Tubat e çarë të ujësjellësit; Në Bulqizë shkon në 130 numri i të intoksikuarve

758
Bulqiza, Lagjia e Vjetër dhe Miniera e Bulqizës. Foto: Mahir Jangulli

Në spitalin e Bulqizës janë paraqitur edhe 15 qytetare të tjerë për të kërkuar ndihmë nga helmimi. Numri i banorëve që janë paraqitur me shenja intoksimi siç dyshohet deri tani nga uji i pijshëm shkon në 130.

Ata banojnë në lagjen e vjetër në Bulqizë, e cila furnizohet me ujë të pijshëm nga tubacionet që kalojnë nëpër galeritë e minierave të zonës D.

Në redaksinë e Top Channel janë dërguar disa video ku shfaqen tubacionet e çara, edhe pse prej ditësh si drejtoria e ujësjellësit të qytetit ashtu dhe bashkia thonë se nuk kanë njoftim për probleme.

Top Channel kërkoi të kontaktonte me drejtorinë e ujësjellësit dhe bashkinë për të pyetur mbi problemet që duken në video, por askush nuk pranoi të japë informacione.

Vetëm pak ditë më parë i intervistuar nga Top Channel, drejtori i ujësjellësit në Bulqizë deklaronte:

“Ne kemi ngritur grupet e inspektimit dhe grupet e punës. Nga ana ujësjellësit Bulqizës është verifikuar që linjat tona nuk kanë asnjë problem dhe asnjë ndërhyrje në rrjet. Po ashtu ka vijuar klorifikimi sipas grafikut”, tha më 6 maj 2019, Nedion Muça.

Banorët e dy lagjeve në Bulqizë vazhdojnë të blejnë ujë për të pirë ose të shkojnë shumë larg për ta mbushur në pamundësi ekonomike për ta blerë në dyqane.

BURIMI: Top Channel