Thesarkërkuesit dëmtojnë zonën arkeologjike në Bulqizë

637
Foto nga kërkimet ilegale për thesar në Valikardhë të Bulqizës.

Autor: Sami Curri  BIRN

Banorët e Valikardhës në Bulqizë denoncuan disa ditë më parë gërmime me eskavatorë mbi një shesh nën të cilin besohet se ndodhen rrënojat e qytetit mesjetar të Geties. Disa gropa të thella janë hapur mbi një kodrinë shkëmbore, ngjitur me atë që quhet “Ura e qytetit”, në afërsi të rrugës nacionale Tiranë – Peshkopi.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër bëri me dije se kishte konstatuar hapjen e gropave në fshatin Valikardhë, por ende nuk kishte autorë të dyshuar dhe as motive. “Nga kqyerja e vendit ku janë të hapura këto gropa, nuk janë konstatuar makineri apo mjete të rënda eskavator. Nga ana e oficerëve të policisë do të merren dëshmitë e banorëve si dhe do të  vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti.”, shkruhet në përgjigjen e policisë për BIRN.

Agron Allushi, kryeplak i fshatit Valikardhë të Njësisë Administrative Zerqan, i tha BIRN se i kishte parë gropat e hapura dhe sipas tij, gërmime të tilla janë bërë për “gjetjen e florinjve”. Ai tha se nuk ishte ankuar pasi tokat ku janë bërë gërmimet ishin me pronarë. “Përsa kohë këta të fundit, nuk janë ankuar në drejtim të kryeplakut se i kanë dëmtuar tokën apo edhe banorë të tjerë që e ngrenë si shqetësim, unë nuk kam si i drejtohem strukturave të Policisë së Shtetit për t’i lajmëruar për një gjë të tillë.”, u shpreh Allushi për BIRN.

Banorë të ndryshëm i konfirmuan BIRN se gërmimet ishin kryer nga thesarkërkues. Ata kërkuan të mos identifikoheshin, për shkak të frikës së konfliktit me gërmuesit.

Zona ku është gërmuar besohet se është e pasur me rrënoja arkeologjike. Prof. dr. Adem Bunguri nga Instituti i Arkeologjisë, thotë se zona ku janë kryer gërmimet ilegale është e rëndësishme për arkeologjinë. Bunguri i tha BIRN se aty dokumentohen ndërtime të shekullit të V-VI dhe mure tëperiudhës së Justinianit.

“Ka edhe gjurmë të rrethimit të antikitetit të vonë, rrënoja që datojnë në këtë periudhë. Gjithashtu ka edhe një fazë mesjetare, periudhës së Skëndërbeut. Ka gjurmë edhe të kishave”, u shpreh Bunguri për BIRN.

Agron Allushi, kryeplak i fshatit Valikardhë i tha BIRN se është hera e parë që janë bërë gërmime të kësaj forme në zonë. “Ne e dimë që këtu ka rrënoja arkeologjike, por për herë të parë ka pasur gërmime të kësaj forme dhe kaq të thella”, deklaroi për BIRN Allushi.

Për arkeologun Bunguri, dëmtimi i një zone të tillë është shkatërrimi i historisë dhe arkeologjisë.

BIRN mësoi se në zonën e njohur ndryshe edhe si qyteti i Geties ka pasur edhe më parë gërmime pirate arkeologjike, të hapura me mjete rrethanore. Arkeologët kanë ngritur shpesh alarmin se është rritur ndjeshëm gërmimi pirat, në gjithë zonat arkeologjike nga Veriu në Jug.