Dorëheqja dhe ndryshimet janë të domosdoshme

793
Foto nga protesta e studentëve para Kuvendit të Shqipërisë në dhjetor 2018.

Pushteti në Republikën e Shqipërisë ka abuzuar me mandatin e dhënë nga qytetarët. Rritjes së varfërisë dhe pabarazisë i është përgjigjur me arrogancë e dhunë. Paaftësinë ka tentuar ta mbulojë me marketing dhe kontroll mediatik, dhe nuk jep më llogari. Kërkesave të stundentëve për arsim të lartë cilësor e falas, bazuar mbi arsimin si një e drejtë, i është përgjigjur me karikaturimin e disa pikave që nuk ndryshojnë thelbin e problemit. Aspiratës së shqiptarëve për bashkim kombëtar, i është përgjigjur me pranim planesh për copëtimin e Kosovës, pa u distancuar asnjëherë prej projektit të Aleksandër Vuçiçit dhe Hashim Thaçit, dhe me vendosjen e një kufiri të dytë: traun e taksën në rrugën e kombit. Protestave kundër kësaj takse, i është përgjigjur me parapërgatije për vendosjen e taksave të reja në akse të tjera rrugorë të vendit. Ndërsa premtimin për treg të unifikuar Shqipëri-Kosovë, e ka shkelur pa iu dridhur syri. Së fundmi, i ka dhënë shkelmën edhe parlamentarizmit, duke tentuar të krijojë një opozitë formale që e kontrollon vet.

Kriza në Shqipëri nuk është mes opozitës dhe pozitës, por është një krizë e përgjithshme ekonomike, shoqërore dhe insitucionale. Shqiptarët nuk janë të verbër. E kanë të qartë se për këtë gjendje përgjegjësi mban edhe opozita, e cila ka pranuar më herët të ndryshojë edhe sistemin elektoral për të siguruar përjetësinë e dy partive që kanë gati 30 vite që sundojnë Shqipërinë me trajtat e një sistemi neo-feudal. Prandaj është e kuptueshme pse gjatë protestave studentore, studentët i mbajtën larg partitë. Këto parti politike kanë braktisur shumë prej kauzave që kanë mbështetur, dhe nuk e gëzojnë besimin e qytetarëve. Por qytetarët e kanë bërë tashmë të qartë me pjesëmarrjen e tyre nëpër protesta se status quo-ja nuk është më e pranueshme. Kush nuk e sheh këtë kërkesë legjitime të qytetarëve, nuk është duke e ndjerë apo kuptuar momentin kritik në të cilin ndodhet vendi.

Nevojiten reforma të thella e të gjera në shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Aq substanciale duhet të jenë ato, saqë më parë se për reformim duhet të flasim për transformim të domosdoshëm. Nuk ka asnjë arsye legjitime pse sistemi elektoral në Shqipëri mos të jetë proporcional kombëtar, me lista të hapura, siç është edhe në Kosovë. Në këtë mënyrë qytetarët do të mund t’i zgjidhnin vetë kandidatët brenda listave, si kundërpeshë edhe e mungesës së demokracisë së brendshme në subjektet politike në Shqipëri, ku i pari i Partisë vendos thuajse gjithçka. Modeli ekonomik, duhet orientuar drejt prodhimit, duke mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe duke ringritur sindikata që angazhohen pa kompromis për këto të drejta. Shqipëria ka nevojë të madhe për një qeverisje të bazuar mbi parimet e demokracisë dhe llogaridhënies, duke luftuar pabarazitë ekstreme që janë krijuar. Shumë pushtetarë, më parë sesa të heqin dorë nga posti zyrtar duhet të heqin këmbën nga qafa e popullit. Kjo nuk është demokraci dhe as Republikë. Shteti shqiptar po i nëpërkëmb nënshtetasit e vet e po i zhgënjen shqiptarët jashtë atdheut.

Duhet thënë se Partia Socialiste nuk është në pushtet, pasi vendi drejtohet nga një klikë politikanësh e tajkunësh që numërohen në gishta të dorës. Kjo linjë shkon në drejtimin e kundërt me zhvillimet në partitë socialdemokrate në Evropë. Mjafton të japim shembullin e Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka hequr dorë nga slogane si “përtej të majtës e të djathtës”, që përsëritnin udhëheqësit e saj të mëhershëm, dhe tashmë është rikthyer te socialdemokracia përmes luftës kundër pabarazisë për shumicën, dhe jo për privilegje për pakicën. Me programin politik të ngritur mbi drejtësinë sociale, ajo ka rritur dukshëm edhe përkrahjen nga qytetarët.

Në shtetet e BE-së, dorëheqja është dhënë për shumë më pak nga çka bërë pushteti në Shqipëri. Në Austri, Kryeministri Sebastian Kurz, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministrja Theresa May, dhanë të dy dorëheqjen së fundmi. I pari për shkak të një skandali korrupsioni të partnerit të tij të koalicionit, e dyta, për shkak se nuk arriti të finalizonte projektin që mbështeste. Të dy këta politikanë kishin fituar votat e shumicës për ta qeverisur vendin, por nuk u fshehën mbrapa numrave për paaftësitë e tyre. Ata morën përgjegjësi politike e morale duke kryer një akt emancipues si dorëheqja.

E kundërta ndodh në vendin tonë, ku përdoren nga pushtetarët epitete si “egërsira” ndaj qytetarëve, ashtu siç janë etiketuar shqiptarët nga pushtuesit, me pretekstin e “civilizimit” përmes dhunës. Madje, për të ruajtur pushtetin dhe për t’i përçarë qytetarët, kanë tentuar të rrisin diskriminimin e shqiptarëve në bazë të prejardhjes gjeografike, duke treguar një mendësi qeverisëse krejtësisht pronvicialiste dhe klanore në drejtimin e vendit.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Shqiptarët meritojnë udhëheqje dhe programe përparimtare ekonomike dhe politike. Le të nisë ndryshimi me një akt emancipues si dorëheqja.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri