FOTO/ Bulqiza nën pushtetin e borës: Rrugë të pakalueshme, shkolla të mbyllura, mungon uji dhe dritat

666
Zerqan. Foto. O. Gurra

I gjithë territori i Bulqizës prej ditësh është përfshirë nga reshje të dendura të borës, ku trashësia e borës kalon 40 cm.

Rruga kryesore që lidh Tiranën me Dibrën është e kalueshme me zinxhir, por ato rurale mbeten të bllokuara. Aksi më problematik mbetet nga pishat në Vajkal të Bulqizës deri në qafë të Buallit, ku era e fuqishme ka krijuar shumë probleme.

Nga ana tjetër, shumë fshatra kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm. Shumë banorë kanë raportuar në kategorinë TI RAPORTO të bulqizaime.al se janë të izoluar dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga institucionet qendrore dhe lokale për pastrimin e rrugëve nga bora.

Fushë-Bulqizë

Rruga nga qendra e njësisë administrative deri në rrugën nacionale është e kalueshme me zinxhir. Fshatrat janë të bllokuara, ku në një pjesë prej tyre mungon edhe uji i pijshëm. Situata paraqitet më problematike në fshatrat Koçaj dhe Dushaj, ku rrugët janë të bllokuara.

Zerqan

Rruga që të lidh me qendrën e Zerqanit është e kalueshme me zinxhir. Në disa fshatra ka mungesë të energjisë elektrike.

Ostren i Madh, Golloborda, Trebishti janë totalisht të izoluara nga bora. Në Çerenec qarkullohet me shumë vështirësi.

Martanesh

I gjithë aksi që të lidh me rrugën nacionale Tiranë – Peshkopi kalohet me shumë vështirësi. Rruga pjesërisht është pastruar nga mjetet e kompanive që punojnë në sektorin minerar.

Shupenzë

Aksi që të lidh me qendrën e Shupenzës është i kalueshëm, ndërsa fshatrat janë të bllokuara.

Pyetur me telefon, përgjegjësi i Emergjencave Civile në bashkinë e Bulqizës, Ilir Spahiu, bëri me dije se për pastrimin e qytetit ndërmarrjet e bashkisë kanë qenë në gadishmëri që kur kanë nisur reshjet e borës, ndërsa në njësitë administrative do të ndërhyhet përgjatë ditës së mërkurë. “Janë kontraktuar katër fadroma që do të merren me pastrimin e rrugëve rurale. Ka qenë e pa mundur për të ndërhyrë më herët për shkak se ka pasur shumë reshje bore çka e bënte të vështirë ndërhyrjen, dhe me përmirësimin e kushteve të motit do të nis edhe pastrimi i rrugëve rurale. Më problem ka qenë zona e Tërnovës”, deklaroi Spahiu për Bulqiza ime.

Si pasojë e situatës së rënduar nga reshjet e borës, Ministria e Arsimit ka ndërprerë procesin mësimor në 321 shkolla në qarqet e veriut të vendit, ndër to edhe Dibra. Zëvëndësimi i orëve në shkollat ku mësimi është pezulluar do të bëhet në javët në vijim, vendosur nga drejtoritë e shkollave përkatëse.

Edhe sa ditë do të kemi reshje bore?

Reshjet e borës që kanë kapluar Shqipërinë nuk do të ndalojnë as në ditët në vazhdim. Përpos reshjeve të borës, meteorologët parashikojnë edhe ulje të temperaturave, madje deri në minus 15 gradë celsius. Meteorologët parashikojnë rritje të temperaturave gjatë fundjavës, ku pritet të ketë reshje shiu dhe bore në zonat malore, dhe tempraturat të shkojnë nga 4 deri në 11 gradë celsius.

https://www.facebook.com/bulqizaime/videos/2052937328307803/