Përplasja PS-LSI, lë pa mjek ekograf Spitalin e Bulqizës

561
Spitali i Bulqizës. Foto: bulqizaime.al

Autor: Sami Curri  BIRN

Prej më shumë se një muaji Spitali i Bulqizës, përpos mungesës së shumë mjekëve specialistë po përballet edhe me mungesën e mjekut ekograf. Shkak për këtë është bërë largimi nga puna i mjekut që e ofronte një shërbim të tillë, Dr. Leonard Murra. Ky i fundit mbante detyrën edhe të drejtorit të spitalit, deri në fund të muajit dhjetor 2017-të, ku dha dorëheqjen nga ky post. Por në janar të 2018-s, Ministria e Shëndetësisë e shkarkon edhe nga pozicion i mjekut ekograf, që Dr. Murra ofronte, pas atashimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Në fund të muajit dhjetor të vitit 2017-të kam depozituar pranë Ministrisë së Shëndetësisë dorëheqjen time si drejtues i spitalit. Më vonë është hapur vendi vakant për drejtues të spitalit, me një konkurs që në fasadë na u paraqit se do të ishte konform rrregullave. Por që në fillim dukej se kjo do të ishte një farsë për shkak se 50% të vlersimit do ta kishte komisioni që do të ngrihej në ministri. Por në ditët e para të muajit janar më vjen një vendim nga Ministria e Shëndetësisë se isha i shkarkuar edhe si mjek”, u shpreh Murra për BIRN.

Leonard Murra. Foto nga YouTube

Spitali i Bulqizës prej vitesh përballet me mungesën e mjekëve specialistë, ku më kryesorja është reparti i Kirurgjisë, pasi aksidentet në sektorin minerar janë të shumta dhe një mjek i një specialiteti të tillë është i domosdoshëm.

Aktualisht për rastet urgjente, ndihma e parë jepet nga stafi i spitalit dhe një infermiere që ka punuar prej shumë vitesh si ndihmëse kirurge dhe tani duhet të ofroj këtë shërbim për rastet urgjente. Ndërsa rastet e rënda nisen për në drejtim të Peshkopisë dhe Tiranës.

BIRN ju drejtua edhe drejtorit aktual të Spitalit të Bulqizës, Shahin Kaja i cili në muajin janar të 2018-s është shpallur fitues i konkursit për pozicionin e drejtorit. Kaja deklaron se mjeku, Leonard Murra nuk është shkarkuar nga Spitali i Bulqizës, por nga Ministria e Shëndetësisë, duke e pranuar se aktualisht në Spitalin e Bulqizës në 6 ditë të javës nuk ka mjek ekograf.”

“Ai ka dhënë dorëheqjen si drejtor dhe Ministria e Shëndetësisë e ka shkarkuar edhe si mjek. Kjo sepse Leonard Murra është mjek i përgjithshëm dhe jo mjek specialist. Në të tillë kushte nuk mund të punoj në spital, por si mjek familje”, u shpreh Kaja për BIRN.

Nga ana tjetër Dr. Murra nuk e pranon një qëndrim të tillë bërë nga Kaja, ku sipas tij ai ishte në dijeni që për këtë pozicion ka një atashim dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një sulm politik. “Jam ndjerë shumë i habitur sepse kisha dhënë dorëheqjen si drejtor dhe jo si mjek. Unë kam kryer atashimin pranë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë si mjek ekograf”, deklaroi Murra për BIRN.

Gazetari Sami Curri, ju drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësisë për të mësuar diçka më shumë në lidhje me shkarkimin e Dr. Murrës, por që  nuk mori përgjigje.

BIRN kontaktoi edhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Bulqizë, Blendi Gurra për të mësuar më shumë rreth kësaj përplasje. Sipas Gurrës shkarkimi i Dr. Leonard Murra është tërsisht politik, për shkak se ky i fundit vjen nga radhët e LSI dhe se një përplasje e tillë e ka lënë sot Spitalin e Bulqizës pa mjek ekograf. “Në Bulqizë kemi nevojë për mjek, ku përpos se ti afrojmë i heqim nga puna, ku në fund e pësojnë qytetarët e kësaj zone që për një shërbim të tillë duhet të udhëtojnë për në Peshkopi apo Tiranë” u shpreh Gurra për BIRN.

BIRN pyeti disa qytetar që vinin për të marrë shërbimin e ekografisë në spital, por që kur mësonin se një shërbim i tillë nuk ofrohej për shkak të mungesës së mjekut specialist shpreheshin se një mungesë e tillë dëmton shumë qytetarët e Bulqizës dhe se shteti duhet të marrë masa të menjëhershme për zgjidhjen e kësaj situate.

Aktualisht në Spitalin e Bulqizës, shërbimi i ekografisë ofrohet vetëm ditën e premte nga mjeku që udhëton nga Spitali i Peshkopisë, Gëzim Puca.

“Shkarkimi i Dr. Murrës ka bërë që të krijoj shumë probleme për funksionimin e aparatit të ekografisë. Kjo pasi unë udhëtoj një herë në javë për të zhvilluar vizitat në Spitalin e Bulqizës. Ditët e tjera që ky specialitet nuk mbulohet, qytetarët detyrohen që të lëvizin drejt Spitalit të Peshkopisë ose drejt Tiranës. Për mua është një barrë e rëndë për shkak se në një ditë më bien shumë vizita”, u shpreh Puca për BIRN.

Qeveria ka nisur edhe patronazhimin dhe pajisjen e spitaleve rajonale me mjekë specialistë, në qendrat spitalore që kanë mungesë të theksuar të këtyre mjekëve. Në këtë grup bën pjesë edhe Dibra, që përballet prej vitesh me këtë problem.