Fondacioni “Jangulli” ka organizuar kampionatin e shahut për fëmijët në qytetin e Bulqizës. Ky kampionat vjen në kuadër të programit sportiv të këtij fondacioni, për të promovuar aftësitë e tyre në sporte të ndryshme. Fituesit e këtij kampionati u shpallën Klevis Datja, Valentino Tollja dhe Amri Çekiçi.
Floranda Gurra, drejtuese e Fondacionit “Jangulli”, u shpreh për bulqizaime.al se zhvillimi i kampionatit të shahut për fëmijë dhe jo vetëm, do të bëhet përpjekje për t’u kthyer në traditë nga fondacioni.
“Veç pasionit kjo lojë kërkon edhe shumë përkushtim pasi gjithçka ka të bëjë më përqëndrimin dhe studimin e saj në mënyrë që të paraprish kundërshtarin. Përmes organizimit të këtij kamiponati nxënësit kanë mundësinë të vlerësohen për aftësite e tyre dhe pse jo ta çojnë më tej këtë sport edhe në mënyrë profesionale. Falenderojmë shumë prindërit e nxënësve që morën rolin e vlersuesit në këtë kampionat të parë. Shpresojmë shumë që në javët në vijim të zhvillohet kampionati i shahut edhe për të rritur.”, deklaroi Gurra.
Shahu është konsideruar si shkenca e mendjes apo loja e strategjisë dhe planifikimit. Në historinë botërore, gara për të mbizotëruar lojën e shahut ka qenë mjaft e fortë dhe daton që në shekullin e XIX.
/bulqizaime.al/