Banorët rojtarë të pyllit në Bulqizë ‘fitojnë’ ndaj aferave privat-shtet, por sa do të rezistojnë?

920
Në foto: Fshatrat Kodra e Danit dhe Koçaj

*Investigim nga Sami CURRI, për Citizens Channel

“Po të na pritet pylli ne ujë s’kemi, lëndë drusore s’kemi, ne jemi të mbaruar si katund. Ne prandaj jetojmë këtu, jeta jonë është e lidhur me pyllin”, kjo është deklarata, me një ton revolte e një prej banoreve të fshatit Kodra e Danit, në njësinë administrative Fushë–Bulqizë. Banorët e tri fshatrave të kësaj njësie, Dushaj, Koçaj dhe Kodra e Danit, kanë disa ditë që protestojnë për ndalimin e prerjes së pyjeve. Në fakt ata kanë vite që protestojnë për të mos prerë pyjet e kësaj zone, protesta që deri më sot kanë rezultuar frytdhënëse.

Zanafilla

Në vitet ’90-të filloi babzia e shumë subjekteve private për shfrytëzimin e pyjeve, jo vetëm për të plotësuar nevojat vendase, por edhe për eksportimin e lëndës drusore jashtë vendit. Pas prerjeve që i’u bënë pyjeve në zonat përreth, sytë e subjekteve private që operonin në tregtimin e drurit, u drejtuan në një zonë pyjore të njohur si “Sheshe Bulqizë”.

Por për të shfrytëzuar këtë zonë, së pari do të duhej të ndërtohej një rrugë auto – pyjore, pasi një gjë e tillë mungonte, gjithashtu të kalonin një pengesë edhe më të madhe, banorët e tri fshatrave, të cilët këtë zonë pyjore e përdorin si për nevojat e tyre për lëndë drusore, por edhe për ujin e pijshëm dhe vaditës. Deri në vitin 2015-të banorët ishin bërë një barrierë ndaj shumë tentativave për marrjen e kësaj zone pyjore.

Harta ilustrative e fshatrave

Pas vitit 2015

Me një vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 480, datë 30.05.2013, për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit, tek njësitë e qeverisjes vendore, komuna Fushë – Bulqizë, sot njësi administrative e bashkisë Bulqizë, mori në pronësi edhe zonën pyjore që quhet “Sheshe Bulqizë”.

Në shkurt të vitit 2015-t, kjo komunë shprehet se është dakord me kërkesën e kompanisë “Almex Word- Korra” sh.p.k, për shfrytëzimin e një grup ngastrash pyjore, në pjesën e quajtur “Guri i Vashës” në ekonominë pyjore “Sheshe Bulqizë”. Në shkresën e saj, që shprehet dakord për shfrytëzimin e kësaj zone pyjore, komuna Fushë – Bulqizë deklaron se një vendim i tillë vjen pasi janë konsultuar edhe me komunitetin, gjë kjo që do të sjell një sërë dobish.

Por faktet flasin të kundërtën. Shkresa në fjalë ka një ngatërrim vulash, ku në vend të kryeplakut të fshatit është vendosur vula e kryetarit të komunës dhe në vend kryetarit ajo e kryeplakut. Siç mësohet, pak më parë se të lëshohej shkresa, kryeplakut të fshatit Koçaj, i ishte marrë forcërisht vula nga kryetari i asaj kohe i komunës, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar ta vuloste shkresën. Gjithashtu, komuna nuk kishte zhvilluar as edhe një herë të vetme dëgjesë publike me banorët, për shfrytëzimin e kësaj zone pyjore.

Shkresa e ish – komunës Fushë – Bulqizë, që lejon kompaninë të kryej studimin dhe më pas shfrytëzimin e ekonomisë pyjore “Sheshe Bulqizë”

Protestat e banorëve

Kompania “Almex Word – Korra” sh.p.k dhe “Lubima”, në muajin tetor të vitit 2015 –të dërgojnë makineritë për hapjen e rrugës që të dërgon në këtë zonë pyjore dhe më pas shfrytëzimin e saj. Banorët ju kërkojnë shpjegim se për çfarë po bëheshin këto punime. Nga kompania i’u përgjigjën se do të shfrytëzojnë pyllin dhe për këtë dispononin çdo dokumentacion.

Kështu për disa ditë me radhë, banorët që sapo ishin njohur me një vendim të tillë, nisën protestat dhe përplasjet me kompaninë që po vazhdonte punimet. Protestat e tyre ranë në vesh të shurdhët. Në revoltë e sipër, digjet eskavatori i kompanisë që po punonte për hapjen e rrugës. Dhuna policore bie mbi banorët. Arrestohen disa prej banorëve, me akuzën e djegies së eskavatorit dhe ndaj tyre nis ndjekia penale.

Banorët i drejtohen Kryeministrit dhe Prefekturës së Dibrës, ku në përgjigjen ndaj banorëve, prefektura deklaron se kompania “Lubima” që kërkon të shfrytëzoj këtë zonë pyjore, ka një kontratë me Ministrinë e Mjedisit, për shfrytëzimin e materialit drusor në këmbë, në grup ngastrash dhe pa rrugë auto – pyjore, për një periudhë 10-vjeçare.

Kjo firmë, gjithashtu disponon edhe një pikë grumbullimi të lëndës drusore që është e vendosur në Qafë të Buallit (Bulqizë), që gjithashtu shërben edhe si pikë për përpunimin e lëndës drusore dhe prodhimin e peletit të drurit. Kompania në fjalë ka si drejtues, Luan Manjanin, dajën e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu.

