Firmoset kontrata për koncesionin e Rrugës së Arbërit

589
Firmosja e kontratës së koncesionit për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbërit. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka. Foto nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Në mjediset e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u krye firmosja e kontratës së koncesionit me objekt “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. Në përfundim të procesit të negocimit, kontrata me kompaninë fituese të garës u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka, transmeton zyra e shtypit e MIE.

Në përfundim të ceremonisë së firmosjes, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se kontrata u përmbyll pas një procedure të gjatë konkurimi dhe negocimi investiv.

“Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës. Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha për qytetarët dibranë të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, kemi të bëjmë me një të vështirë, një vepër të rëndësishme por që do të jetë nga pikëpamja inxhinierike, një nga veprat më të realizuara në Shqipëri.

Punimet që po kryhen në Çerenec. Foto: Sami Curri

“Është një vepër që do të kushtojë 240 milion euro dhe në këtë kontratë ne kemi parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri.

Duke sqaruar se kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, ministri Gjiknuri sqaroi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat.

“Siç tashmë publiku është i njohur, kemi disa projekte të cilat ne gjatë këtij viti do ti tenderojmë, do ti negociojmë, do ti kontraktojmë dhe jam i bindur që viti 2019, 2020, 2021 do jetë vite të kantiereve të mëdha të ndërtimit. Unë i uroj shumë suksese kompanisë dhe jam i bindur se do kemi një projekt të suksesshëm dhe sëbashku do shkojmë tek qytetarët dibranë për tu dhënë lajmin e mirë”, nënvizoi Gjiknuri.

Ndërkaq, Presidenti i “Gjoka Konstruksion” garantoi se kompania do të zbatojë me rigorizitet angazhimet e marra përsipër në këtë kontratë koncesioni.

“Falënderoj qeverinë dhe ministrin për besimin. Më në fund duket që qeveria ka filluar të besojë tek kompanitë shqiptare. Premtoj që nuk do të zhgënjej, do ta realizojmë në cilësi dhe në afat”, u shpreh Gjoka.

https://www.facebook.com/bulqizaime/videos/1989900297944840/