Çupi: Të nisin hetimet nga prokuroria për helmimin e banorëve në Bulqizë

560
Në foto: Dhurata Çupi

Ish – deputetja e Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Dhurata Çupi ka kërkuar nisjen e hetimeve për helmimin e banorëve në Bulqizë, pasi rrezikohet jeta e qytetarëve dhe përgjegjësit e vërtetë duhet të vihen para drejtësisë. Çupi akuzoi autoritetet shtetërore se lidhur me situatën e krijuar në Bulqizë, po mundohen të shmangen nga përgjegjësia.

Postimi i plotë:

Situata shëndetësore e banorëve të Bulqizës vijon të përkeqësohet dhe numri i të prekurve nga helmimi vjen në rritje. Autoritetet përgjegjëse po mundohen kujt t’ia lënë përgjegjësinë në derë për këtë ngjarje të rëndë.

Banorët e Bulqizës prej tre ditësh po përballen me një situatë të pazakontë duke shkuar drejt 100 numri i të prekurve nga helmimi.
Mjekët thonë se kjo po ndodh për shkak të cilësisë së ujit të pijshëm, ndërkohë që ujësjellësi pret përgjigje analizash. Nga ana tjetër qytetarët kanë tejmbushur spitalin, duke shfaqur shenja helmimi.

Banorët e Bulqizës nuk mund të presin lojën kukafshehti të autoriteteve por duhet të informohen e t’u thuhet se çfarë po ndodh me ta dhe nga ju rrezikohet shëndeti i tyre.
I bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese, prokurorisë, të nisin sa më parë hetimin për këtë ngjarje që po rrezikon shëndetin e dhjetra banorëve. Përgjegjësit e kësaj ngjarje duhet të vihen përpara drejtësisë.
Uroj shërim të shpejtë banorëve dhe shpresoj që ky masivizim i helmimit të popullatës të ndalet.