INESTIGIM/ Vdekje “të papritura”, Autoriteti fajëson viktimat e aksidenteve në minierën e Bulqizës

512
Galeritë e kromit në minierën e Bulqizës. Foto: Sami Curri.

Autor: Sami Curri  BIRN

Autoriteti për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera bën përgjegjës dy minatorët Eris Keta dhe Eduart Dama për vdekjet e tyre-një praktikë e zakonshme e së shkuarës që rëndon për së dyti viktimat dhe familjet e tyre dhe lejon kompanitë që të vazhdojnë shfrytëzimin pa kriter të minierës së Bulqizës.

Mëngjesin e 25 tetorit 2017, Eris Keta dhe dy minatorë të tjerë kishin marrë detyrën e avancimin e frontit dhe armatimin e traversës së sapofilluar në nënkatin e tretë të zonës D në minierën e Bulqizës.

Me të arritur në frontin e punës, grupi i minatorëve është ulur për t’u shlodhur. Por sipas raportit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM,  30-vjeçari Keta është shkëputur “papritur” nga shokët.

“Papritur, punëtori Eris Keta është shkëputur prej tyre dhe ka hyrë në traversën ku do të punonin për vendosjen e armatimit, pa u kontrolluar më parë prej minatorit dhe armatorit. Në këtë moment, prej punëtorëve të pranishëm të cilët ndodheshin rreth 3-4 ml larg traversës është dëgjuar zhurma e rrëshqitjes së gurëve dhe britma e punëtorit,” thuhet në raportin e AKSEM.

Eris Keta u gjet i rrëzuar përtokë dhe i goditur nga gurët, ndërsa ndërroi jetë me të mbërritur në spitalin e Bulqizës. Hetimi administrativ nga AKSEM për aksidentin fajëson minatorin 30-vjeçar për shkelje  të rregullave të sigurisë në punë, që shkaktuan vdekjen e tij.

Vetëm 3 javë më pas, një tjetër punëtor humbi jetën në zonën D. Eduart Dama, 27 vjeç u deklarua gjithashtu përgjegjës për shkeljen e “urdhrit të punës”, që sipas AKSEM shkaktoi vdekjen e tij më 15 nëntor 2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera ka arritur në përfundimin se aksidentet e njëpasnjëshme në Bulqizë erdhën si pasojë e shkeljes së rregullave teknike nga vetë viktimat.
[Kliko për raportet e aksidenteve]

Kompania “Brisel” sh.p.k, për të cilën punonin të dy minatorët u gjet gjithashtu përgjegjëse, por jo shkaktare e aksidenteve me vdekje.

Sipas raporteve të AKSEM, të cilat BIRN i siguroi përmes kërkesave për të drejtën e informimit, kompania “Brisel” u gjobit me 100 mijë lekë pasi nuk njoftoi institucionet për vdekjen e Eris Ketës. Ndërsa për vdekjen e minatorit Dama, e njëjta kompani u gjobit me 500 mijë lekë dhe iu pezullua aktiviteti, me argumentin se urdhri i punës nuk ishte i plotë dhe se kompania nuk kishte mbyllur hyrjet për në galeritë që nuk funksiononin.

Ngarkimi me faj i viktimave të aksidenteve në minierën e Bulqizës është një praktikë e vjetër e Autoritetit përkatës, i cili njihet gjerësisht me emrin e vjetër RISHM[Reparti i Inspektim Shpëtimit në Miniera].

Ky institucion ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm edhe në vitin 2011, kur një tjetër minator i kompanisë “Brisel” humbi jetën në ditë të shtunë dhe inspektorët arritën në përfundimin se ai nuk po punonte për kompaninë në ditë pushimi.

Administratori i kompanisë “Brisel”, Rrahim Dedja mohoi që kompania të kishte përgjegjësi për aksidentet e fundit, ndërsa e quajti të padrejtë vendimin e AKSEM për pezullimin e punës. Dedja fajësoi për aksidentet natyrën e rrezikshme të punës në minierë.

“Aksidentet ndodhin. Mos i rëntë kujt kjo fatkeqësi që na ka ra ne. Futesh i gjallë në tokë,”tha Dedja për BIRN.

Prokuroria e Dibrës nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për informacion nëse kishte nisur apo jo hetime për vdekjet e Eris Ketës dhe Eduart Damës.  Megjithatë, Dedja pranoi se ishte marrë disa herë në pyetje nga prokuroria për aksidentet.

