Mustafa Likalla, atdhetari dhe fisniku nga Zerqani i Dibrës i ekzekutuar në 1979-ën nga diktatura komuniste

1143

Homazh në përvjetorin e 38 të ekzekutimit.  U pushkatua edhe për t’u bërë shembull tek të tjerët, që të mbyllnin gojën për çfarë dëgjonin dhe shikonin. Vitet e errëta të diktaturës janë një panoramë e qartë e gjithë asaj që përbën situatën e një vendi si Shqipëria, e cila fatkeqësisht i’u desh të jetonte nën diktaturën më të egër në Evropë. Dëshmi e politikës absurdit, është Mustafa Likalla, një emër dhe një vepër, një kontribut dhe një përkushtim, një dëshirë dhe një ëndërr që fati i keq, zgjodhi si atë dhe shumë shqiptarë të tjerë, të janë statistika e despotizmit të kuq….

Vitet rendin dhe Shqipëria e ruan në kujtesën e vet të çmuar atë mirënjohje, e cila është e larta vlerë që gjeneratat garantojnë atyre të cilët nuk kursyen asgjë për aspiratat më të larta të atdhedashurisë. Në këtë parakalim të viteve dhe të memories, natyrshëm që duhet ndalur te rastet e veçanta për të përgjithësuar atë që përbënte në vetvete mizorinë e diktaturës, politikën e frikës që mbolli ai sistem për të mbajtur të nënshtruar një popull të tërë. Faktet dhe dëshmitë, vitet e nxehta të luftës dhe vitet e errëta të diktaturës janë një panoramë e qartë e gjithë asaj që përbën situatën e një vendi si Shqipëria, e cila fatkeqësisht iu desh të jetonte nën diktaturën më të egër në Evropë. Dëshmi e politikës absurdit, është Mustafa Likalla, një emër dhe një vepër, një kontribut dhe një përkushtim, një dëshirë dhe një ëndërr që fati i keq, zgjodhi si atë dhe dhjetëra shqiptarë të tjerë, të janë statistika e despotizmit të kuq.

***

Mustafa Likalla u lind në Valikardh të Zerqanit dhe gëzonte një respekt të veçantë në gjithë komunitetin atje ku jetoi dhe punoi gjatë periudhës së sundimit komunist.

Ai, ishte personifikimin e njeriut të mirë, të dashur, të drejtë dhe të adhurueshëm. Unë kam punuar në Kooperativën e famshme të Zerqanit së bashku me Mustafain dhe kam vërejt se e donin të gjithë, dhe kjo jo vetëm sepse ishte i edukuar si pakkush tjetër, por edhe se kishte një jetë që i shërbente komunitetit, me dashuri, me përkushtim dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe humanizmi. Këto cilësi ishin të rralla në një shoqëri ku ishte shumë e vështirë të ishe njeri i mirë e i drejt siç ishte Mustafai.

Gjatë viteve kur Shqipëria lëngonte nën pushtimin fashist, a i ishte bashkuar çetës së Dibrës, për të shprehur kështu solidaritet në luftën kundër pushtuesit fashist. Xhaxhai im, Rasim Teodori e kishte pasur shok që në atë kohë të furishme, në ato kohë tepër të vështira dhe shumë vendimtare për fatet e atdheut. “Na bashkoi lufta…”, – thoshte shpesh Mustafai. Mustafa Likalla jetonte në një shtëpi të thjeshtë atje në Valikardh të Zerqanit Ishin të shumtë miqtë dhe shokët e Mustafa Likalla. Të shumtë ishin edhe ata, që kishin hyrë në shtëpi për kafe, dreka e darka, ku pritjet e përcjelljet bëheshin sipas traditës së zonës. E kishte mik të ngushtë të familjes ish-komandantin e çetës së Dibrës, të cilin e kishte pritur e përcjellë me dhjetëra herë në shtëpinë e tij gjatë luftës dhe në kohën e regjimit komunist.  Pas mbarimit të luftës Nacionalçlirimtare, ish-komandanti ishte caktuar në detyra të rëndësishme, në shërbim të pushtetit. Që prej asaj kohe e deri vonë, marrëdhëniet e tyre ishin normale dhe takimet shoqërore dhe ato të punës, ishin të shpeshta. Njëri nga vëllezërit e Mustafa Likallës ishte dërguar që të studionte në Stamboll. Por, meqenëse nuk kishte arritur të merrte diplomën, vazhdoi studimet edhe mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Diktatura komuniste duke ndjekur politikën e saj të izolimit, kishte mbyllur kufijtë, duke mos e lejuar më vonë të kthehej në atdhe. Në këto kushte, vëllai qëndroi në Stamboll, duke mos mundur as edhe për një here të vetme, të vinte dhe të takonte prindërit dhe të afërmit e tjerë, me të cilët ishte ndarë që fëmijë.  Kishte kërkuar disa here leje për të ardhur në Shqipëri si vizitor, por pushteti komunist i kishte refuzuar insistueshëm kërkesat e tij. Edhe letrat që dërgonte sekuestroheshin nga Sigurimi i Shtetit.

