KUSH DO TË FITOJË, MREKULLIA E DIBRËS APO SHKATËRRIMI SISTEMATIK I NATYRËS NGA HEC-ET?

1505
Foto: Geri Emiri

*Nga Abdurahim Ashiku, gazetar

SETA ËSHTË MONUMENT HISTORIE DHE TRIMËRIE

E kam jetuar Setën ndryshe nga degët e tjera që mjelin malet për ta përcjellë shkumën e vluar mbi Drinin Zi.

E kam jetuar në shkulmin që buron nga gjiri i malit e në rrjedhën që zbret nga liqenet. E kam fotografuar dhe jam fotografuar përballë ujit që përplaset gurëve të latuar të shkëmbit.

E kam jetuar në “tamë të vijës”, atje ku merr rrugë një kanal që i foli kohës me një “piketë me plumb pushke”, me trimërinë më të pastër e më heroike të dibranëve, me rrjedhën e ujit në gjashtë kilometra mbi e mes shkëmbinjve të paarritshëm deri atëherë, me tetëqind metro tunel nëpër Gjalicat asokohe të pakalueshme…

Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…

Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa marramendëse?”

Në gazetën “Bashkimi” të 30 gushtit 1967 shkruhej: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej ti jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”

Nuk ka degë të Drinit të Zi ku të jetë shkruar kaq pastër trimëria dhe begatia, heroizmi i vjetër dhe heroizmi i ri i një populli që e ka në gjak punën, shpatën dhe barotin…
Atje ku derdhet Seta u shkrua për herë të parë, me majën e shpatës, trimëria e përbashkët e shqiptarëve, fitorja e madhe kundër ushtrisë më të madhe, më agresive e më të pajisur në armë dhe urrejtje, kundër Perandorisë Osmane, në betejën e Torviollit…

Atje, në brigjet e saj u derdh aq gjak sa nuk ishte derdhur asnjëherë në trojet shqiptare. Mënia e osmanlinjve nuk njohu kufi, shoi një qytet të tërë, qytetin e Çidhnës, folenë e trimërisë dibrane e Skënderbejane…

Nuk dua të hy në “thekrën e historisë”. Është e dendur, më e dendur se kudo në Dibër. Le të hyjnë historianët…

Thashë në fillim se e kam jetuar Setën më gjerë se degët e tjera të Drinit të Zi. I kam përshkuar Gjalicat duke e matur çdo hap, duke e ndalë vështrimin e fiksuar pamjen e kanionit në tërë madhështinë e tij ku frika herë bashkohej me bukurinë e herë ndahej për të udhëtuar në një unazë pambarim.

Në vitin 1988 kam fiksuar disa fotografi mbi Setë, mbi burimet e Sopanikës, të rralla në natyrën e Dibrës. Asokohe ishte llogaritur që pa prishur bukurinë e rrjedhës të merrej “një brazhdë ujë” e nëpërmjet një stacioni pompimi, pasi të ngjitej në lartësitë e fshatit Kodër-Leshe të kalonte Drinin për tu dhënë ujë të pastër të pijshëm fshatrave që nga Fusha e Çidhnës deri në Brezhdan e Ushtelencë. U salduan, u lyen me zift dhe u futën në thellësi të tokës tubacionet. Kam fiksuar në celuloid saldimet parafundore në lagjen Sopote-Ashike të Brezhdanit…

Në rrugë satelitore, në mjetet e komunikimit të gjerë më vjen një lajm, më vjen një skicë, më vjen një kob fjalësh…
Flitet për një hidrocentral…
Jo për Skavicën. Për të heshtet si para një furtune…
Flitet për një hidrocentral mbi Setë…

“Ky hidrocentral do të përbehet nga tre vepra marrje anësore. Skema e shfrytëzimit të këtij hidrocentrali është tepër karakteristike dhe interesante sepse ka në përbërje një mori veprash për vet faktin e shfrytëzimit hidroenergjetik. Të tre veprat e marrjes të cilat do të ndërtohen rreth kuotës 489 m (e para në shtratin e përroit të Setës dhe dy të tjerat në dy degët në krahun e djathtë të rrjedhës së saj), tre dekantuese, tre basene presioni, nga të cilët dalin tre tubacione me presion me të cilët para hyrjes në tunel bashkohen në një të vetëm.