“Shembjet ndodhin vetvetiu”

Djali i viktimës Bajram Pjetri, sot minator pranë shtëpisë së tij në Bulqizë. Foto:Sami Curri

Gjatë dekadës së fundit, rreth 300 minatorë kanë humbur jetën në të gjithë vendin si pasojë e aksidenteve në miniera. Por pavarësisht bilancit tragjik, BIRN publikoi në dy shkrime të mëparshme se asnjë drejtues kompanie nuk është ndjekur penalisht gjatë tre viteve të fundit nga Prokuroria e Dibrës.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, faji i mbetet viktimave.

Analizat e aksidenteve të fundit që BIRN siguroi nga AKSEM janë pak rrjeshta, në të cilët inspektorët shpjegojnë shkurt koordinatat gjeografike të vendit ku ndodhi aksidenti në minierë dhe çfarë ndodhi, por në pjesën kur flitet për arsyen analizat ndalojnë te dëshmitë.

Në shpjegimin për aksidentin me vdekje të Eduart Damës, inspektorët e AKSEM argumentojnë se 27 vjeçari shkoi bashkë me kolegët në frontin e punës ku ishte caktuar, por ndryshe nga të tjerët ai ndërroi drejtim dhe u fut në një zonë të pakontrolluar.

“Në kundërshtim me urdhërin e punës së dhënë për të punuar në ringritjen e galerisë së nënkatit, minatori është ekspozuar në traversën majtas galerisë që lidhej me punimin e vjetër. Në këtë moment është shkëputur një masë shkëmbore nga një lartësi 4 metra duke goditur minatorin dhe duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme,” thuhet në raport.

Në asnjë prej raporteve, AKSEM nuk shpjegon se përse ka ndodhur shembja. Edhe administratori i “Brisel”, Dedja i tha BIRN se nuk kishte shpjegim për shembjet.

“Shembjet ndodhin vetvetiu dhe mund të ndodhin në çdo moment. Nga presioni, nga lagështia. Mos të rëntë për pjesë,” tha ai duke këmbëngulur se aksidentet në minierë ishin të pashmangshme.

Por Dr.Arben Bakiu, pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave i tha BIRN se shembjet në miniera nuk janë të vetvetishme. Duke iu referuar në tërësi situatës në Bulqizë, Bakiu tha se ato vinin për shkak se kompanitë shfrytëzonin kollonat mbajtëse të galerive, apo punonin në zona të shfrytëzuara më parë.

“Me aq informacion sa kam unë, po punohet në kollonat mbajtëse të galerisë, në ato fronte që kanë qenë të shfrytëzuara edhe më përpara,” tha ai.

Të njëjtën gjë konfirmoi në mënyrë të pavarur edhe brigadier në pension, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit.

“Në galeritë e Bulqizës punohet në këmbët mbajtëse të galerive. Pra, ato që në kohën e monizmit liheshin si fronte pune të papërdorshme apo struktura mbajtëse të galerive, sot janë hapur e po shfrytëzohen, kjo prej disa vitesh,”  tha ish-brigadieri.

Administratori i kompanisë “Brisel” mohoi që punonjësit e tij të preknin kollonat mbajtëse dhe shtoi se personat që kanë këto qëndrime “duhej të ishin paguar nga rivalët në biznes”.

AKSEM nuk jep shpjegime në raport edhe për arsyet që i kanë shtyrë dy viktimat të futen në zonat e rrezikshme. Njësoj edhe  administratori dhe aksioneri i Brisel Sh.p.k Rrahim Dedja, i cili thotë se nuk di arsyet e veprimeve. Dedja thotë se ka mbetur i tronditur sidomos nga rasti i dytë, në të cilin viktima ishte minator sipas tij i trajnuar dhe nuk mund të bënte atë gabim.

Por brigadieri në pension, i tha BIRN se në asnjë rast minatorët apo punëtorët nuk futeshin në një front pune pa urdhëra. Dedja kundërshtoi se mund të ishte dhënë urdhër, duke i thënë BIRN se askush nuk do pranonte “urdhër që të vritej”. Por ai mendon se viktimat mund të ishin futur në zonë të rrezikshme pasi kishte parë që aty kishte krom.