Megjithëse nuk kishin marrë asnjë lajm të drejtpërdrejtë prej tij, fjalët vinin se ishte shëndoshë e mirë, se kishte bërë shtëpi e prokopi dhe se ishte martuar me një shqiptare, vajzën e një tregtari të madh në Stamboll. Prindërit i vdiqën pa e parë, ndonëse Stambolli nuk ishte shumë larg. Diktatura i kishte ndaluar në mënyrë kategorike vizitat jashtë shtetit për shtetasit shqiptarë.

***

Mustafai pas luftës punoi në ushtri. Në vitet e mëvonshme kur diktatori hoqi gradat e ushtarakëve, u lirua nga detyra dhe u kthye në fshat, ashtu si gjithë të tjerët. Ai filloi punë fillimisht si mësues, ndërsa më vonë në detyra të ndryshme, si kryetar i Këshillit Popullor etj. Kështu, ai vazhdoi të punonte në detyra të ndryshme shtetërore, derisa erdhi koha që të dilte në pension. Puna e gjatë në vite, në shërbim të popullit të zonës, me kë nuk e kishte njohur dhe nuk kishte familje të zonës, që nuk e kishte provuar ndihmën e tij të pakursyer! Për këtë arsye ai gëzonte respekt shumë të madh. Kur doli në pension, dy vajzat dhe dy djemtë e tij ishin rritur, arsimuar dhe kishin dalë në punë.

Duke mos e ndjerë veten mirë pak nga shëndeti e pak nga malli, guxoi t’i shkruante një letër mikut të tij të vjetër, si luftëtar e komandant në zonën e Dibrës, i cili meqenëse gëzonte detyrë të lartë në strukturat drejtuese të shtetit komunist, mund ta ndihmonte për hallin që kishte.  Në letër i kujtoi se si kishin luftuar kundër italianëve e gjermanëve për çlirimin e vendit. I kishte kujtuar netët e gjata pa gjumë, luftimet trup më trup me armikun, ditët e netët pa ngrënë, por pa harruar të bënte lëvdatat e rastit për udhëheqjen e partisë dhe komandantin e përgjithshëm.

Letra ishte e gjatë, sepse i kishte treguar për punën e mirë që po bëhej në kooperativë dhe për rezultatet që priteshin pas shirjes së të lashtave. Gjithë këto të mira e suksese ia kushtonte udhëheqjes largpamëse të partisë dhe luftës së tyre të drejtë e heroike, që kishin bërë për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe nga tradhtarët e vendit. Nuk kishte harruar t’i kërkonte mikut të tij në pushtet, që po të kishte kohë të lirë, pasi ishte shumë i zënë me punët e popullit, të kalonte ndonjëherë nga shtëpia e tij dhe të uleshin si dikur, të pinin një gote raki dhe të bisedonin për të shkuarën e tyre të lavdishme.  Në fund, i kërkonte t’i jepej e drejta që të shkonte dhe të vizitonte vëllanë e tij, që jetonte në Turqi dhe që kishte rreth dyzet vjet pa e parë.  Pas gjithë atyre përpjekjeve ndër vite, u shfaq një dritë e gjelbër për të realizuar ëndrrën e tij dhe amanetin e prindërve, të takonte për të parën herë të vëllain! Ish-shoku i luftës dhe i moshës së rinisë iu përgjigj shumë njerëzisht dhe mundësoi vizitën e Mustafait jashtë shtetit.

