Vijon të rritet numri i të helmuarve që kanë përfunduar në Spitalin e Bulqizës. Burime bëjnë me dije se deri në orën 19:00 mbi 93 persona kanë marrë ndihmë mjekësore. Kjo situatë ka filluar që prej ditës së premte në mbrëmje.
Burime për Fax News pranë Institutit të Shëndetit Publik, bëjnë me dije se “Qyteti i Vjetër” i Bulqizës furnizohet me ujë nga zona mineral-mbajtëse D, dyshohet që gjatë shpërthimeve që bëhen në galeri me lëndë plasëse tritol, krijohen gazra apo lëndë tjera çliruar gjatë shpërthimit dhe mund të jenë përzier me ujin që furnizon qytetin e Bulqizës. Për këtë janë marrë analizat nga punonjësit e Shëndetit Publik dhe janë dërguar në laboratorin e Tiranës.
Sot punonjësit e Shëndetit Publik kanë shpërndarë fletëpalosje në qytetin e Bulqizës, për të lajmëruar banorët, për mos përdorimin e ujit të çezmës. Për një situatë të tillë kërkohet që nga Bashkia Bulqizë të merren masa për furnizimin me bote të të gjitha familjeve me ujë. Bulqiza ime ka mësuar se Ujësjellësi i Bulqizës, nuk disponon bote për furnizimin e banorëve me ujë, në rastet kur konstatohen probleme me furnizimin me ujë apo raste emergjente si ky i ditëve të fundit.