Nga inspektimet në terren të kryera nga prefektura, rezulton se kompania në fjalë, në kundërshtim me kushtet e kontratës, ka hapur rrugë auto-pyjore me gjatësi afro 20 m, duke u kërkuar autoriteteve kompetente që të marrin masat e duhura. Kompania “Lubima” pas djegies së eskavatorit tërhiqet. Banorët që u arrestuan ndiqen penalisht në gjendie të lirë.

Moratoriumi i pyjeve

Dokumenti 10 vjeçar ka për qëllim ndalimin e veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë vendin. Në bazë të këtij moratoriumi ndalohet kategorikisht ushtrimi i veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Po kështu ndalohet tregtimi i produkteve të tij, si dhe eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit.

Çfarë lejohet nga moratoriumi?

– Lejohet shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri
– Lejohet shfrytëzimi i pyjeve në rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor referuar legjislacionit në fuqi
– Lejohet shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve  dhe pastrimin e mbetjeve drusore.

Por kompanitë “Lubima” dhe “Almex Word – Korra” në qershor të këtij viti, sërish dërgojnë makineritë për hapjen e rrugës. Banorët sërish i bllokojnë. Bashkia Bulqizë përballë një situate të tillë, në muajin korrik detyrohet të thërrasë një dëgjesë publike me banorët, por që këta të fundit në shenjë proteste nuk e pranojnë dëgjesën dhe kërkojnë largimin e kryetarit të bashkisë, ku sipas tyre ai nuk përfaqëson interesat e tyre, por të kompanisë.

Shkeljet

Ligji nr. 119/2014 datë 18.09.2014, për të Drejtën e Informimit dhe Konventa e Aarhus-it, që përcakton të drejtën e publikut për të marrë pjesë në vendim-marrje publike për ҫështjet e mjedisit. Ku rezultojnë të jenë shkelur si nga ish-komuna Fushë – Bulqizë, gjithashtu edhe nga Bashkia Bulqizë, që sot e ka nën administrim këtë zonë, pasi nuk është marrë mendimi i banorëve, nëse ishin pro apo kundër shfrytëzimit të kësaj ekonomie pyjore.

Nga inspektimet në terren të kryera nga Prefektura Dibër, rezulton se kompania “Almex Word – Korra” dhe “Lubima”, në kundërshtim me kushtet e kontratës ka hapur rrugë auto-pyjore me gjatësi afro 20 m. Ku në kontratën me ministrinë e Mjedisit, duhej të shfrytëzonte materialin drusor në këmbë, në grup ngastrash dhe pa rrugë auto – pyjore.

Në ligjin për moratoriumin e pyjeve, pika 30 thuhet se “Subjektet që kanë fituar me ankand të drejtën e shfrytëzimit të ngastrave/grup-ngastrave, me dhe pa rrugë auto-pyjore, dhe kanë ende kontrata të vlefshme me ministrinë e Mjedisit apo drejtoritë e shërbimit pyjor, kanë të drejtën e shfrytëzimit të tyre deri në prerjet përfundimtare, pas rinegocimit të tyre me bashkinë, në territorin administrativ të së cilës ndodhet objekti i kontratës. Shfrytëzimi i ngastrave/grup-ngastrave bëhet vetëm me qëllim shëndetësimin e pyjeve, pastrimin e mbeturinave dhe për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive dhe enteve të tjera për dru zjarri”.

Pra kontrata ekzistuese e kompanisë “Almex Word – Korra” dhe “Lubima”, pas ligjit të moratoriumit është nul, pasi duhet që kontrata të rinegociohet me pushtetin vendor. Që të bëhet një rinegocim, bashkia duhet të zhvillojë dëgjesë me banorët që preken nga shfrytëzimi i ngastrave/grup-ngastrave. Më pas të kaloj edhe në këshillin bashkiak për miratim.

Në përgjigjen e saj, bashkia Bulqizë deklaron se ka rinegociuar me kompaninë vetëm përsa i përket hapjes së rrugës auto – pyjore, por jo për shfrytëzim. Në të tilla kushte, edhe ky rinegocim bërë nga Bashkia Bulqizë është i pavlefshëm, pasi nuk ka zhvilluar dëgjesë me banorët.

Myfit Duriçi, këshilltar në Këshillin Bashkiak Bulqizë, shprehet se nuk është kaluar asnjë kontratë me kompanitë në fjalë, e rinegociuar dhe që kërkonte miratimin nga Këshilli i Bashkisë Bulqizë. Duke i konsideruar hapat e ndërmarrë nga bashkia Bulqizë si të nxituara dhe në dëm të një komuniteti, siç janë baorët e tri fshatrave, Dushaj, Koçaj dhe Kodra e Danit.

Në të tillë kushte, kompanitë në fjalë nuk kanë as edhe një bazë ligjore për të kërkuar shfrytëzimin e kësaj zone pyjore.

Masakra nuk ndalet

Por edhe pse banorët kanë pasur një qëndresë të fortë përgjatë këtyre viteve, shumë subjekte po futen nga ana tjetër, nga fshatrat Selishtë dhe Kacni për prerjen e pyllit, duke devijuar rrugën që kalon nëpër Fushë – Bulqizë.

Ndoshta përpjekje e tyre do të dështojnë por ajo që do të mbahet mend është qëndresa e hekurt e banorëve përgjatë gjithë këtyre viteve, në mbrojtje të pyllit. Sepse për ta pylli është jeta, është shtysa që i mban të jetojnë në këtë zonë.

*Autori është themelues dhe kryeredaktor i Bulqizaime.al