Nisja e xha Mustafait ishte e qetë, shtroi një darkë për fëmijët dhe disa të afërm dhe u nis. Në Stamboll e kishte pritur i vëllai, dhe një përfaqësues i ambasadës sonë atje. U çmallën dhe kaluan së bashku ditë dhe net të gëzuara.  Xha Mustafai, pas disa ditësh qëndrimi kishte menduar ta shtynte vizitën edhe për një periudhë 3-mujore.  I vëllai, nga dëshira për t’i bërë respektin xha Mustafait, kishte marrë edhe disa ditë leje dhe me gjithë familjen kishin shkuar në plazh, kishin vizituar muzeume, si ai i Ataturkut, atit të Turqisë moderne, qendra kulturore, kinema parqe etj. Pra, ai ishte përkushtuar fort për ta pritur dhe kënaqur sa më mirë të ishte e mundur xha Mustafain.

Me pak fjalë ai përpiqej ta njihte të vëllain me gjithçka mbartte një vend i zhvilluar, një vend demokratik, i cili kishte ecur përpara, ishte zhvilluar dhe emancipuar, pavarësisht se konservatorizmi ende ishte pjesë e jetës, e drejta zakonore ishte sërish boshti i moralit dhe një ndër shtyllat më të fuqishme të këtij vendi të madh dhe të fuqishëm.  Të gjithë e prisnim me kureshtje të madhe kthimin e Mustafa Likallës nga Turqia. Pyetje të shumta ju drejtuan për të ditë se si jetonte i vëllai atje në Turqi. Dikush e pyeti se nga ç’shtet e kishte të shoqen. Sa fëmijë kishte, pyeste dikush tjetër. Ku punonte, ishte i interesuar një tjetër, e kështu me radhë. Ditët e para vazhduan me vizita shokësh e miqsh nga e gjithë zona. Xha Mustafai kishte ndryshuar pothuajse krejtësisht. Nga gëzimi, pritja dhe trajtimi i shkëlqyer në Stamboll, ai kishte ndryshuar dhe reflektonte një hir të ndryshëm. Hollësi kaq të rëndomta, siç ishte pamja e jashtme, ishin pjesë e vëmendjes së njerëzve. Ata nuk ngurruan t’i thoshin se kishte vënë bark. Për njerëzit në vendin tonë barku ishte tregues tipik i socializmit.

Ne kishim mësuar se në vendet kapitaliste populli vuante për bukën e gojës, për vete e fëmijët dhe prandaj ngriheshin në demonstrata në shenjë pakënaqësie kundër qeverisë dhe pushtetit. Të paktën kjo ishte politika e informimit publik, e dehjes së masave, e hipnotizimit kolektiv të njerëzve, të cilët në një vend të izoluar e kishin pothuaj të pamundur të vërtetonin se gjithçka që flitej për jetën në vendet e huaja, ishte apo jo e vërtetë. Edhe ata që shkonin, si puna e xha Mustafait, ishin mjaft të rezervuar dhe të kujdesshëm për të rrëfyer ato që kishin parë e dëgjuar, për atë botë që ekzistonte tej kufijve tanë të izolimit. Madje, ai regjim njerëz të tillë i mbante në mbikëqyrje të plotë gjatë gjithë kohës dhe nuk përjashtoheshin rastet kur atyre iu ngriheshin kurthe. E gjithë kjo situatë synonte, të ruante të paprekur e si të vërtetë absolute atë, që artikulonte sistemi, për gjithçka që lidhej me mënyrën e jetesës, liritë dhe të drejtat e njeriut në botën “kapitaliste”.  Kushdo që vinte nga jashtë shtetit kthehej menjëherë në qendër të vëmendjes.

Gjithçka që përcillte dhe solli me vete Mustafa Likalla, ky vizitor i tokës së mohuar ishte një interesim i pashoq për shoqërinë.  Duhej domosdo të mbahej në një farë mënyre linja e politikës së keqinformimit, që trumbetonte pushteti komunist i Enver Hoxhës. Atje, duhej të kishte njerëz të papunë, njerëz që vdisnin urie, të tjerë që flinin poshtë urave, e shumë e shumë probleme të tjera që ktheheshin në pre të luftërave civile e protestave të vazhdueshme. Populli ynë duhej me çdo kushte të ishte ai që promovonte partia, popull i “kënaqur me udhëheqjen e drejtë dhe largpamësinë e partisë”. Kthimi i Mustafait dhe tregimet e tij për vizitën në Stamboll bënë bujë të madhe. Njerëzit atje në Zerqan, “ku nga dymbëdhjetë lopë merrej një kile tëmbël” filluan të mendonin se jeta jashtë shtetit ishte më e mirë se jeta në vend dhe se propaganda e komunistëve ishte një farsë dhe aspak rezultative.

