Autore: Lorena Manjani
“Unë quhem Lorena Manjani, studente e gazetarisë dhe prej 2 vitesh jetoj në konviktet e Qytetit Studenti. Sot si përfaqësuese e ekipit të Qëndrqesës Qytetare do të doja t’ju kërkoja disa minuta vëmëndje për të prezantuar të dhënat e pyetësorit që zhvilluam në Qytetin Studenti në lidhje me kushtet higjeno – sanitare të tualetëve tona dhe mënyrat se si e kemi marrë vërtetimin mjekësor për t’u regjistruar në konvikte.
Edhe pse ne duhet të kontrollohemi për sëmundje ngjitëse apo mendore përpara se të hyjmë në konvikt, kjo duket se nuk ndodh me 70% të studentëve të cilët nuk janë vizituar. Edhe pse kanë marrë prej mjekut raportin se gëzojnë shëndet të plotë, kjo është përgjigja e 210 nga 300 studentët e intervistuar.
Të nderuar të rinj dhe prindër shqiptarë! Ne jemi 5300 studentë që jetojmë në 27 godina me 3 deri në 4 persoa në dhomë, dhe të gjithë ne jemi në mëshirë të fatit duke u lutur që asnjëri prej 70% e studentëve të pakontrolluar të mbartë sëmundje ngjitëse apo mendore.
Përsa i përket përgjigjes se cili institucion ka vënë në dispozicion të studentëve këto vërtetime, 60% e tyre janë përgjigjur se e kanë marrë pranë mjekut të familjes dhe rreth 37% pohojnë se e kanë marrë pranë urgjencës së Qytetit Studenti.
Duke e konsideruar tualetin si elementin kryesor të higjienës në konvikte, studentët janë pyetur nëse ka ujë të rrjedhshëm në to. 68% e të pyeturve pohojnë se tualetet e godinës së tyre nuk kanë ujë të rrjedhshëm, gjë e cila e bën të pamundur shkarkimin e tualetit, ndërsa 32% pohojnë se në tualetet e godinës së tyre ka ujë të rrjedhshëm.
Referuar pranisë së produkteve kryesore të higjienës që duhet të përmbajë tualeti, sic janë sapunët dhe letrat higjienike, produkte të cilat duhet të jenë prezente në cdo tualet, dhe që presupozohet se blihen me paratë që paguajnë studentët për tarifën e akomodimit; sipas 99% të studentëve të pyetur, në tualetet e Qytetit Studenti nuk ka as sapunë dhe as letra higjienike të vëna në dispozicion nga drejtoria e rezidencës universitare nr.1. Një tualet për të qenë i përdorshëm duhet të përmbushë kushtin e të pasurit derë funksionale. Sipas 86% të studentëve të pyetur, dyert e tualeteve te godinave të tyre nuk funksionojnë, ndërsa vetëm 14% e tyre pohojnë se dyert e tualeteve të godinave të konviktit janë funksionale. Kjo situatë i bën studentët të ndihen të dhunuar duke i detyruar të kryejnë nevojat e tyre personale te ekspozuar.
Në të gjithë këtë pasqyrë të mjeruar të kushteve ku jetojnë studentët shqiptarë, Qëndresa Qytetare i bën thirrje kësaj ushtrie mjekësh të instaluar në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të cilët lëshojnë raporte mjeko-ligjore fiktive, se me papërgjegjshmërinë dhe përtacinë e tyre janë duke vënë në rrezik jetët e mijëra studentëve.
Gjejmë rastin të shprehim këtë notë proteste edhe prindërve tanë të cilët, në mbrojtje të interesave të fëmijëve, duhet të çojnë para drejtësisë veprimet korruptive të mjekëve.Ne sot ndodhemi përpara një mjerimi dhe dështimi të të gjitha strukturave shoqërore, korrupsionit të institucioneve shtetërore, papërgjegjshmërisë së mjekëve dhe neglizhencës së pafalshme të prindërve.
Kjo situatë duhet të marrë fund, vetëm nëse ne fillojmë të reagojmë për mjerimin tonë duke denoncuar cdo mjek falsifikator dhe të papërgjegjshëm që paguhet të sigurojë jetën tonë dhe jo ta vendosë në rrezik atë.
Nisur nga këto përgjigje dramatike të studentëve mbi kushtet higjieno-sanitare, dua t’i drejtohem me një mesazh shokëve dhe shoqeve të mia me të cilët ndajmë ambientet e përbashkëta të konvikteve të Qytetit Studenti:
“Ne meritojmë të jetojmë në kushte më të mira, jo në këtë kamp përqëndrimi. Edhe institucionet e vuajtjes së dënimit, burgjet, kanë dyer në tualete, sapunë dhe letër higjenike.
Mbase ne sot nuk mund të ndryshojmë të gjithë faktorët që na kanë sjellë në këtë gjëndje por me bindje ju them se mund t’ja nisim nga bashkimi dhe adresimi i problemeve tona!
Nëse 27 vjet më parë djem dhe vajza si ne arritën të hedhin poshtë diktaturën më të egër, është e turpshme për ne mos të sigurojmë sot letër higjenike, sapunë dhe dyer për konviktin tonë.
Ne kemi paguar me paratë e prindërve tanë për të jetuar në kushte më të mira, dhe jemi po ne ata që na lind detyra të kërkojmë llogari për këto para, për shëndetin tonë, për të drejtat tona dhe për dinjitetin tonë.”