Mallkimi i Bulqizës

472
Galeritë e kromit në minierën e Bulqizës. Foto: Sami Curri.

Bulqiza sërish u mbulua me mantelin e zi të vdekjes. Një 22 – vjeçar, në lule të rinisë humbi jetën teksa punonte në një nga galeritë e Minierës së Bulqizës.  Ky aksident fatal për Eduart Damën vjen pak ditë pasi një tjetër i ri humbi jetën teksa punonte në galeri. Galeritë me gjak njerëzish të pafajshëm, që halli i dërgon të punojnë në to.
Manteli i zi i vdekjes e mbulon shpesh Bulqizën. Sytë e nënave të pa tharë nga vajtimet, një qytet që ka marrë nofkën e vdekjes.

Po të flasësh më banorët e qytetit, kanë filluar ta tregojnë si barcaletë faktin se helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë është bërë me targa Bulqize se bën shumë fluturime për shkak të aksidenteve të shpeshta që ndodhin.

Ashtu si rasti i Eduartit që në moshën 22 – vjeçare punonte në minerë ka shumë e shumë të tjerë që punojnë, edhe pse e dinë që futen në galeri me idenë se ndonjë ditë mund të mos dalin të gjallë që aty.

Liman Keta ishte një tjetër i ri që humbi jetën vetëm pak ditë më parë, duke lënë pas një djalë dhe bashkëshorten.

Po të dëgjosh kronikat e televizioneve kur një minator humb jetën në galeritë e Bulqizës, gjithmonë do të dëgjosh frazën se “…policia dhe prokuroria shkuan në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti që mori jetën…”. Asnjëherë nuk u zbardhën rrethanat, sepse gjithmonë e kanë pasur një konkluzion, faji ishte i minatorit që humbi jetën sepse kishte qenë duke punuar pa zbatuar rregullat e sigurimit teknik. E kështu mbyllet saga e vdekjeve në Minierën e Bulqizës, me minatorë të vrarë fajtorë dhe shtetarë duart e të cilëve janë të njomura me para që mbajnë erë gjaku minatorësh. Dosja mbyllet.

Në Bulqizë nuk ka pasur ndonjëherë shtet. Nuk ka. S’ka për të pasur. Gabohen kur thonë se në Bulqizë situata është përmirësuar. Për mua Bulqiza është një republikë e pa varur, një grup individësh kanë kontrollin. Ata ndajnë vrimat në malin me mineral të Bulqizës. Nuk ka dorë shteti. Mjafton që të pish kafe më minatorët e Bulqizës, për të kuptuar se sa dorë shteti ka në sektorin minerar.

“Reparti i Inspektim Shpëtim – Minierave vetëm paraqitet në hyrje të galerisë, kërkojnë shumën që duan dhe kaq. Vazhdo dhe puno”, këto janë fjalët e një minatori në Bulqizë.

Banorët e Bulqizës që kanë të afërmit e tyre që punojnë në minierë, nuk kanë pritur ndonjëherë që të ketë shtet e të rregullojë rrumpallën në sektorin minerar. Nuk i kanë besuar, nuk i besojnë dhe nuk kanë për të besuar ndonjerë në pallavrat elektorale që tregohen në Bulqizë, si majtas edhe djathtas. Sepse banorët e qytetit me mantel të zi e dijnë që në Bulqizë nuk ka për të pasur zgjidhje, sepse atje të gjithë shtetarët, pronarët, të fortit hanë në një tas, supën me mineral.

Në galeritë e minierës së Bulqizës nuk ka pasur ndonjehërë kushte. Në zonën mineral mbajtëse D, nuk mund të flasësh për pesë ditë pune, siguracione të plota, raporte e kushte pune. Aty ka vetëm një fjalë që orvitet në kokat e gjithësecilit, shfrytëzim dhe vetëm shfrytëzim.

Ata njerëz nuk i merr njeri me zor që të shkojnë në punë. Por në mëngjes është zëri i fëmijëve që kërkon ushqim, shteti që kërkon lekët e energjisë dhe të ujit, që mjerisht të bën të ulësh kokën dhe të shkosh në punë.

Në Bulqizë ka shumë aksidente në sektorin minerar, por jo të gjitha raportohen. Në spital duhet të thuash se je vrarë duke ndërruar çatinë e shtëpisë, gomën e makinës apo ndonjë gënjeshtë tjetër, se për ndryshe të gjen belaja.

“Lute Zotin që të plagosesh ditën e të të vij të marrë helikopteri se po ngele në Spitalin e Bulqizës, vdiqe” – këto fjalë dalin nga goja e shumë minatorëve që punojnë në Bulqizë. Sa e sa herë është folur e është stërfolur që në Spitalin e Bulqizës dhe të Dibrës mungojnë mjekët specialistë, por që nuk mori zgjidhje, s’po merr dhe me shumë gjasa nuk do të marrë zgjidhje.

Zhurmë shumë Zhurmë, kjo është Bulqiza jonë Bulqiza e minatorëve dhe e fëmijëve që punojnë nëpër stogje. Frazë që e përshtata nga kënga e Ramës për Tiranën në version Bulqize. Duhej që në Bulqizë të vinte “Le lene” emisioni i Italia Uno, që puna e fëmijëve në sektorin minerar të ndërkombëtarizohej dhe që Shqiptarët të çirreshin në rrjetet sociale.

Filozofia e një kombi që duhet të vijnë të huajt të na tregojnë problemet që kemi e që ne të fillojmë ti besojmë. Jo. Ata fëmijë aty kanë punuar, punojnë dhe do të vazhdojnë të punojnë. Pavarsisht se kazani shtetëror thotë të kundërtën. Këto janë faktet dhe jo dokrra pusht – etarësh. Kazani i propagandës vlon, por realitetin se mohon dot.

Minatorët e Bulqizës sot nuk kanë një status që t’u plotësohen disa kushte minimale njerëzore. Kjo është e rëndë. Shumë e rëndë dhe e pa pranueshme. Punojnë në punën më të rëndë dhe trajtohen sikur nuk janë këtu. Shumë premtime, por që një herë nuk mori zgjidhje.

Pak ditë më parë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte në Bulqizë. Për çfarë nuk foli, nuk la kazan pa përmendur. Por për një hall dhe problem shumë madhor për Bulqizën se zuri me gojë, statusin e minatorit. Ndërsa nga kahu tjetër politik, përpëliten që të përfitojnë diçka nga kjo zallamahi e minatorëve duke bërë sikur janë të prekur dhe ndajnë vuajtjet me ta.

Ç’kishte qenë kjo Bulqiza!!! Sa shumë vuajtje ka pasur dhe ka dhe që nuk po sheh pakëz dritë.

Sot Edi 22-vjeç iku në lule të rinisë. Shumë bij nënash kanë humbur jetën në Minierën e Bulqizës. Manteli i zi ka mbuluar Bulqizës. Lotët e nënave nuk janë tharë. Mallkimi i pasurisë nëntokësore ndjek banorët që jetojnë mbi të.

Autor: Sami Curri / Bulqizë

www.citizens-channel.com