Projekti C.U.R.E nga SHBA do të sjellë 500 mijë dollarë pajisje për Spitalin e Bulqizës

2169
Spitali i Bulqizës. Foto: bulqizaime.al

Projekti C.U.R.E, një organizatë bamirëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të dhurojë për Spitalin e Bulqizës, një konteiner me mbi 500 mijë dollarë ndihma në pajisje spitalore.

Projekti C.U.R.E shpërndan pajisje mjekësore kudo, pasi mbledh dhurime të vogla nga qytetarët deri 1 dollar e më shumë.

Për sjelljen e kontenierit me ndihma në Bulqizë dhe pagesat doganore, kërkohet një shumë e konsiderueshme parash. Për këtë “Vëllezërit Keta” me fondacionin në ndihmë të fëmijëve “Keta4kids” do të nisin një fushatë për mbledhje fondesh. Mjeku gjerman Carsten Buse von, Vëllezërit Keta dhe boksieri Mikel Alliu, do të marrin pjesë në maratonën e vrapimit prej 100 km, që do të mbahet në Gjermani për të mbledhur sa më shumë para për Spitalin e Bulqizës. Çdo qytetar mund ti bashkohet kësaj nisme, duke dhuruar në llogarinë online hapur nga Fondacioni “Keta4kids”.

Projekti C.U.R.E, pak muaj më parë dhuroi 400 mijë dollarë ndihma në pajisje spitalore për Spitalin e Kavajës, kjo nën kujdesin e Ina Farka dhe Vëllezërve Keta.

Në foto: Ismail, Gjetan dhe Ferit Keta

Ismail Keta: Të jetosh duke u ndier mirë dhe i pastër para Zotit dhe njerëzve që të rrethojnë, është pasuria më e madhe

Ashtu siç është jeta, edhe unë kam prekur gati çdo gjë të hidhur, të këndëshme dhe krenar edhe pse jam vetëm 42 vjeç. Ajo që më ka ngelur në zemër, janë fëmijët! Kur je edhe vetë prind, e kupton qartë që ata janë e vetmja qenie e pafajshme, kudo që ata jetojnë, pavarsisht kujt kombi i përkasin apo çfarë ngjyre kanë.

Me përkrahjen e përzemërt të disa miqve mjekë gjermanë, siç ishte i pari, Dr Carsten Buse i cili më dha idenë dhe nxiti për të hapur një fondacion bamirësie, ku unë vendosa që të shërbejë vetëm për fëmijë, pasi i rrituri që ka mësuar të eci, është vështirë t’ja ndryshosh drejtimin. Themeluam fondacionin “KETA 4KIDS” me qëllimin kryesor  “Shqiptaria”.

Në foto: Mjeku gjerman Carsten Buse von

Unë i mbështetur nga vëllezërit e mi Gjetani, Feriti, Ajeti dhe bashkëshortja Bruna, pas ndihmës financiare që Spitali i Kavajës mori para pak muajsh nga projekti C.U.R.E një shumë prej 400 mijë dollarë me mjete mjekësore, si dhe mbështetur nga shqiptarja Ina Farka, të cilën e falenderoj që e mbajti fjalën, që pas Spitalit të Kavajës, projekti C.U.R.E të ndihmonte me pajisje mjekësore edhe Spitalin e Bulqizës dhe Peshkopisë.

Ky moment tani po bëhet realitet.

Për këtë ndihmë, përveç projektit C.U.R.E dhe znj. Ina Farka, nuk mund të rri pa përmendur me respektin maksimal që meriton, miku gjerman, Dr.Carsten Buse i cili vendosi që në datën 11 maj 2019 të marr pjesë në maratonën prej 100 km, për të mbledhur sa më shumë para për Spitalin e Bulqizës për dërgimin e pajisjeve mjekësore. Ky spital ka përballuar një numër shumë të madh personash nga helmimi prej ujit të pijshëm.

Sigurisht që edhe unë direkt pas ndeshjes për titullin Europian të nxënëses time Cheyenne Hanson dhe Mikel Alliu do ti bashkohemi kësaj maratone bamirësie së bashku me mikun e lartë, Dr Carsten Buse, për të treguar ashtu siç është fakti “Ti nuk mund të ndihmosh nëse nuk jep diçka nga djersa e trupi yt”!

Unë nuk jam i pasur miq, por kur përpiqesh me zemër për të bërë mirë, ndihesh i pasur, mirësia dhe bamirësia, arrihet pasi Shqipëria dhe bota ka plot njerëz të mirë si miqtë, doktorët gjermanë në stafin e Fondacionit “Keta4kids” për të bërë diçka të mirë!

Bashkohu edhe ti, duke u bërë pjesë e bamirësisë. Nuk ka rëndësi shuma e rëndësishme është përpjekja, të nisurit për mirë, pasi çdo gjë mund të ndodh. Të jetosh duke u ndier mirë dhe i pastër para Zotit dhe njerëzve që të rrethojnë, është pasuria më e madhe.