Lidhja e Intelektualëve Dibranë, Konferencë Shkencore për rëndësinë e Rrugës së Arbërit

1878
Kantieri i Rrugës së Arbrit, Ura e Vashës - Klos. Foto: Sadik Nelhani

Kryesia e Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” në takimin e organizuar në Nëntor të vitit 2018 ka vendosur që në muajit prill të vitit 2019 të organizojë një ekskursion për të vrojtuar ecurinë e punimeve të Rrugës së Arbrit dhe në fillim të muajit maj, në kuadrin e 12 vjetorit të mbajtjes së Kuvendit Tekniko Shkencor të vitit 2007, të organizojë një Konferencë shkencore ku të referohet për punën e kryer deri në prill 2019 për Rrugën e Arbrit si dhe të shihet mundësia e nxitjes së vazhdimit të rrugës së Arbrit në territorin e Maqedonisë dhe të mbahen disa referate për përmirësimin edhe ndërtimin e rrugëve lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbrit në të gjithë territorin e Qarkut të Dibrës.

Brenda kryesisë së shoqatës po qarkullon një projekt-programi i Konferencës për të tërhequr mendime, vërejtje e sugjerime. Gjatë muajit prill do të organizohet një ekskursion gjatë gjithë trasesë së Rrugës së Arbrit për tu njohur me ecurinë e punimeve të ndërtimit të kësaj rruge deri në atë periudhë. Në këtë ekskursion do të marrin pjesë pothuajse të gjithë anëtarët e kryesisë së shoqatës, specialistët e grupeve që do të referojnë në këtë konferencë.

Gjithashtu, shoqata ka bërë edhe një njoftim publik për ata qytetarë që kanë dëshirë t’i
bashkëngjiten këtij marshimi. Në referatet që do të mbahen në Konferencë do të përshkruhet gjendja e rrugëve të brendshme brenda njësive përkatëse administrative, përmirësimi dhe ndërtimi i tyre (aty ku nuk ka rrugë) për t’u lidhur me aksin kryesor të Rrugës së Arbrit për t’i shërbyer në të ardhmen zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë duke përshkruar shkurt, pasuritë nën tokësore e mbitokësore (pasuritë minerale, ujore, pyjore, kullotat, tokat arë për prodhimet bujqësore e frutikulturën) dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit historik e malor duke përshkruar shkurt vendet historike të zonës dhe gjeomonumentet, hidromonumentet, biomonumentet dhe bukuritë e tjera natyrore që i ka falur natyra këtyre zonave të begata.

Kryesia e LID është e hapur ndaj mendimeve dhe sugjerimeve në lidhje me këtë konferencë, qoftë me kontribute vullnetare në organizim, qoftë me ofrimin e materialeve për referim. Vendi dhe data e kësaj konference do të njoftohet më vonë përmes gazetës Rruga e Arbërit ose rrjeteve sociale.

BURIMI: Gazeta “Rruga e Arbërit”