“Rruga e Arbërit”, çelet tenderi për zbatimin e projektit

891

Ka qenë një prej premtimeve më të mëdha në thuajse të gjitha fushatat që janë zhvilluar pas rënies së komunizmit, por për arsye të ndryshme, ka mbetur një projekt në sirtar. Bëhet fjalë për “Rrugën e Arbrit”, e cila ka qenë një prej kërkesave kryesore të komunitetit dibran.

Edhe në fushatën e fundit ajo zuri vendin kryesor në premtimet e të dy palëve. Tentativa për finalizimin e projektit ambicioz thuajse 27-vjeçar pati edhe në mandatin e shkuar të qeverisë “Rama 1”, por për arsye të ndryshme nuk u finalizua. Një kompani kineze ishte e interesuar, por oferta e saj ishte tepër e ‘kripur’ për financat shqiptare.

Në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike është njoftuar se ka nisur procedurat për finalizimin e projektit. Ministria e Transporteve ka çelur tenderin për kompanitë e interesuara për ndërtimin e ‘Rrugës së Arbrit”. Tenderi është çelur në datën 10 Gusht, ora 08:00 dhe ofertat priten deri në datën 2 Tetor 2017.

Fondi limit i përcaktuar nga ministria është 33,600,000,000.00 Lekë. Më poshtë njoftimi i app.gov.al për çeljen e procedurës së prokurimit.