Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi heqjen e dënimit për jetë për Alfred Shkurtin, ose siç njihet Aldo Baren. I arrestuar në Turqi dhe i ekstraduar në Shqipëri në vitin 2009, Aldo Bare është një emër që u futi tmerrin qytetarëve të tij në Lushnje në vitet 1997-1999 e më tutje.
Por kush është Aldo Bare dhe si nisi historia e tij?
Aldo Bare, ish-punonjësi i Repartit të Briskut, sot RENEA, nga Lushnja e nisi historinë e tij të hakmarrjes dhe më pas të krijimit të bandës së tij, pas vrasjes së vëllait, Ramadan Shkurti. Për këtë krim, Aldo Bare vrau dhe më pas masakroi duke i prerë kokën, rivalin e tij në Lushnje, Artur Daja.
Në 16 korrik 2012, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Aldo Baren, verdikt i së cilës ishte mbyllja përjetë në qeli. Aldo Bare do të duhej të vuante deri një ditë më parë gjithë jetën në qeli për të paktën pesë vrasje, të kryera në kuadër të bandës që themeloi në 1997-ën me qëllimin e vetëm për të ekzekutuar kundërshtarin e tij, Artur Daja pasi e bënte përgjegjës për ekzekutimin e të vëllait, Ramadan Shkurti.
Banda famëkeqe e Aldo Bares
Banda e Bares veproi për vite me radhë, derisa vetë i shumëkërkuari u prangos në Turqi dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë ku ndodhet prapa hekurave. Gjykata e Krimeve të Rënda e kishte dënuar Aldo Baren ose Alfred Shkurtin, për katër vrasje, dy tentativa vrasjeje, shkatërrim të pronës me zjarr, si dhe krijim të organizatës kriminale. Për secilën nga këto akuza i pandehuri u dënua me 247 vite burg, por në bashkim të dënimeve, përfundimisht Aldo Bare u ‘kyç’ matanë hekurave përjetësisht. Verdikti i trupës gjyqësore, e cilësonte fajtor Aldo Baren për katër vrasje në dëm të shtetasve, Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu.
Vendimi me burg përjetë
Në vendimin e saj, gjykata shprehej se vrasja e Genci Kasharit nuk është kryer në kuadër të organizatës kriminale, por shërbeu si pikënisje për krijimin e saj, pasi në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait, Aldo Bare nisi fushatën “shfarosëse” duke ekzekutuar kundërshtarët e tij.
Tri vrasjet e tjera, janë kryer në kuadër të bandës kriminale dhe vetëm për ekzekutimin e Xhevat Demirit, i pandehuri mori dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, pasi nga provat ka rezultuar se ka qenë dhe vetë i pranishëm në ngjarje. Sa u përket dy ekzekutimeve të tjera, Aldo Bare është dënuar vetëm si urdhërues dhe është dënuar nga 25 vite për secilën prej tyre. Kapoja i bandës famëkeqe u cilësua fajtor dhe për tentativat për ekzekutimin e dy kundërshtarëve të tij më të fortë, Artur Daja dhe Gramoz Selmani, të cilët i bënte përgjegjës për vrasjen e të vëllait Ramadan Shkurti.
Aldo Bare, ja vrasjet e bujshme të 97-tës
Vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares në korrik 1997, shërbeu si pikënisje e një seriali të gjatë vrasjesh dhe shkatërrimesh. Aldo Bare së bashku me të vëllanë, Ramadanin, Enver dhe Bardhyl Rabinë, nisen në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja me miqtë e tij Genci Kashari e Gramoz Selmani, si dhe të afërmit e tjerë. Sapo i afrohen lokalit, sipas prokurorisë, grupi i Bares qëllon në drejtim të Artur Dajës dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i vrarë Genci Kashari. Artur Daja vetëm sa plagoset.
Plumbave nuk u shpëton as Ramadan Shkurti e Bardhyl Rabija, të cilët ndodheshin në makinë. Por nuk ishte e thënë që ndonjëri prej tyre të shpëtonte. Artur Daja mbërrin pranë tyre duke i qëlluar për vdekje. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Aldo Bare krijon bandën famëkeqe dhe ekzekuton të gjithë miqtë e Artur Dajës. Vetë këtë të fundit, kapobanda, urdhrat e të cilit ishin të padiskutueshme, nuk arriti ta vriste. Por “ushtarët’ e tij e vranë dhe i prenë kokën duke ia shëtitur mes përmes Lushnjës.