Thellohet edhe më tej skandali ende i pazbardhur plotësisht, i zbuluar nga mediat italiane për groposjen në vendin tonë të mijëra tonelatave mbetje të rrezikshme kimike.
Ndërkohë që opinioni publik “flinte” i qetë pas bllokimit në Kuvend të ligjit të mbetjeve të miratuar por të kthyer nga presidenti, Rama ka bërë në fshehtësi të plotë atë që ka pasur vetë në dorë.
Ai ka firmosur një vendim qeverie, pikërisht për “Lëndët e rrezikshme kimike”, duke dhënë kështu visto dhe ligjshmëri për importin dhe kalimin e tyre transit në vendin tonë. Sipas burimeve të SYRI.net si shumë VKM të tjera, edhe kjo që është firmosur në fund të muajit Shtator të vitit 2016 (periudhë që përkon me dyshimet e zhdukjes së kotenierëve shumë të përfolur) është marrë pa diskutime dhe pa praninë e gjithë ministrave në mbledhje.
Në një intervistë të dhënë ditën e djeshme për gazetën “Shekulli”, ambientalisti Sazan Guri ka deklaruar se gjatë muajit Shtator, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim me firmën e kryeministrit Edi Rama, për tranzitin e mbetjeve radioaktive. Syri.net pas kësaj indicie ka mundur të sigurojë vendimin e plotë qeverisë, i mbajtur i fshehtë për publikun dhe shoqatat e ambientalistëve shqiptarë.
Bëhet fjalë për VKM e datës 21 Shtator të vitit 2016 (shih foton), “Për eksportin dhe importin e kimikateve të rrezikshme”.
Materiali i firmosur nga kryeministri Rama është tejet i gjatë dhe mjaft i koklavitur, mes kapitujsh e pikash, konventash ndërkombëtare etj. Por ajo që mund të lexohet qartë është, se vendi ynë për herë të parë lejon importin dhe eksportin e lëndëve dhe mbetjeve të rrezikshme të të gjitha llojeve.
Gjithashtu në këtë vendim qeverie, i hapet rrugë edhe kthimit të vendit tonë si vend transit, për këto lëndë të rrezikshme. Pikërisht me “lojën e transitit”, mediat italiane kanë ngritur ditët e fundit dyshime dhe akuza, se Ekomafia italiane ka groposur në vendin tonë gjatë fundvitit të shkuar më shumë se 1300 kontenierë të mbushur me lëndë të rrezikshme kimike.
Në këtë vendim, hartuesit janë kujdesur që për një pjesë të mirë të operacioneve import-eksport të dhjetëra lëndëve të rrezikshme kimike dhe radioaktive të rruhet fshehtësia e plotë nga publiku, media dhe shoqatat ambientaliste të interesuara. Kështu në kreun X të kësaj VKM-je, pika 2, shkruhet; “Autoriteti Kombëtar i Përcaktuar mbron informacionin konfidencial, që merr nga një palë apo shtet tjetër, siç është rënë, reciprocikisht, dakord”.
Pyetja e parë që bëhet është; Përse kryeministri është kujdesur më anë të një VKM-je që për një biznes të rrezikshëm si ai me lëndët e rrezikshme kimike, me ndjeshmëri të lartë për publikun, të vendosen barriera informimi dhe transparence?
Por ajo më e rëndësishmja është; A ka lidhje kjo VKM me skandalin e sapo shpërthyer përtej detit për zhdukjen e 1300 kontenierëve, pikërisht me mbetje të rrezikshme kimike?
Në ditët në vazhdim, Syri. net do japë informacion më të detajuar për këtë Vendim të qeverisë Rama dhe çfarë fshihet në teknikalitetet e tij, në funksion të “ligjërimit” të veprimtarisë miliardëshe në euro, të Ekomafies.