Minatorët e intervistuar nga BIRN pranuan se nevoja për krom dhe për të plotësuar normën i shtyn ata ndonjëherë që të shkelin masat e sigurisë.

“Kryesorja është norma ditore,” tha njëri prej tyre, ndërsa shtoi se kjo sillte veprime të nxituara dhe rrezikshmëri.

Ndërsa u shfajësua për aksidentet, kompania “Brisel” u penalizua me 600 mijë lekë gjobë dhe pezullim të aktivitetit nga AKSEM. Sipas inspektorëve, kompania duhej të kishte mbyllur hyrjet e zonave të rrezikshme.

“Të  gjitha punimet nëntokësore, gjendja e të cilëve paraqet rrezik për jetën e njerëzve si dhe punimet që kanë ndaluar përkohësisht punët, izolohen me prita të plota të pakalueshme ose me grila dhe të vendosen tabela “Ndalim Kalimi,” thuhet në raport.

Dedja i tha BIRN se nuk ishte dakord me qëndrimet e AKSEM dhe se pezullimi i aktivitetit i kushtonte “miliona dollarë”. Megjithatë ai shtoi se nuk do i kundërshtonte gjobat, pasi për të “më e rënda ishte humbja e jetëve”.

‘Është me u fut gjallë nën dhe. Vëllai im vdiq në minierë në 1989. Njerëzit e dinë këtë, por thonë shyqyr është. Duan të hanë bukë,” shtoi ai.

Pagesa për funeralet  

Margarita Peti me djalin e saj. Ajo humbi të shoqin nga një aksident në minierë në vitin 2013 dhe sot punon në stoqet e kromit. Foto:Sami Curri.

Të vetmit që kundërshtojnë raportet e AKSEM janë familjarët e pashpresë të viktimave të minierës, të cilët detyrohen më pas të dorëzohen pasi nuk kanë mundësi që të ndjekin proceset e gjata gjyqësore.

Margarita Peti, nënë e dy fëmijëve humbi bashkëshortin nga aksidenti në minierë në gusht të vitit 2013. Faji për tragjedinë e saj mbeti jetim, por Peti i tha BIRN se nuk pati mundësi që ta çonte çështjen në gjyq dhe se nuk kishte shpresë se do të dilte e vërteta.

“Kot të merresh me atë punë, faji gjithmonë mbetet tek ai që ka humbur jetën dhe jo tek firmat,” tha ajo.

Peti, e cila po rrit e vetme dy fëmijët e saj i tha BIRN se kishte mësuar pas aksidentit se vdekja e bashkëshortit të saj ishte tentuar të fshihej. Ajo pretendoi se për këtë kishin  larguar trupin e pa jetë nga vendi i aksidentit, me qëllim që firma ku ndodhi aksidenti të mos mbante përgjegjësi.

Raporti i AKSEM për aksidentin me vdekje të 31 vjeçarit Shahin Peti nuk jep emër kompanie. Aty thuhet se Peti dhe persona të tjerë po punonin në një galeri pa pronarë.

Por Margarita Peti i tha BIRN se kompani ekzistonte. Madje sipas saj, kompania kishte marrë përsipër të paguante funeralin e të shoqit dhe po ashtu edhe t’i jepte asaj 1.5 milion lekë duke i kërkuar edhe të heshte.

Gruaja nuk e përmend emrin e kompanisë dhe as pronarin. Por ajo i tha BIRN se për të mbajtur fëmijët, punonte ende në stoqet e kromit.

“Të ardhurat, një pension 7 mijë lekë dhe ndihma ekonomike prej 3 mijë lekësh nuk më dalin,” shtoi ajo.

Ngjashëm Drita Pjetri, bashkëshortja e Bajram Pjetrit  i tha BIRN se nuk kishte mësuar ende se çfarë i shkaktoi vdekjen të shoqit.

“Nuk dimë si ndodhi as nuk ka ardhur ndonjë nga shteti që të na tregojë se si qëndronte puna,” tha ajo.

Raporti i AKSEM-së në këtë rast thotë se Pjetri vdiq në galerinë e kompanisë “Brisel” në vitin 2011. Aty thuhet se ai ishte futur në galeri ditë të shtune, që ishte ditë pushimi dhe pa urdhër pune.

