rihapur hetimet.

Pyetje e dy dëshmitarëve sipas relatores nuk e sqaroi situatën. Noteri që sipas Cenës kishte bërë lapsus duke shkruar në kontratë se jashtë zyrës së tij ishin paguar 28 mijë euro, refuzoi të pranonte gabimin. Ai i tha KPK-së që kontrata ishte nënshkruar siç kishte qenë vullneti i palëve.

Ndërkohë B.D pretendoi para trupës se kontrata ishte e rreme. Vetë Cena pretendoi disa herë se ai nuk i kishte paguar paratë dhe se nuk i kishte pasur. I pyetur nga trupa gjykuese se pse e kishte bërë kontratën ai tha se kishte qenë qëllimi i tij të blinte shtëpi, por banka i kishte dhënë kredi vetëm 1 milion lekë dhe për këtë kontrata nuk ishte realizuar.

I pyetur nga trupa nësë ai kishte bërë kontratën me qëllim që të merrte kredinë të cilën e kishte përdorur për rikonstruksion, Cena tha se nuk kishte dijeni që banka të kishte si kusht pagesën e një pjesë të shtëpisë para se të merrej kredia.

Ai refuzoi qoftë versionin se kishte bërë kontratë fiktive për të marrë kredinë për qëllim tjetër, qoftë edhe versionin se kishte paguar paratë siç ishte në kontratë.

Këmbënguljes së vëzhgueses ndërkombëtare se “rrëmuja me këtë kontratë” krijonte dyshime se Cena mund të kishte paguar paratë dhe se fakti që kishte jetuar në një shtëpi në pronësi të B.D pa qira dhe me qira të ulët, krijonte dyshime mbi këtë pasuri, Cena iu përgjigj se nuk ishte e vërtetë.

I revoltuar Cena tha se dëshira e tij për të blerë shtëpinë nuk mund të përdorej për të ngritur dyshime dhe aludime. Firdes Shuli i la në pyetjen e saj hapësirë Cenës të tregonte nëse e mbante mend në momentin e nënshkrimit shumën 28 mijë euro të shkruar në kontratë, prokurori tha se nuk ishte i sigurt. Ai këmbënguli megjithatë se nuk kishte paguar paratë dhe se kontrata nuk ishte anulluar për shkak të marrëdhënies miqësore me B.D.

Ndërkohë relacioni zbuloi se edhe ky i fundit nuk qe në gjendje të shpjegonte bindshëm pasurinë e tij. I konsideruar si person i lidhur për shkak se kishet dhënë pa qira për dy vite një shtëpi 2+1 në Tiranë për Cenën, sipas relacionit ai nuk solli prova të mjaftueshme për të justifikuar burimin e të ardhurave.

Po ashtu problem për Cenën rezultoi analiza financiare që e gjeti me mungesë burimesh në disa vite. Po ashtu analiza financiare e të ardhurave të prindërve që kishin blerë për të një shtëpi 600 mijë lekë rezultoi njëlloj me probleme. Cena i kundërshtoi këto analiza. Ai tha se nuk ishin marrë në konsideratë të ardhurat e prindërve të tij nga puna në bujqësi.

Me p[robleme po ashtu rezultoi edhe blerja e një makine. Sipas KPK kishte dy kontrata për këtë makinë me çmime të ndryshme dhe një prej kontratave noteriale ishte nënshkruar në një ditë që shitësja sipas sistemit TIMS nuk ndodhej në Shqipëri.

Profesionalizmi dhe figura

Rihapja e hetimeve dhe hetimi në të tre kriteret duket se i shtoi problemet për prokurorin kandidat për SPAK. Hetimi në kriterin profesional zbuloi se ai kishte marrë një vërejtje me paralajmërim për “largim nga puna” dhe se po ashtu në disa prej dosjeve u gjetën mangësi në hetime.

Sipas relatores dy hetime për kontrabandë, në të cilin në një rast i akuzuari ishte dënuar me gjobë dhe në një rast ishte pushuar çështja, kishin mangësi veprimesh hetimore. Për një prej rasteve relatorja Bekteshi vuri në dukje se Cena kishte thënë në konkluzionet përfundimtare se i akuzuari ishte i padënuar më parë, ndërkohë që ai kishte qenë i dënuar për të njëjtën vepër me 1 vit burg.

Cena kundërshtoi këtë gjetje duke pretenduar se e kishte marrë çështjen vetëm në seancën e fundit atë të dhënies së konkluzioneve dhe hetimet ishin kryer nga prokuror tjetër. Ai tha se në atë moment nuk kishte më mundësi për të paraqitur prova në gjykatë.

Çështja e dytë, e cila ishte pushuar, sipas relatores pa kryer të gjitha veprimet hetimore dhe duke krijuar dyshime se ishte favorizuar i akuzuari. Relatoja po ashtu tha se në këtë rast në dosje gjyqësore kishte qëndrime kontradiktore të prokurorit rreth kësaj çështje. Cena pranoi se në dosje kishte pjesë të mbetura nga konkluzione të mëparshme, por kundërshtoi dyshimin se kishte favorizuar të akuzuarin. Ndaj Cenës po ashtu kishte disa denoncime.

Raporti i DSIK nuk u lexua i plotë në seancë, relatorja vuri në dukje se ai kishte ndryshuar pas kërkesës së Komisionit për rifreskim dhe nga pozitiv ishte bërë negativ për Cenën. Relatorja tha se ai ishte deklasifikuar vetëm pjesërisht dhe sipas tij Cena ishte i papërshtatshëm, kishte kontakte me persona të përfshirë në krim dhe kishte dyshime për korrupsion pasiv sa i përket hetimit të çështjeve me të akuzuar për kontrabantë të cilat ishin mbyllur me dënime të buta si gjoba. Po ashtu sipas relatores Cena kishte takuar jo rastësisht persona që i kishte në hetim.

Cena mohoi kategorikisht akuzat. Ai tha se ndryshimi i raportit nga pozitiv në negativ ishte i dyshimtë. Ai tha se ky raport cënonte dinjitetin e tij dhe të familjes dhe ishte i pavërtetë. Ai bëri një sërë pyetjesh retorike duke lënë të kuptohej se nuk kishte takuar ansjë person të lidhur me krimin e organizuar, ai tha s enuk kishte hetuar çështje të krimit të organizuar. “Raporti është i pabazuar në asnjë indicie dhe në asnjë provë”, tha Cena.

Ai po ashtu tha se dënimi i ulët apo me gjobë i të akuzuarve për kontrabandë nuk do të thoshte se ai ishte përfshirë në korrupsion, por se kështu kishte gjykuar në rastet konkrete.

https://www.facebook.com/reporteralbania/videos/445444126030709/