Maqedoni, Kuvendi miraton shqipen si gjuhë zyrtare

343
Në foto: Kuvendi i Maqedonisë, foto nga interneti

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar me 69 vota ligjin për gjuhet në këtë vend.

Dy ditë më parë këto propozime u shqyrtuan pa debat, por pasi nuk kishte kuorum kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi votimin e ricaktoi për sot. Vendimet për ligjin për gjuhët dhe për gjykatësit kushtetues sillen me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht nevojiteshin 61 vota “pro”. Xhaferi pardje mbrëma në një emision televiziv tha se pret që sot të ketë kuorum për votim.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar, transmeton syri.net.

Siç theksohet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë, me ligjin parashikohet në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetin e saj, (gjuha shqipe).

Mendim për përdorimin e gjuhës shqipe në paratë dhe uniformat, me kërkesë të Qeverisë duhet të japë Komisioni i Venecias.