Po kështu, njerëzit panë që Mustafai erdhi me tri kostume në valixhe, kur në vend njerëzit nuk ishin në gjendje të blinin dot as një kostum në dhjetë vjet. Komunizmi dinte të bënte vetëm propagandë. Madje, e kishte shndërruar në mjetin thelbësor të përmbushjes së qëllimit që mbarte në vetvete: errësimin e vetëdijes së shtetasve dhe mpakjen e çdo nisme e vullneti perspektiv. Natyrisht, keqinformimi i ngritur në propagandë që mbushte çdo qelizë të jetës së vështirë e plot stres të shqiptarëve, ishte dhe do të mbetej një sistem brenda diktaturës, një metodë psikologjike keqinformimi, i cili nuk mund të pranonte një të vërtetë tjetër, sado kokëfortë, e pakundërshtueshme dhe domethënëse të ishte ajo.

Kjo propagandë sundonte jetën e përditshme të popullit tonë në ato kohë të vështira. Sistemi komunist propagandën e quante si mjet të rëndësishëm për të lehtësuar qeverisjen e popullit të shndërruar përdhunshëm në turmë, të painformuar, të paditur, të paemancipuar dhe të mbërthyer nga kthetrat e errësirës së botëkuptimit. Aq rëndësi i kishte dhënë ai regjim çështjes së propagandës, sa për drejtimin dhe administrimin e saj kishte përzgjedhur njerëz çuditërisht mjaft të përgatitur dhe të zotë; sepse vetëm ata, që e njihnin të vërtetën e kulluar kishin tërë kapacitetet e nevojshme të sajonin një të vërtetë alternative, për publikun, një të vërtetë të gënjeshtërt dhe manipulative. Xha Mustafai solli për jetën matanë kufirit një mendim krejt të ndryshëm nga ai që dinim, në vendin tonë të rrethuar me tela me gjemba dhe roja të armatosura. Ishin tepër të rralla rastet, që një shqiptar në rrugë të ligjshme të dilte jashtë kufirit shtetëror. Ata, që provuan ta bënin ilegalisht kalimin e kufirit ishin kapur nga kufitarët dhe ishin dënuar me burg për njëzetepesë vjet e më shumë.

Madje, kishte dhe raste kur këta persona ishin ekzekutuar në fshehtësi të plotë dhe prej familjarëve quheshin të zhdukur. Të rinjtë shqiptarë ishin si në çark, çdo përpjekje për të kaluar kufirin shtetëror, ishte një nismë e dështuar dhe me pasoja të kobshme. Megjithëse kërkonin të gjenin mbijetesën e lirinë e munguar, çdo lloj tentative për t’u arratisur ishte tradhti ndaj atdheut dhe quhej një ndër krimet më të rënda të regjimit diktatorial.  Por, kishte edhe fatlumë, që kishin mundur ta kapërcenin këtë perde të hekurt por, që ishin harruar për së gjalli. Edhe ata që bënin realitet këtë ëndërr të shumë shqiptarëve, përballoheshin me një dramë të re, me ndarjen për së gjalli me të gjithë të afërmit e tjerë dhe brenda kufijve territorialë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Xha Mustafai kishte sjellë edhe disa dhurata të vogla për familjen dhe për disa shokë dhe miq. Ishin dhurata që në vendin tonë nuk ishin parë ndonjëherë, ishin në një farë mënyre grimca të vogla nga ai realitet imagjinar, ai realitet i hamendësuar. Dhuratat që Mustafaj kishte sjellë me vete as që bëhej fjalë ti gjeje në Shqipëri, por edhe nëse ndonjërën prej tyre ndodhte ta gjeje, përsëri ato ishin “mollë të ndaluara” për popullin e varfër dhe mundësitë monetare që njerëzit kishin nga të ardhurat mujore. Edhe filxhanët e kafesë, që kishte sjellë Mustafaj ishin sikur të ishin prodhuar prej floriri.

