Rikthimi i vizave, Çupi: Turpi më i madh i kësaj qeverie

392
Në foto: Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi

Një tjetër eksponente nga Partia Demokratike ka ngritur zërin pas lajmit se Hollanda ka kërkuar kthimin e vizave për shqiptarët. Bëhet fjalë për deputeten Dhurata Çupi, e cila fajëson kryeministrin Edi Rama, për krijimin e mundësisë që Shqipërisë t’i rikthehen vizat.

Çupi kujton radhët e gjata që formoheshin para 2010-ës, pranë ambasadave në Tiranë nga njerëzit që donin të pajiseshin me viza.

Rikthimin e vizave pas 7 vitesh, deputetja demokrate e cilëson si turpin më të madh të kësaj qeverie.

“Sot jemi në pragun e rivendosjes së vizave dhe nëse kjo qeveri arrin “suksesin ” e madh të kthimit të vizave , shumë shpejt Shqipëria do të ketë edhe kthimin e skafeve dhe trafikimin njerëzor.
Ky është turpi më i madh i kësaj qeverie që me vetëdije po i dënon shqiptarët.”, shkruan deputetja.

Më herët për këtë çështje reaguan edhe ish-kryeministri Sali Berisha, Jozefina Topalli, Jamarbër Malltezi dhe Arben Ristani.

Kujtojmë se policia dhe prokuroria në Amsterdam kërkojnë nga qeveria pezullimin e vizave për shqiptarët. Këtë kërkesë e kanë bërë përmes një raporti dërguar qeverisë.

Sipas autoriteteve holandeze, shqiptarët gjithnjë e më shumë luajnë një rol të rëndësishëm në trafikimin e drogës. Udhëtimi lirshëm në Holandë konsiderohet si një nga arsyet kryesore që ka sjellë këtë rritje të kriminalitetit në këtë vend.

REAGIMI I ÇUPIT

Rikthim në vitet e para pas rrëzimit të regjimit komunist, Edi Rama i heq vizën Shqipërisë.

Akoma janë të gjalla në memorien e mijëra shqiptarëve radhët e gjata pranë Ambasadave në Tiranë për tu pajisur me vizë.

Burra , gra , fëmijë, të rinj e të reja rrinin me ditë të tëra në pritje pas dyerve.
Dikush për nevoja emigrimi , dikush për tu bashkuar me familjen apo dhe për një vizitë shëndetësore. Të rinjtë në përpjekje për shkollim.
Viti 2010 ishte viti i çlirimit të madh. Liberalizimi i vizave për Shqiptarët ishte ëndërr që u bë realitet.

Sigurisht që ky liberalizim ishte si rrjedhojë e një pune të jashtëzakonshme dhe reformave të mëdha të Qeverisjes së Partisë Demokratike.
Sot jemi në pragun e rivendosjes së vizave dhe nëse kjo qeveri arrin “suksesin ” e madh të kthimit të vizave , shumë shpejt Shqipëria do të ketë edhe kthimin e skafeve dhe trafikimin njerëzor.
Ky është turpi më i madh i kësaj qeverie që me vetëdije po i dënon shqiptarët.