Bashkitë bëjnë hapa pas në nivelin e transparencës proaktive

605

Autor: Besar Likmeta  BIRN

Një raport vlerësimi mbi transparencën proaktive në terren dhe online për 61 bashkitë e vendit tregon që pushteti vendor bëri hapa pas gjatë dy viteve të fundit, duke kufizuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe llogaridhënien e të zgjedhurve vendorë.

Transparenca proaktive e institucioneve dhe informacioni i vënë në dispozicion pa kërkesë nga organet e qeverisjes vendore janë jo vetëm praktika të mira në një shoqëri demokratike, por gjithashtu detyrime të kuadrit rregullator, që ka për qëllim hapjen e institucioneve ndaj qytetarëve dhe rritjen e llogaridhënies së të zgjedhurve vendorë.

Megjithatë, ndërkohë që mes debateve politike dhe protestave të opozitës vendi po përgatitet të shkojë në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore në 30 qershor, një raport krahasues vlerësimi i përgatitur nga BIRN Albania, konstaton se niveli i transparencës së 61 bashkive në Shqipëri ka shënuar përkeqësim gjatë dy viteve të fundit, qoftë në terren apo edhe në faqet e tyre të internetit. [kliko këtu për studimin]

“Niveli mesatar i transparencës [në terren] për 61 bashkitë e vendit në vitin 2019 është vetëm 41%, [ose] 5%  më poshtë se niveli i transparencës së monitoruar në vitin 2017,” thuhet në raport.

Edhe pse gjatë monitorimit online rezultoi se numri i bashkive që kanë një faqe zyrtare interneti është rritur nga 40 në 61 – duke përfshirë të gjithë njësitë e qeverisjes vendore në vend, transparenca mesatare e faqeve të monitoruara në vitin 2019 ka shënuar një rënie në krahasim me dy vjet më parë.

“Në vitin 2019 [transparenca online] është vetëm 31%, duke shfaqur një përkeqësim në nivel kombëtar krahasuar me nivelin mesatar të transparencës së monitoruar gjatë vitit 2017,” shton raporti.

Ky është raporti i tretë kombëtar për vlerësimin e transparencës proaktive, i publikuar nga BIRN Albania,  lidhur me kategoritë e informacionit që njësitë e pushtetit vendor bëjnë publike pranë ambienteve të tyre dhe në faqet e internetit pa kërkesë.

Ngjashëm me raportet e mëparshme të vlerësimit – të realizuara në vitet 2016 dhe 2017, raporti i titulluar “Pushteti vendor nën lenten e të drejtës për informim,” ka si qëllim nxitjen e vullnetit dhe gatishmërinë e institucioneve të pushtetit vendor për të rritur nivelin e transparencës, si mjete për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe kthimin e besimit të qytetarëve.

Transparenca në terren

Transparenca proaktive është një instrument që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mirëqeverisjen e institucioneve vendore, duke ndihmuar në rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet si dhe angazhimin e tyre në procesin politikëbërës.

Duke pasur parasysh rëndësinë që transparenca proaktive ka për bashkitë, në shtator 2018 Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personave, miratoi një program të veçantë transparence për njësitë e qeverisjes vendore.

Ky program, në dallim nga programi i mëparshëm i transparencës, është i organizuar në 7 fusha kryesore, duke iu përshtatur dhe metodologjisë së hartuar dhe ndjekur nga BIRN Albania gjatë monitorimeve të mëparshme të kryera në vitin 2016 dhe 2017.

Bazuar në këtë program transaprence, informacioni që duhet të publikohet nga ana e bashkive duhet të marrë në konsideratë të gjithë bazën ligjore që rregullon pushtetin vendor, si p.sh. ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjit nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, ligjit nr.68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore” dhe të ligjit nr.8548, datë 11.11.1999 “Për ratifikimin e kartës evropiane të autonomisë vendore”.

Me qëllim matjen e nivelit të transparencës nga organet e qeverisjes vendore, BIRN ndërmori një monitorim të ri kombëtar të transparencës në terren dhe online gjatë periudhës shkurt-mars 2019, me ndihmën e 13 gazetarëve lokalë.

Monitorimi u krye paralelisht në terren dhe në internet i bazuar në 55 indikatorë, për të krijuar një njësi matëse mbi nivelin e transparencës dhe njëkohësisht për të identifikuar ato pjesë të ligjeve që vijojnë të mos respektohen, me synimin final që bashkitë të detyrohen t’i zbatojnë këto ligje të rëndësishme për demokracinë.

Në mënyrë që informacioni dhe rezultatet e këtij monitorimi të jenë sa më lehtë të kuptueshme dhe të krahasueshme mes bashkive, indikatorët e identifikuar të nivelit të përgjithshëm të transparencës janë ndarë në shtatë kategori kryesore: E drejta e informimit; Organizimi i brendshëm; Legjislacioni; Këshilli Bashkiak; Transparenca Financiare; Konsultimi Publik dhe Informacione të tjera.

Gjetjet e monitorimit në terren lidhur me nivelin e transparencës së bashkive gjatë vitit 2019 tregojnë se shumica e bashkive të vendit kanë dështuar në përmbushjen e të paktën gjysmës së 55 indikatorëve të vrojtuar, duke shënuar dhe një përkeqësim të lehtë të situatës në nivel kombëtar krahasuar me raportin e mëparshëm të vitit 2017.

