Autor: Hysen Likdisha | BIRN
Katër zyrtarë lokalë në Trebisht, Bulqizë u gjetën fajtorë nga gjykata pasi lëshuan vërtetime false për të ndihmuar banorët të shlyenin me këste më të vogla pagesat ndaj OSHEE.
Gjykata e Dibrës dënoi me nga 16 muaj shërbim prove administratorin e Njësisë Administrative Trebisht të bashkisë Bulqizë dhe 2 zyrtarë të tjerë të kësaj njësie. Një nëpunës i katërt u dënua me 8 muaj shërbim prove.
Avokatja Merita Velia pretendoi pafajësi për të katër të akuzuarit dhe tha se do të apelonte vendimin.
Vendimi i gjykatës ndaj Fitim Ballës, Administrator i Njësisë Administrative Trebisht të bashkisë Bulqizë dhe 3 punonjësve të kësaj njësie, Rasim Sinanaj, Vebi Cenaj dhe Edmond Osmani u dha në muajin Mars.
Prokuroria, që kishte ngritur akuza ndaj tyre një vit më parë, kishte kërkuar shpalljen fajtorë të të katër të akuzuarve dhe dënimin e tyre me burg për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Gjykata ka pranuar këtë kërkesë të prokurorisë dhe ka dënuar me 8 muaj burg administratorin dhe dy nga zyrtarët, dënim që e ka konvertuar me 16 muaj shërbim prove. Edmond Osmani është dënuar me 6 muaj burg që i është konvertuar në 8 muaj shërbim prove.
Prokuroria pretendoi se të akuzuarit, në cilësinë e punonjësve të njësisë administrative, kishin marrë dhe lëshuar vërtetime për kryefamiliarë të kësaj njësie, sikur ata të ishin pjesë e skemës së trajtimit me ndihmë ekonomike.
Sipas prokurorisë përfituesit e këtyre vërtetimeve merrnin lehtësi në këstet që duhej të paguanin për detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë elektrike ndaj OSHEE. Akuza pretendoi se personat do të paguanin këste më të ulëta edhe pse në fakt nuk ishin pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe ishin të punësuar.
Merita Velia, avokatja e të akuzuarve, njoftoi apelim të vendimit, ndërsa i pati kërkuar gjykatës t’i shpallte ata të pafajshëm. Të akuzuarit sipas mbrojtjes nuk kishin “shkaktuar dëm ekonomik shtetit, por vetëm ulje të vlerës monetare të shlyrjes së kësteve mujore të energjisë elektrike, duke zgjatur kështu në kohë shlyrjen totale të këtyre faturave”.
Mbrojtja po ashtu i kërkoi gjykatës të merrte parasysh faktin se personat ishin “të padënuar, të arsimuar dhe me sjellje korrekte që e kanë provuar edhe gjatë seancave të hetimit dhe gjykimit”.
Akuzat ndaj zyrtarëve lokalë në Trebisht janë vijim i një aksioni të qeverisë që e quajti “Reforma për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë” të nisur në tetor 2014 për të ndaluar humbjet në rrjet dhe mbledhur paratë e faturave të papaguara.
Vetëm në vitet 2014-2015 2600 qytetarë u arrestuan, siç del nga të dhënat e mara prej BIRN. Në qarkun e Dibrës 26 persona u dënuan në vitin 2016 për akuzat e vjedhjes së energjisë elektrike. Ndërkohë konsumatorët me borxhe nënshkruan kontrata me OSHEE për të shlyer detyrimet me këste.