Por, po t’i shihje dhuratat me syrin e kohës, ato ishin të paarritshme, sepse e tillë ishte jeta e popullit tonë që prej kohës kur vendin e sundoi komunizmi.  Pakënaqësia dhe reagimi i pushtetit pothuajse ishte i menjëhershëm. Asnjë nga ne nuk e kishte vënë re, se çdo lëvizje kishte qenë e kontrolluar, siç ndodhte rëndom, dhe në një formë apo në një tjetër, nuk i shërbente politikës që po ndiqej, por mbajtjes nën kontroll të personave të përfshirë nga kjo dehje e realitetit që vinte dhe zbrazej bashkë me vizitorin. Agjentët e fshehtë të Sigurimit të Shtetit erdhën dhe e arrestuan Mustafa Likallën.

Ky veprim antinjerëzor dhe antiqytetar, ishte i motivuar nga politika e propaganda, që ushtronte diktat mbi njerëzit. E burgosën, me akuzën absurde si zakonisht në këto raste se në Stamboll kishte bashkëpunuar me agjenturat e huaja, duke u rekrutuar si agjent i amerikanëve, rusëve, jugosllavëve, anglezëve e kush e di se i kujt vendi tjetër. Sipas tyre, ai kishte marrë porosi nga agjenturat e huaja që të vinte në Shqipëri dhe të punonte për përmbysjen e pushtetit popullor. Kjo “akuzë” ishte kthyer në një klishe për strukturat e regjimit, të cilat gjithsesi duhej t’i gjenin një akuzë penale personit, që sipas tyre përbënte rrezik shoqëror.  Pra, u tha nga partia dhe organet e pushtetit komunist, se Mustafa Likalla, i moshës pothuajse shtatëdhjetëvjeçare ishte shndërruar nga një ish-luftëtar, atdhetar e punonjës i pushtetit popullor, në një person të rrezikshëm, që mund të minonte fitoret e partisë dhe ndërtimin e socializmit në Shqipëri.

– Ç’absurditet!

E akuzuan si armik të popullit dhe të pushtetit popullor. Propaganda e tij synonte të errësonte fitoret e sistemit komunist në Shqipëri dhe të çorodiste njerëzit, duke u folur për zhvillimin, që kishte njohur Turqia, për mirëqenien e popullit turk dhe liritë njerëzore të tyre.  Në pranverë të vitit 1979, pa pjesëmarrjen e asnjë familjari dhe në një gjykim me dyer të mbyllura, e dënuan me pushkatim. Ishte një ngjarje e rëndë për të gjithë ne, kuadrot që punonim dhe jetonim në rrethim, po ç’ka se shoku jonë i ngushtë, personi më i dashur dhe i respektuar nga të gjithë kishte pas qenë armik e ne nuk e kishim kuptuar. U kritikuam në një mbledhje komunistësh në shtëpinë e kulturës Zerqan, madje nga momenti në moment secilit mund ti komunikohej arrestimi. Nuk mund ta kuptoja nëse ishte një hakmarrje ndaj tij apo një shembull për të tjerët? Pushkatimi i Mustafa Likallës u bë për t’i thënë popullit se ai njeri, që kishte luftuar dhe që i kishte dhënë gjithçka popullit, vendit dhe Luftës Nacionalçlirimtare na paskësh qenë armik i popullit!.

U pushkatua edhe për t’u bërë shembull tek të tjerët, që të mbyllnin gojën për çfarë dëgjonin dhe shikonin.

Me tërbimin e tij të pamat, komunizmi shqiptar i viteve të diktaturës sakrifikoi për interesa të pushtetit dhe ideologjisë një tjetër familje patriotike dhe një patriot të madh në Zerqan, Mustafa Likallën. Ai që nuk kurseu asgjë për idealet e shenjta të atdhedashurisë, patriotizmit dhe lirisë dhe i shërbeu me mish e me shpirt këtyre aspiratave, … ai u bë viktimë e mizorisë së diktaturës, atij makabriteti që nuk kursente të bënte fli bijtë e vet më të mirë për t’i përdorur si mjet presioni, si mekanizëm terrori ndaj popullit.

BURIMI: Gazeta 55
(http://gazeta55.al/mustafa-likalla-atdhetari-dhe-fisniku-nga-zerqani-i-dibres-i-ekzekutuar-ne-1979-en-nga-diktatura-komuniste)

AUTOR: