Zgjedhjet në Dibër të Madhe, Hekuran Duka shpallet fitues

690
Në foto: Hekuran Duka

Hekuran Duka është kryetari i ri i Dibrës së Madhe. Duka në zgjedhjet fitoi me mbi 400 vota më shumë, përkundër kundër kandidatit të tij Arben Agolli, nga Aleanca për Shqiptarët.

Duka shprehu falenderim për besimin e dhënë dhe premtoi se do të jetë kryetar komune për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo partiake, ashtu siç ka vepruar pa bërë dallim edhe në ofrimin e shërbimeve të tij mjekësore.

“Zyra ime do të jetë e hapur për secilin, pavarësisht se a ka votuar apo jo për mua. Ne jemi të gjithë nga Dibra dhe të gjithë i duam të mirën qytetit dhe komunës sonë. Premtoj se maksimalisht do të angazhohem që të realizoj të gjitha premtimet, me qëllim që të ulet emigrimi i të rinjve dhe ta shndërrojmë Dibrën në një qytet evropian. Ju falënderoj të gjithëve me gjithë zemër”, tha Duka.

Hekuran Duka ka lindur më 1963 në Dibër, është i martuar, babai i tre fëmijëve. Shkollën e mesme e ka përfunduar në qytetin e lindjes, ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku ka përfunduar specializimin për urologji. Është punësuar në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër nga vitit 1994.

Në zgjedhjet e fundit lokale, në vitin 2017, ishte pjesë e listës së kandidatëve të BDI-së dhe ishte zgjedhur këshilltar i Këshillit të Komunës. Duka ka qenë ushtrues i detyrës së kryetarit të komunës së Dibrës, për shkak të vdekjes së Ruzhdi Latës, i cili pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë në fund të nëntorit të vitit të kaluar.