I pyetur për këtë aksident të vjetër, Dedja jep të njëjtin version. Sipas tij, megjithëse kishte hyrë në galerinë që kontrollohej nga “Brisel”, Pjetri kishte shkuar për hesap të tij dhe jo për llogari të kompanisë.

Ashtu si Margarita Peti, edhe për familjen Pjetri ka pak zgjedhje të tjera mbijetese. Djali i Bajramit punon në të njëjtat galeri të minierës së Bulqizës ku humbi jetën i ati.

Shmagia e rrezikut

Miniera e Kromit në Bulqizë është më e madhja në vendin tonë me një histori gati 70-vjeçare. Pas viteve ’90, privatizimi i galerive te kromit shoqëruar me mungesa të kuadrit teknik dhe pafuqi investuese për rehabilitimin e galerive, solli dukshëm jo vetëm mosplotësimin e kushteve më minimale për punë, por edhe shtimin e aksidenteve me plagosje e humbje te jetëve të minatorëve në këto galeri.

Inxhinieri Gjergji Xeka beson megjithatë se aksidentet mund të shmangen. Ai tha se kishte punuar 10 vjet pa asnjë aksident me pasojë vdekjen në minierën e Bulqizës.

“Kjo sepse në procesin e punës, grupi i punëtorëve punonte deri sa të shfrytëzohej një front i caktuar, pa u lëvizur, me qëllim që të mësonte edhe rreziqet që i dilnin në punë e sipër,” tha ai.

Xeka thotë se sot minatorët lëvizen sa në një front në  tjetrin dhe se shkelen proceset e punës.

“Vdekjet vijnë nga moskontrolli i fronteve dhe futja nëpër hapësira shumë të rrezikshme”, tha ai, ndërsa shtoi se dënimet për shkeljet e parametrave të sigurisë në punë duhej të ishin shumë të ashpra.

Ndërkohë, edhe pedagogu Arben Bakiu i tha BIRN se situatat vinin si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të minierës. Ai shtoi gjithashtu se kompanitë nuk investonin në siguri, ndërkohë që copëzimi në dhjetra licensa e kishte bërë kontrollin e tyre të vështirë nga autoritetet.

“Sigurimi teknik ka shpenzime, në aparatura, në masa të tjera në punë e kështu që nga subjektet nënvlersohet një gjë e tillë,” tha Bakiu.

“Problemi për mua qëndron në zonën mineral-mbajtëse D, ku janë futur shumë subjekte, njëri aty, një tjetër këtu dhe punojnë të gjithë për hesap të vet, pa një sistem rregullues të shfrytëzimit…,” shtoi ai.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se deri në vitin 2013, në minierën e Bulqizës ishin dhënë 118 licensa shfrytëzimi. Dhënia e këtyre licencave shoqërohet shpesh edhe me mbivendosje, duke u bërë burim konfliktesh dhe cënuar sigurinë në galeritë e kromit.

Ekspertët e intervistuar nga BIRN ngarkojnë me përgjegjësi edhe autoritetet e kontrollit, të cilët sipas tyre nuk aplikojnë masa të ashpra dhe as ndjekin në vazhdimësi detyrat e lëna.

Inxhineri Xeka i tha BIRN se detyrat e lëna nga këto institucione nuk përmbushen nga kompanitë.

“Duke qenë se ka shumë subjekte minerare, kontrolli nga institucionet është paksa i vështirë. Pavarsisht se institucionet përgjegjëse mund të lënë vërejtje apo masa ndëshkuese, në masën dërrmuese nga subjektet minerare nuk reflektohen ato se çfarë kërkohen”, tha ai.

Edhe pedagogu Bakiu i bie këmbanave të alarmit për institucionet, që sipas tij duhet të shtojnë kontrollet për lejet që japin dhe për mënyrën se si operohet nëpër galeritë e kromit.

“Duhet të jetë një kontroll më i fortë për lejet që jepen, se ku punojnë dhe çfarë shfrytëzojnë. Derisa në sipërfaqe krijohen gropa ose hinka të mëdha të rrëshqitjes së masivit, ky është tregues i shfrytëzimit të kollonave,” tha Bakiu.

“Nuk është habi që një ditë të fundoset zona mineral – mbajtëse e Bulqizës, praktikisht një pjesë e qytetit. Bulqiza është sakatuar sepse po shfrytëzohen ato pjesë të cilat janë shfrytëzuar më përpara,” përfundoi ai.

*Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqizaime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.