Bulqizë, dy vëllezër që jetojnë në çadër

570

Dy vëllezërit Haxhi dhe Petrit Dama nga fshati Sopot i Bulqizës  prej 6 muajsh jetojnë në çadër pas djegies së shtëpisë së tyre.

Haxhi Dama, njëri nga vëllezërit tregon se jeta është mjaft e vështirë.

Me afrimin e stinës së dimrit, gjendja e tyre rëndohet edhe më tepër, ndaj ai i kërkon ndihmë te institucionet shtetërore që ta strehojnë.

“E vështirë jeta për ne. Banojmë në çadër, pasi dolëm nga tuneli. Është e vështirë, sepse po të bjerë dëborë, çadra nuk e mban atë. Shpresoj që Bashkia dhe kryetari i Bashkisë të na ndihmojë”, thotë Haxhiu.

Vëllai i tij, Petrit Dama shprehet se për shkak të jetesës së vështirë në çadër ka patur edhe probleme shëndetësore.

“Kam qenë katër herë në spital. Tre herë kam shkuar me ambulancë. E kam nga vuajtja dhe hallet, nga mungesa e shtëpisë. Dua që të interesohet, në radhë të parë kryetari i Bashkisë dhe nga Kryeministria”, shprehet Petriti.

/ Top Channel