Në kuadër të muajit të bekuar të Ramazanit, Fondacioni Jangulli ka shtruar iftar përgjatë gjithë muajit në qytetin e Bulqizës. Një traditë e tillë nga Fondacioni Jangulli ka hyrë në vitin e tretë, duke bërë bashkë në tryezën e iftarit banorë të shumtë të qytetit të Bulqizës.
Floranda Gurra drejtuese ekzekutive e fondacionit në një intervistë për Bulqiza Televizion, shprehet se çdo natë shtrohet iftar për afro 170 deri në 180 persona.
“Kemi pasur një rritje të besimtarëve që marrin pjesë në iftaret që ne shtrojmë. Çdo natë shtrohet iftar për 170 deri në 180 persona. Në dhjetë ditëshin e fundit të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit ne shtrojmë edhe syfyrin. Në Iftaret që janë shtruar nga Fondacioni Jangulli përpos xhematit të xhamisë në Bulqizë janë bërë pjesë edhe qytetarë të ndryshëm. Fondacioni jonë, themelin dhe qëllimin e ka për të bërë bamirësi duke përcjellë mesazhe të bashkëpunimit, tolerancës në një komunitet të vogël siç është Bulqiza dhe për këtë na vjen mirë se kemi gjetur mbështetje nga komuniteti” u shpreh Gurra.
Ajo shprehu falenderim për të gjithë besimtarët që i janë bashkuar iftareve të fondacionit dhe bashkëpunëtorëve që kanë ndihmuar në realizimin e tyre. Gurra shtoi se gjithashtu pas muajit të Ramazanit do të vazhdojnë me aktivitetet e tjera të planifikuara në shërbim të komunitetit.