Presidenti i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj i qeshur krahë socialistëve në Kongres

1270
Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, në Kongresin e Partisë Socialiste. Foto: Agim Rama

Në një vend normal, sindikatat janë kundër pushtetit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut sepse mbrojnë interesat e punëtorëve. Por në Shqipëri ndodh krejt e kundërta, sindikatat dhe pushteti janë në një tavolinë. Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë shfaqet i buzëqeshur në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste që u mbajt më 23 mars. Foto postuar nga fotografi i Kuvendit të Shqipërisë, Agim Rama ka nxitur shumë diskutime në rrjetet sociale, për rolin inekzistent të sindikatave në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe uljen në tavolinën e pushtetit në ‘kurriz të punëtorëve’.

Pas kritikave të shumta, ka reaguar edhe Nikollaj për foton nga Kongresi i Partisë Socialiste, duke e konsideruar rolin e sindikatave si partnere me politikbërjen dhe vendimmarrjen, me shoqërinë civile dhe me partitë politike.

Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, në Kongresin e Partisë Socialiste. Foto: Agim Rama

“Sindikatat janë organizata shoqërore që ushtrojnë veprimtari publike. Ato vërtetë janë opozitare me çdo qeverisje dhe organizata punëdhënësish; janë të pavarura politikisht dhe ekonomikisht, por janë partnere me politikbërjen dhe vendimmarrjen, me shoqërinë civile dhe me partitë politike, komunitetet fetare e grupe të tjera interesi të organizuara demokratikisht. Edhe në kongresin e PS ishim të ftuar dhe në përmbushje të plotë të statutit të KSSH-së e në përmbushje të plotë të vullnetit e të interesave social-ekonomike të antarsisë sonë”, shkruan Nikollaj në reagimin për foton në fjalë.

Për minatorët e Bulqizës, në deklarimet publike të bëra për mediat, faji kryesor për mosmiratimin e statusit të “Minatorit” është i sindikatave të minatorëve. Minatorët e qytetit të minatorëve, thonë se pas grevës së urisë të zhvilluar pak vite më parë, as Konfederata e Sindikatave e as sindikatat e tjera, nuk kanë bërë asgjë për ta, por përkundrazi sipas tyre, ato janë bërë palë me politikën, duke lënë në mëshirë të fatit shtresën e minatorëve.  Një nga zërat më kritik ndaj rolit të sindikatave për minatorët e Bulqizës ka qenë ish-minatori Dilaver Përkoxha që më pas u shkarkua nga puna në kompaninë ACR. Dy minatorë të tjerë të kompanisë koncensionare ACR në Bulqizë, Bajram Duka dhe Ferat Kurti u shkarkuan nga puna afro dy vite më parë, pasi bashkë me minatorë të tjerë, kanë zhvilluar një protestë, ku kërkonin vjetërsinë në punë, statusin e minatorit dhe rritjen e pagës.