Mësimi i shkrim – këndimit të gjuhës shqipe në Dibër

908

***NGA FADIL SHEHU

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, në çerekun e fundit të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX dhe në Dibër mori hov lëvizja arsimore-kulturore në fushën e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Zhvillime të mëdha historike u zhvilluan në këtë periudhë. Mjaft shqiptarë ishin në Turqi, që ndiqnin me interesim situatat politike e sociale, si: Naim e Sami Frashëri, Vaso Pasha, Thimi Mitka, Hoxha Tahsimi e të tjerë, që ngrinin peshë ndërgjegjen kombëtare dhe të dibranëve, që ishin atje, si të Dervish Himës, Said Najdenit, Sheh Mustafës e të Sheh Sulës e të mjaft dibranëve të tjerë.

Mjaft pozitive qe ardhja në Dibër e në Zerqan, më 1876 e Hoxha Tahsimit për çështjen e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Një nxitje e madhe qenë vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt me 10 qershor 1878, për çështjen e pavarësisë dhe të arsimit shqip., ku morën pjesë mjaft delegatë nga Dibra, të cilët u dalluan për aktivitete patriotike. Më 14 tetor 1878 u formua “Lidhja e Degës Shqiptare në Dibër”, e cila formuloi për të parën herë zyrtarisht kërkesat që të përhapet arsimi në Shqipëri dhe në shkolla të mësohet gjuha shqipe.

Më 1 nëntor 1978 u bë mbledhja e përbashkët e përfaqësuesve të Shqipërisë së Veriut dhe të Jugut, e cila miratoi  po rezolutën e sipër-përmendur dhe çështjen e alfabetit.  Në këtë mbledhje ndodhej dhe Abdyl Frashëri, i cili në kthim kaloi në Bllacë e Zerqan me Sheh Sulën, ku u prit nga populli, i cili i premtoi për besë e gatishmëri në mbrojtjen e vendit nga copëtimi e mësimin e shkrim-këndimit të gjithës shqipe. Në vjeshtën e vitit 1881 trupat ushtarake shpërndanë Komitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe degën e saj në Dibër, shumë aktivistë u arrestuan dhe u dërguan në Turqi. Këtë fat pati dhe Sheh Sula i Zerqanit, i cili u mbajt për 3 vjet.

Në foto: Hoxha Hasan Tahsini

Kthimi në Atdhe i të burgosurve avancoi më tepër aktivitetin politik e kulturor, ndonëse vendi ishte nën një ndjekje të fortë nga pushtuesit.  Edhe pse në këto kushte, Said Najdeni (Hoxhë Voka) arriti të hapte më 1888 shkollë shqipe në Dibër të Madhe, në zimat e shtëpive (vende të fshehta, por shpejt u diktua nga forcat e fshehta turke dhe përkohësisht e ndaluan, po fara u fut dhe dhjetëra mësuan me shkruar e lexuar shqip më shkronjat e  alfabetit të Stambollit (Sami Frashërit) të vitit 1879. Në vitin 1893 Said Najdeni, duke shfrytëzuar disa rrethana lehtësuese në të mirë të shqiptarëve jashtë vullnetit të autoriteteve osmane, në Dibër të Madhe rihapi shkollën shqipe.

Po këtë vit në Zerqan, më 14 mars 1893, u hap shkolla shqipe nga Sheh Sula, në Okshtun nga Hoxhë Moglica. Drejtuesit e të cilave kishin kohë që ishin ulur në lëmin kombëtar. Shkolla të tilla ishin hapur në Bllacë nga Dervish Sufa, në Dohoshisht, Brezhdan, Maqellarë e Gollobordë. Këtë ngjarje e tregonte Sheh Hajredini, i cili ka mësuar vetë shkrim e këndim në gjuhën shqipe me shkronjat e Stambollit. Sheh Hajredini ka dhënë dhe intervistë më 1937 për revistën “Zani i Naltë”, Tiranë, nr.11. Ai tregonte se shok mësimi kishte pasur Osman e Tush Shehun, Liman Rrukën, Rahman Dangën,  Sali Lalën, Dervish Hankun, Suf Sulën e të tjerë. Gjemile Shehu, plakë e familjes Shehu, e cila vdiq në moshën mbi 115 vjeç, më 1967, tregonte se akoma mbante mend shkronjat që kishte mësuar. Ajo tregonte se më 14 mars 1893, Ditën e  Verës, u mblodhën në Livadhet e Mëdha.

Erdhën shumë njerëz, i madh i vogël nga katundi. Aty erdhi dhe Sheh Sula, i cili foli për situatën dhe gjuhën, të cilën na del detyrë ta mësojmë.  Na dha abetare. Na tregoi A-në dhe vendosëm që Ditën e  Verës, 14 Marsin, ta quajmë Dita e A-së. Më 14 mars 1894 u hap në Homesh nga Shaqir Daci me ndihmën e Mersim Demës ( në shtëpinë e tij) shkolla në gjuhë shqipe. Turqit kërkuan ta arrestonin Shaqir Dacin, i cili hapi shkollën në Homesh. Ai u mbrojt me armë, duke pasur në mbrojtje dhe popullin.