Ndërsa në vitin 2017, transparenca mesatare e vrojtuar për 55 indikatorët në terren ishte 46 %, në vitin 2019 ky nivel transparence ka zbritur në 41 %.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se në nivel njësie të qeverisjes vendore, përmbushja e kërkesave të kuadrit ligjor për transparencën proaktive nuk diktohet nga madhësia e bashkisë në terma popullsie dhe fondesh, ose nga vendndodhja e tyre gjeografike.

Gjithashtu, pavarësisht se vlerësimi mesatar i transparencës në tërësi dhe nënkategorive të saj është përkeqësuar lehtë në nivel kombëtar, ky trend nuk reflektohet në mënyrë uniforme nga secila bashki.

“Ashtu siç tregojnë dhe rezultatet … 14 bashki nga 61 gjithsej kanë pasur një përmirësim të ndjeshëm të nivelit të transparencës (5% ose më shumë), ndërsa 33 bashki të tjera kanë pasur përkeqësim të ndjeshëm në këtë drejtim,” sugjeron raporti.

“Pavarësisht luhatjeve në nivelin e përgjithshëm të transparencës, është e rëndësishme të theksohet se në të gjitha bashkitë vërehen ndryshime në rezultatet e arritura në kategoritë e ndryshme të vlerësuara,” shton raporti.

Njësia e qeverisjes vendore me nivelin më të lartë të transparencës në terren në vitin 2019 është bashkia e Vaut të Dejës, e cila ka përmbushur 75 % të 55  indikatorëve të monitoruar,  duke regjistruar një përmirësim prej 6 % në krahasim me vitin 2017.  Vau i Dejës ndiqet në renditjen e bashkive më transparente nga bashkia Shkodër me 69 % të indikatorëve të përmbushur, Puka me 63 % dhe Malësia e Madhe me 61 %.

Njësia e qeverisjes vendore me nivelin më të ulët të transparencës në terren në vitin 2019 është bashkia e Bulqizës, e cila ka përmbushur vetëm 17 % të 55 indikatorëve, duke shënuar një rënie me 17 % të nivelit të transparencës në krahasim me vitin 2017.  Listën e tre bashkive më pak transparente në vend e plotësojnë Fushë Arrëzi dhe Poliçani me respektivisht 24 % dhe 25 % të indikatorëve të transparencës së përmbushur.

Edhe pse e renditur e 44-ta nga 61 bashkitë për nivel transparencës – pasi ka përmbushur vetëm 36 % të indikatorëve, bashkia e Selenicës ka shënuar përmirësimin më të madh në përqindje nga viti 2017, me 23 % më shumë indikatorë të përmbushur. Ndërkohë, përkeqësimi më i lartë për sa i përket transparencës në terren është shënuar nga bashkia e Poliçanit me 25 % indikatorë më pak të përmbushur se 2 vjet më parë.

Transparenca online

Përveç monitorimit të transparencës në terren të 61 njësive të qeverisjes vendore në periudhën shkurt-mars 2018, me ndihmën e 13 gazetarëve, BIRN monitoroi në të njëjtën kohë edhe faqet e internetit të këtyre institucioneve.

Ndryshe nga 2 vjet më parë, ku vetëm dy të tretat e bashkive kishin një faqe interneti,  në vitin 2019 të gjitha bashkitë zotërojnë një faqe zyrtare në rrjet.  Si rrjedhojë, nga ana metodologjike, edhe pse monitorimi i indikatorëve të transparencës u realizua dhe gjatë fazave të mëparshme të monitorimit (2016 dhe 2017), gjetjet mbi nivelin e transparencës së bashkive online gjatë vitit 2019 nuk mund të krahasohen me ato të mëparshme për shkak të ndryshimit të madh në numrin e faqeve të monitoruara në secilën periudhë.

Të dhënat e mbledhura nga faqet e internetit në vitin 2019, tregojnë se niveli mesatar i transparencës për të 61 bashkitë e vendit është vetëm 31%, duke shfaqur një përkeqësim në nivel kombëtar krahasuar me nivelin mesatar të transparencës së monitoruar gjatë vitit 2017 në 40 bashki prej 41 %.

Gjithashtu, pavarësisht se më të pakta në numër se në raportet e mëparshme, edhe gjatë këtij monitorimi janë identifikuar bashki të cilat pavarësisht se zotërojnë një faqe interneti, nuk i kanë ato nën administrim; kryesisht për shkak të konflikteve partiake mes administratave të ndryshme.

“Gjetjet e monitorimit tregojnë se bashkitë janë më transparente lidhur me dokumentacionet dhe informacionin e publikuar online lidhur me kategorinë “Kuadri Rregullator” dhe “E drejta e Informimit”, ndërsa kategoritë të cilat janë ndjeshëm më pak transparente në nivel kombëtar janë “Transparenca Financiare” dhe “Konsultimi Publik” ,” nënvizon raporti.

“Pavarësisht vlerësimeve mesatare të arritura në nivel vendi, rezultatet e detajuara për secilën bashki paraqesin një situatë shumë më diverse, duke shfaqur luhatje të mëdha në nivelin e transparencës mes bashkive të ndryshme,” shton ai.

Sipas monitorimit online, bashkia Shkodër – me 69 % të indikatorëve të përmbushur, e ndjekur nga bashkia Korçë dhe bashkia Skrapar, janë tre njësitë e qeverisjes vendore me nivelin më të lartë të transparencës proaktive në rrjet.

Ndërkohë, lista e zezë e tre bashkive me transparencën me të ulët në rrjet udhëhiqet nga bashkia Mat – me vetëm 9% të indikatorëve të përmbushur, e ndjekur nga bashkia Memaliaj dhe bashkia Klos.