Gjithashtu mbas bashkimit të tubit në një të vetëm me D=200 mm, tubi hyn në tunel rreth 800 m, dhe disa metra më andej hyn prapë në një tunel 140 m ku tubi i presionit do jetë futur në tunel dhe mbas daljes së tij shkon direkt në godinë që do të ndërtohet në afërsi të derdhjes së përroit në lumin Drin rreth kuotës 385 m.

Nuk mund të heshtja. Shënova…

Ky është shkatërrimi total i bukurisë së bukurive dibrane, masivit të Setës. Gjithë këto tuba, gjithë këto tunele, gjithë këto vepra marrje do ta shkatërrojnë tërësisht Setën. Në librin tim PO DIBRËS! JO SKAVICËS! kam shënuar se Seta mund e duhet të mbajë vetëm një hidrocentral me një digë mbi hidrocentralin ekzistues, digë e cila do të krijojë një liqen të bukur mes dy maleve të Gjalicave që formojnë një “tunel natyror”. Nëpër liqenin e krijuar mund të vendosen gondola që mes mrekullisë historike dhe heroizmit të pashembullt të dibranëve për hapjen e kanalit të Setës do të mahnitnin turistët të cilët më pas, me një teleferik nga burimi i Setës në Gurë Lurë do të ngjiteshin tek Liqeni i Luleve…
Setës nuk duhet t’i shpërbëhet bukuria natyrore. Çdo gjë atje duhet të ndërtohet në interes të turizmit malor në kompleksin natyror Çidhën, Pllajë, Gurë Lurë, Liqenet e Lurës, Fushën e Pelave… për të vazhduar më tej në Vanas, Varosh… Zall Gjoçaj…Kurbnesh…
Haki Përnezha, një studiues i pasionuar i historisë dhe i vlerave të Çidhnës shkruante me ironi..

…Ju lumshin duart zotërinj të HEC-Seta 4.

Populli i kësaj ane me zemër ju përgëzon pasi juve nuk ju ka zënë gjumi i natës derisa shtitë në dorë këtë burim ujor i cili është pjesë e jetës, e gjakut dhe e historisë shekullore të të parëve tanë deri në ditët e sotme. Lavdi Zotit erdhët ju, që na e qani hallin dhe na sillni gjithë ato të mira sa ne nuk dimë si t’ju falënderojmë për këtë nder që na bëni duke e shkatërruar përfundimisht ekosistemin e kësaj perle natyrore siç është Kanioni i Setës…
Një mik që aktualisht po ndërton një HEC të tillë si ky i juaji por në një vend tjetër te Dibrës me tha: “TANI AS FËMIJËT E MI, AS FËMIJËT E FËMIJVE TË MI, NUK DO TË KENË NEVOJË TË PUNOJNË…”

Seta, ashtu si edhe degët e tjera të Drinit të Zi që nga Zalli i Okshtunit e deri Mallë të Lurës në derdhjet e tyre në Drinin e Zi i kanë marrë njerëz morali i të cilëve është “As fëmijët e mi, as fëmijët e fëmijëve të mi, nuk do të kenë nevojë të punojnë…”
Nuk e di në se në këtë valle hedhin këmbët deputetët e Dibrës, të majtë e të djathtë, çamë e grekë.

Heshtja çon ujë në mullirin që bluan e shkatërron Setën dhe bukuritë e Dibrës.

Nuk e di, ashtu si nuk e di në se kur do të fillojë hapja e tunelit për të parë dritë Rruga e Arbërit, ashtu si nuk e di se çfarë do të bëhet me Skacicën, dënimin me mbytje të luginës më të madhe dhe më pjellore të Drinit të Zi…

Nuk e di edhe në se çidhnakët me “pushkë ngrehur” e “ballë djersitur” në histori do të ngrihen në këmbë…

Jo 20 familje, por qindra, e bashkë me ta, mijëra në të gjithë Dibrën…
Harrilenat nuk kanë ngulë thonjtë vetëm në Vjosë, por edhe në Setë…
Jetojnë e punojnë në qetësi, ndërsa shteti ka vënë dorën pëllëmbëhapur mbi sy…
Qorr e memec para shkatërrimit të vendit…
Si në vitin 1991 e me radhë për 27 vjet…

Titulli në origjinal: SOT NË GJYKATË: KUSH DO TË FITOJË, MREKULLIA E DIBRËS APO SHKATËRRIMI SISTEMATIK I NATYRËS?