Arbër Çepani: Ja sekreti i jetëgjatësisë së lidhjes time të dashurisë!

411

Fituesin e “Big Brother 1”, Arbër Çepani, tani e shohim mëngjeseve si moderator të programit “Mirëmëngjes Shqipëri!” në RTSH. Kanë kaluar 8 vite nga fitorja e tij në reality show, dhe atij i duket sikur ka kaluar një jetë, për shkak të intensitetit të madh të ngjarjeve që ka përjetuar këtë dekadë.

Për televizionin, politikën, dashurinë ai flet në këtë intervistë:

Si janë mëngjeset e tua tani në televizion, ka ndryshuar ritmi yt i jetës?

Ka një ndryshim drastik sa u përket orareve, sigurisht. Nga një zog nate dikur, sot mezi mbaj qepallat hapur deri në orën 11:00. Kjo sjell si rrjedhojë edhe një ndryshim komplet të axhendës ditore. E mira është që kur e fillon ditën në 06:00 të mëngjesit, nga 24 orë, dita duket sikur bëhet 48 orë dhe ke gjithë kohën përpara për të përfunduar punët.

Të shkëmbesh biseda televizive në mëngjes, ku ndryshon nga bisedat në orët e vona në lokalin tënd?

Në orët e vona të natës në “Komitet”, nën avujt e rakisë dhe likereve të ndryshme, sigurisht që bisedat janë shumë më politikisht jokorrekte, sesa bisedat me të ftuarit e mëngjesit në emision. Darka ka mistikën dhe qetësinë e saj. Shumë ndryshe nga vitaliteti dhe energjia e mëngjesit.

Televizioni është dashuria jote konstante, çfarë do të doje të realizoje në të ardhmen me emrin tënd?

Dashuria ime është të realizoj gjëra me dashuri, qofshin këto pjesë e botës televizive ose jo. Për të ardhmen, shpresoj që të lë diçka mbrapa më të mirë se ajo çfarë kam lënë në të shkuarën.

Sa qasje ke ndaj politikës, do të të shohim ndonjë ditë të angazhuar plotësisht?

As që e mendoj në mënyrë absolute që mund të bëhem pjesë e ndonjë partie politike sot prezente në skenën shqiptare. As që nuk kam ndërmend të bëhem vegël e asnjë kryetari partie. Nëse një ditë Shqipëria do u ofrojë mundësinë edhe atyre njerëzve që nuk kanë një teserë partie për të dhënë kontributin e tyre, atëherë pse jo. Por deri atëherë jam aq i dashuruar me sipërmarrjen që kam ngritur, sa që nuk do isha i marrë të bëhesha një fishek më shumë partie politike.

Sa i takon jetës private, si po shkon lidhja e dashurisë dhe kur ke bërë plan të martohesh?

Kur të martohem, do t’ju dërgoj një ftese si redaksi, kështu që do ta merrni vesh. Sa për jetën time private, besoj se noton në ujëra të paqta mirësie dhe dashurie.

Sekreti i marrëdhënies jetëgjatë? Dhe çfarë mendon se e bën jetëshkurtër një lidhje?

Sigurisht, një lidhje për të qenë e shëndetshme duhet që, ashtu sikurse një lule, të ujitet çdo ditë me dashuri dhe përkushtim. Se sa e bën gjithsecili prej nesh këtë gjë në mënyrë konstante, mbetet për t’u parë, por e mira është që zjarri të mbahet ndezur me ashkla të përditshme.

Meqë jemi para fillimit të “Big Brother”, shfaq interes për këtë spektakël dhe çfarë pret nga ky edicion?

Duket sikur më ka kaluar një jetë e tërë që nga edicioni i parë ku unë mora pjesë. Doja vetëm të uroja që pjesë- marrësit ta vlerësojnë këtë mundësi të artë që kanë për të komunikuar me të gjithë shqiptarët 24 orë në 24. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe, që duhet ta shfrytëzojnë duke na dhuruar më të mirën e tyre.

Libri që shërben si udhërrëfyesi yt për të pasur sukses në jetë?

Libri i gjithsecilit prej nesh është ai që shkruajmë çdo ditë nëpërmjet veprimeve dhe akteve tona. Pavarësisht së kaluarës tonë, kemi në dorë të kthejmë faqe dhe të shkruajmë në çdo moment një histori suksesi që mund të frymëzojë mijëra të tjerë./ Panorama