Krerët drejtues u mblodhën në familjen Cami dhe i kërkuan Sulltanit që brenda 24 orëve të largohej Mendu Pasha nga Dibra,se ndryshe do ta largojmë më armë. Kërkesa u pranua. Kënga thotë: “Baj Markja e Sheh Zerqani,/ janë mbledh ke Mane Cami/ Përpara u del Shaqir asllani,/Shaqir asllani, Shaqir Miftari,/ Mendu Pashës iu dynd vneri…” Një vit më vonë, 1894, 200 malësorë nga Dibra kërkuan me violencë lirimin e gjuhës e të shkollës së saj, raportonte konsulli rus në Manastir, Rotokovski Zinovjanit në Petrograd.

Po gjatë kësaj kohe konsulli austro-hungarez i raportonte Vjenës se mësuan të shkruajnë e të lexojnë shqip vetë 300 dibranë. Më 1879 në Dibër të Madhe kishte ardhur  një sasi e madhe abetaresh prej shoqatave patriotike të mërgimit, shumë prej tyre shkuan në Zerqan te Sheh Sula, i cili i shpërndau në tërë Dibrën, Matin, Martaneshin, Tiranën e deri në Elbasan.  Autoritet turke bënë përpjekje të pengonin hapjen e shkollave shqipe, po ato turke. Në një rast ata ftuan Sheh Sulën në Bulqizë në hapjen e një shkolle turke. Shehu mori fjalën :”Edhe kjo shkollë kulturë jep, por do të ishte më mirë të hapej në gjuhë shqipe…” Shkolla nuk u hap.

Në Dibër, për këto përpjekje u shquan në vitin 1895-1896 Hamdi Ohri, Hoxha Said Najdeni, Sheh Sula e të tjerë, për të cilët u morën masa arresti dhe i dënuan me 4 vjet burgim, duke i quajtur të rrezikshëm për perandorinë. Kongresi i Dibrës, 27 shkurtit 1899, shpalli formimin e Besëlidhjes së Dibrës dhe zgjodhi komitetin drejtues të saj. Anëtar i saj ishte dhe Sheh Sula. Gazeta “Drita”, më datë 30 nëntor 1901, shkruante: Veprat e shoqërive patriotike vazhduan të shpërndanin libra në Brazhdan, Bllacë, Zerqan, Homesh, Okshtun etj. Konsulli austro-hungarez i Manastirit, që ishte i mirinformuar për ngjarjet në Dibër, raportonte në fillim të marsit 1902: “ U binda se hapja e shkollave në Dibër është plotësisht e sigurt, pasi qe dhe çasti se Dibra qe pa guvernator. Po, për kushtet e mëvonshme, shkollat u mbyllën.”

Në këtë kohë u bë i domosdoshëm një alfabet i përbashkët, për këtë u mblodh Kongresi i Manastirit, nga 20 nëntori deri më 19 nëntor 1908, ku vendosën alfabetin. Delegatë pati dhe nga Dibra. Në fund të vitit 1908 vjen nga Stambolli në Dibër një komision, i cili propagandonte shkollën shqipe me shkronja latine, i përbërë prej Fasli Pashë Tiranës (Toptanit), Haxhi Vildanit, Efendi Dibrës, Riza bej Dibrës (Ohrit), Riza Pashë Gurrës (Valikardha-Zerqna) dhe Abdyl Hypit. Sheh Sula njihej me ta. Sheh Sula, Mersim Dema, Jashar Zeneli, Hoxhë Moglica e të tjerë u premtuan. Xhon turqit organizuan Kongresin e Dibrës, më 23 korrik 1909.  Ata shtronin qëndrimin e tyre.

Por qëndresa e personaliteteve të shquara dibrane, si: Dervish Hima, Vehbi Agolli, Isuf Karahasani, Sheh Sula, Ismail Pashë Saraçi, Hoxhë Moglica e të tjerë,  bëri që Kongresi të zhvillonte punimet sipas variantit shqiptar. Duke shfrytëzuar kushtet e favorshme të kohës, filluan të hapeshin shkolla kudo në Dibër. Një e tillë u hap në Zerqan nga Sheh Sula, më 10 maj 1910, ku punuan si mësues Osman Shehu e Gjergji Baja. Si kundërpeshë të hapjes së shkollës në Zerqan, turqit dërguan mësues për të mësuar turqisht.

Gazeta “Liria e Shqipërisë” e 10  marsit 1911 shkruan: “ mësuesin turk të dërguar nga Turqia e kthyen mbrapa se duan të mësojnë shqip dhe jo turqisht.” Më 16 qershor 1910, Shefqet Durgut Pasha me ushtrinë turke hyri në Dibër dhe u shpërnda në gjithë fshatrat. Në fillim, shpërndau klubin “Bashkimi” të Dibrës së Madhe. Këtë fat patën dhe shkollat e fshatrave, si ajo e Zerqanit. Shkolla u hapën dhe më vonë, si më 1912, 1926 etj. si dhe nga pushtuesit serb, bullgar etj., po jetën nuk e patën të gjatë. Domosdo, në kushtet enjë censure të egër, siç ishte ajo mesjetare turke, shkollat shqipe funksionuan në ilegalitet të plotë. Po, sidoqoftë, shkronjat e para ishin futur dhe shkollat ishin vënë në udhë të zgjimit kombëtar.

BURIMI: Gazeta Dibra